会晤---[huì wù]--- takim

Autor: Dr. Michael Borchmann, ish-drejtor i Departamentit për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, këshilltar nderi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës për Çështjet e Investimeve në Evropë

Sipas mendimit tim, 14 shtatori i vitit 2020 është një ditë e mirë për marrëdhëniet BE-Kinë. Në këtë ditë, presidenti kinez Xi Jinping dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, duke përfshirë presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kancelaren Angela Merkel të Gjermanisë, vendit që mban kryesimin e radhës së BE-së, zhvilluan një takim nëpërmjet lidhjes me video. Në fillim të takimit, presidenti Xi u bëri thirrje Kinës dhe BE-së të ndjekin rrugën e bashkëjetesës paqësore, bashkëpunimit të hapur, multilateralizmit, dialogut e konsultimeve dhe të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Të dy palët u përqëndruan në Marrëveshjen e Investimeve Kinë-BE, politikat lidhur me klimën dhe digjitalizimin, dhe natyrisht diskutuan gjithashtu për ndikimin e epidemisë së koronavirusit të ri. Ato ranë dakord të krijojnë një mekanizëm dialogu të nivelit të lartë mbi klimën e mjedisin dhe çështjet digjitale, për të forcuar partneritetin mes tyre. Lidhur me marrëveshjen e investimeve kino-evropiane, që është negociuar për shumë vjet, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shpjegoi me hollësi fushat për të cilat është arritur konsensus dhe ato ku ende ka dallime mendimesh. Për sa i përket planit mbi përfundimin e negociatave përkatëse deri në fund të vitit 2020, kancelarja gjermane tha se takimi siguroi "shtytje politike" të mëtejshme për planin: "Kjo është e mundur".

Megjithatë, dua të përmend sfondin e këtij takimi. Ai nuk ishte menduar fillimisht të mbahej në mënyrë virtuale nëpërmjet videos. Fillimisht ishte planifikuar që krerët e shteteve dhe qeverive nga Kina dhe 27 vendet e BE-së ta zhvillonin takimin e tyre të parë në Lajpcig më 14 shtator. Kjo duhej të ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme që kur Gjermania mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 korrik. Qëllimi i saj ishte të diskutonte dhe rregullonte marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe partneres së tij tregtare, Kinës. Në mënyrë të veçantë, të dy palët do të finalizonin marrëveshjen e investimeve Kinë-BE, do të ripohonin përpjekjet e tyre të përbashkëta për të trajtuar ndryshimin e klimës dhe do të diskutonin për rolin e BE-së dhe të Kinës në Afrikë. Sidoqoftë, epidemia e tanishme qartazi nuk lejoi mbajtjen e një takimi të tillë ballë për ballë. Prandaj, në fillim të qershorit, pas telefonatës ndërmjet kancelares Merkel dhe presidentit Xi, samiti u shty dhe u vendos që do të shtohej ky takim në internet. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert (Shtefën Zajbert) tha se Gjermania, Bashkimi Evropian dhe Kina e kanë theksuar që të gjithë rëndësinë e këtij takimi.

Në prag të këtij takimi, forcat antikineze në ShBA u përpoqën ta pengojnë atë. Ne nuk mund ta shpërfillim një gjë të tillë. Për më tepër, shtrembërimet lidhur me të ashtuquajturat "shkelje të të drejtave të njeriut" nga përtej Atlantikut u pranuan lehtësisht nga disa politikanë evropianë, që iu bindën Shteteve të Bashkuara për të bërë presion mbi të gjitha palët në takim. Për fat të mirë, nga goja e Merkelit ne mund të shohim se sa shumë shpreson BE-ja te bashkëpunimi me Kinën: të dy palët do të punojnë për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit. Kjo vjen për shkak të bashkëpunimit të ngushtë midis të dy palëve, pavarësisht nga sistemet e tyre të ndryshme politike. Ky është një themel i mirë. Ajo që kancelarja Merkel nuk e shprehu qartë ishte që në këtë drejtim Kina është e ndryshme nga Shtetet e Bashkuara, të cilat tashmë janë tërhequr nga marrëveshja. Pas takimit, detyra kryesore e të dy palëve do të jetë të vazhdojnë punën për Marrëveshjen e Investimeve Kinë-BE. Nuk ka dyshim se hapja e Kinës ndaj botës së jashtme po rritet gjithnjë e më shumë dhe kompanitë evropiane do të përfitojnë prej saj. Sipas një studimi të kryer nga Dhoma Evropiane e Tregtisë, katër të pestat e kompanive kozmetike, të pajisjeve mjekësore dhe farmaceutike thanë se shitjet e tyre u rritën vitin e kaluar për shkak të hapjes së tregut kinez. Qoftë edhe vetëm për efekt të sinjaleve politike, detyra e tanishme mbetet arritja e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Kancelarja Merkel e bëri të qartë se rruga konstruktive me Kinën do të vazhdojë, duke shtuar se, sapo ta lejojë gjendja epidemike, samiti i planifikuar fillimisht do të mbahet më vonë, megjithëse "për fat të keq, një formë e plotë e takimit nuk do të jetë e mundur të zhvillohet gjatë kryesimit të BE-së nga Gjermania". Në këtë drejtim, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel e ka ftuar presidentin Xi Jinping të marrë pjesë në takimin në Bruksel në të ardhmen. (Vera/Artan)