生物多样性---[shēng wù duō yàng xìng]---biodiversitet

Presidenti i Kinës Xi Jinping bëri thirrje për përpjekje ndërkombëtare për përballimin e sfidave në mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë fjalimit të mbajtur në Samitin e OKB-së për Biodiversitetin, presidenti Xi tha se zhdukja e llojeve të ndryshme është përshpejtuar dhe humbja e biodiversitetit e degradimi i ekosistemit përbëjnë një rrezik të madh për ekzistencën dhe zhvillimin e njerëzimit. Prandaj, njerëzimi duhet të bashkëpunojë për ndërtimin e një vatre më të bukur me harmoni biologjike. Xi paraqiti një propozim prej katër pikash:

"Së pari, të këmbëngulim në qytetërimin ekologjik, duke shtuar forcën motivuese për ndërtimin e një bote të bukur. Së dyti, t'i përmbahemi multilateralizmit, për të shtuar kohezionin e qeverisjes globale të mjedisit. Së treti, të vijojmë zhvillimin e gjelbër, duke shtuar gjallërinë e rimëkëmbjes së ekonomisë cilësore pas rënies së pandemisë. Së katërti, të forcojmë përgjegjësinë për përballimin e sfidave mjedisore."

Presidenti kinez vuri në dukje se bota duhet të bëjë përpjekje të përqendruara për trajtimin e sfidave:

"Biodiversiteti ka të bëjë me mirëqenien e njerëzimit. Kur ekologjia mbrohet si duhet, qytetërimi përparon. Duhet ta respektojmë natyrën, të përshtatemi me natyrën e ta mbrojmë atë, të kërkojmë rrugën e bashkëjetesës harmonike midis njeriut e natyrës dhe të ekuilibrojmë zhvillimin ekonomik me mbrojtjen ekologjike."

Presidenti Xi shtoi se Kina i ka kryer detyrimet e saj të përcaktuara në traktatet lidhur me ndryshimin klimatik e me biodiversitetin dhe njëkohësisht arriti para kohe objektivin e vitit 2020 për përballimin e ndryshimit klimatik.

Në fjalimin e tij, presidenti kinez premtoi:

"Kina do të përpiqet ta arrijë kulmin e shkarkimit të dyoksidit të karbonit para vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit para 2060-s".

Konferenca e 15-të e Palëve të Konventës së Biodiversitetit (COP15) planifikohet të zhvillohet në Kunming të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore vitin e ardhshëm. (Wang Lei)