谎言---[huǎng yán]--- Gënjeshtër

Sekretari i Shtetit i ShBA-së Mike Pompeo publikoi më 29 qershor të këtij viti një deklaratë për shtypin, të titulluar "Mbi programin e Kinës për planifikimin e detyrueshëm familjar dhe sterilizimin me forcë në Xinjiang". Në të njëjtën ditë, "Associated Press" publikoi një raport hetimi me titull "Kina detyron kontrollin e lindjeve mbi ujgurët për të shtypur popullatën".

Po në qershor të këtij viti u publikua një raport hetimi, i shkruar nga Adrian Zenz dhe i titulluar "Sterilizimet, pajisjet intrauterine (IUD) dhe kontrolli i detyrueshëm i lindjeve: Fushata e PKK-së për të shtypur normën e lindjeve te ujgurët". Raporti i Zenz-it është burimi kryesor i cituar nga deklarata e Pompeo-s dhe raporti i hetimit i "Associated Press"-it. Në raportin e Zenz-it pretendohet se të dhënat e tij janë marrë nga dokumentet zyrtare kineze dhe vjetari statistikor i Kinës. Në fakt, ky raport ka një numër të madh problemesh, duke përfshirë kryesisht fabrikimin e fakteve dhe falsifikimin e të dhënave. Pohimi që qeveria kineze ka bërë sterilizimin e detyrueshëm te gratë ujgure në Xinjiang, në thelb, është një lajm i rremë i pabazuar, i cili është sajuar nga qeveria amerikane, disa fondacione perëndimore dhe studiues me sfond antikomunist.

Adrian Zenz, autori i këtij raporti, është një studiues gjerman i punësuar nga Fondacioni për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit, një organizatë e së djathtës ekstreme e sponsorizuar nga qeveria e ShBA-së. Në raportin e Zenz-it ka shumë gënjeshtra. Ja disa prej tyre, që janë edhe më të dukshmet:

Gënjeshtra e parë: Norma e rritjes natyrore të popullsisë në Xinjinag ka një rënie të ndjeshme

Zenz deklaroi se qysh nga viti 2015, norma e rritjes natyrore të popullsisë në Xinjiang ka rënë mjaft, dhe në vitin 2018 rritja natyrore e popullsisë në Hotan dhe Kashgar ishte vetëm 2.58 ‰ (për mijë).

Në fakt, të dhënat e cituara në raport janë seriozisht në kundërshtim me statistikat zyrtare reale. Sipas Vjetarit Statistikor të Xinjiang-ut për vitin 2019, normat e rritjes natyrore të popullsisë në katër prefekturat e Xinjiang-ut Jugor në vitin 2018 ishin: Prefektura Autonome Kirgize Kizilsu 11.45 ‰, prefektura Aksu 5.67 ‰, prefektura Kashgar 6.93 ‰ dhe prefektura Hotan 2.96 ‰. Pra, të dhënat e cituara në raportin e Zenz-it janë të pabesueshme dhe vërtetësia e tyre është problematike.

Shkalla e rritjes natyrore të popullsisë është ulur me të vërtetë qysh nga viti 2015, megjithatë, ulja nuk është aq "e ndjeshme" sa përshkruhet në raportin e Zenz-it.

Norma e rritjes natyrore të popullsisë në Xinjiang në vitin 2018 ishte 6.13 ‰, më e lartë se e rritjes natyrore të popullsisë në mbarë Kinën prej 3.81 ‰. Ky ndryshim në normën e rritjes natyrore të popullsisë në Xinjiang është një dukuri e arsyeshme, e shkaktuar nga ulja e dëshirës për të lindur fëmijë nga gratë e pakicave kombëtare kineze, të cilat janë tani më të arsimuara dhe kanë më shumë raste punësimi.

Gënjeshtra e dytë: Prefektura Autonome Kirgize Kizilsu ka për vitin 2020 një objektiv të rritjes së popullsisë gati zero si kurrë më parë, thjesht 1.05 për mijë.

Duke cituar të dhënat nga një dokument zyrtar me titullin "Buxheti i Komisionit të Shëndetësisë të Prefekturës Autonome Kirgize Kizilsu për vitin 2020", Zenz deklaroi se qeveria e Kizilsu-së ka "përcaktuar një objektiv si kurrë më parë të rritjes së popullsisë gati zero", pra Kizilsu planifikon që rritja natyrore e popullsisë të ulet në 1.05 ‰ në vitin 2020.

Në fakt, raporti i Zenz-it falsifikon plotësisht shifrat në dokumentin zyrtar të qeverisë së Kizilsu-së. Në këtë dokument të Komisionit të Shëndetësisë të Kizilsu-së, tregohet në mënyrë të qartë se objektivi për rritjen natyrore të popullsisë në vitin 2020 është 1.05 % (për qind), domethënë është 10.5 ‰ (për mijë). Ky numër nuk ndryshon shumë nga përqindja e rritjes natyrore të popullsisë të Kizilsu-së prej 11.45 ‰. Por qëllimi i Zenz-it, duke falsifikuar shifrat, është të godasë politikat e planifikimit familjar të qeverisë kineze. (Xu Guang)