科学---[kē xué]---Shkencë

Tani numri i të prekurve nga koronavirusi i ri në ShBA arrin në gati 6.5 milionë, ndërsa i vdekjeve rreth 200 mijë. Në një artikull të ditëve të fundit, revista e njohur "Times" e përshkruan këtë si një "dështim i tipit amerikan". Mirëpo realiteti mund të jetë edhe më serioz. Sipas njoftimeve të CNN-it, mbështetur në një raport studimor të Shkollës së Shëndetit Publik të Universitetit të Kalifornisë në Berkli, numri i të infektuarve në ShBA mund të jetë 3-20 herë më shumë se numri i rasteve të konfirmuara. Ky përfundim mbështet rezultatet e publikuara në korrik nga Qendrat për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) të ShBA-së, sipas të cilave numri i vërtetë i të prekurve është shumë më i lartë sesa parashikimet.

Në një koment të vetin, Grupi Mediatik e Kinës (CMG) shtron pyetjen se përse ShBA-ja, ndonëse superfuqia e vetme në botë, ka një reagim kaq të dobët ndaj epidemisë. Ish-drejtori i CDC-së Thomas Frieden ka vënë në dukje se autoritetet politike kanë dështuar në përgjigjen e tyre ndaj episemisë, duke mos arritur të marrin masat e duhura përballuese. Në komentin e CMG-së vihet në dukje se, që nga fillimi, politika amerikane e "ka rrëmbyer" shkencën dhe kjo është arsyeja thelbësore e pasojave katastrofike të tanishme.  

Ditët e fundit, gazetari i njohur i "Washington Post"-it Bob Woodward zbuloi nëpërmjet publikimit të një audioje se presidenti amerikan Donald Trump që në shkurtin e sivjetshëm, disa javë para konfirmimit të rastit të parë të vdekjes nga COVID-19 në ShBA, ishte në dijeni për përhapjen e shpejtë dhe forcën vdekjeprurëse të virusit të ri. Megjithatë, ai tha se kjo sëmundje ishte vetëm një grip dhe se "do të zhdukej si me magji". Lidhur me këtë, kryeredaktori i revistës shkencore "Science", Holden Thorp, akuzoi i zemëruar se presidenti amerikan gënjeu me dashje përballë fakteve shkencore dhe se ky veprim jo vetëm kërcënoi shëndetin njerëzor, por edhe shkaktoi humbjen e jetës së shumë amerikanëve. "Ky mund të jetë momenti më poshtërues në historinë e politikave shkencore të ShBA-së", tha Thorp.  

Jo vetëm kaq, vijon CMG-ja në komentin e vet, por, për të mos e lejuar publikun të mësojë të vërtetën, politikanët amerikanë shkelën të drejtën e fjalës të ekspertëve shëndetësorë, duke shfaqur një qëndrim të pabesueshëm antiintelektual dhe antishkencor.Për shembull, Nancy Messonnier, drejtorja e Departamentit të Sëmundjeve Imunitare dhe të Rrugëve të Frymëmarrjes të CDC-së, e paralajmëroi publikun amerikan në fund të shkurtit se jeta e përditshme dhe udhëtimet e tyre mund të prekeshin nga përhapja e virusit. Por, pas kësaj, ajo nuk doli më në konferencat e shtypit të Shtëpisë së Bardhë. Eksperti i njohur i sëmundjeve ngjitëse Anthony Fauci ka përballuar herë pas here trysni nga Shtëpia e Bardhë. Ndërsa sipas CNN-it, zyrtarët amerikanë të shëndetësisë i kanë rishikuar fjalët e përdorura në raportin javor të CDC-së për përqindjen e infektimit dhe të vdekshmërisë, gjë që është një dëshmi e padyshimtë për ndërhyrjet politike në çështjet shkencore. 

Në komentin e CMG-së thuhet se gjëja më shqetësuese është se, për të kthyer reputacionin e goditur nga paaftësia e përballimit të epidemisë, politikanët amerikanë nxitën rihapjen e shkollave, madje propozojnë të ashtuquajturin "imunitet i tufës". Kjo ka bërë që në më shumë se 1000 shkolla të larta amerikane të raportohen mbi 51 mijë raste infektimi. Në të paktën universitete të 40 shteteve ka pasur vatra infeksioni të COVID-19. Ndërsa, sipas përllogaritjes së ekspertëve amerikanë, imunizimi i 65 % të amerikanëve do të arrihet me koston e 2.13 milionë të vdekurve në ShBA.Për të shfajësuar veten, politikanët amerikanë po përpiqen ta kalojnë përgjegjësinë te të tjerët. Nga Kina te OBSh-ja, nga BE-ja te politikanët rivalë brenda vendit, të gjithë janë objektivi i tyre. Lideri amerikan në një konferencë shtypi përsëri paraqiti qëndrimin se "Fajin e ka Kina". Për këtë, disa përdorues amerikanë të internetit shprehën kritika, duke thënë se "gati 200 000 veta kanë humbur jetën, por ai prapë nuk pohon të vërtetën", përfundon komenti i CMG-së.