闭幕---[ bì mù]--- Kurorëzim

Panairi Ndërkombëtar i Tregtisë së Shërbimeve i Kinës për vitin 2020 u kurorëzua me sukses të mërkurën në Pekin, me nënshkrimin e 240 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe publikimin e 99 risive.

Në panairin e kësaj here, kompania japoneze "UEDA YAGI Securities" siguroi miratimin zyrtar për krijimin e degës në Kinë, duke u bërë e para firmë me investime plotësisht të huaja në Kinë që merret me ndërmjetësimin e biznesit monetar. Ky është një hap i rëndësishëm i hapjes së tregut financiar të Kinës. Një përgjegjës i kompanisë i tha CMG-së se tregu i gjerë, mjedisi i mirë i investimeve dhe qëndrimi i hapur i kanë tërhequr institucionet e huaja të hyjnë në Kinë, duke shtuar se UEDA YAGI ka besim të plotë për zgjerimin në tregun kinez.

Ky është një ndër rezultatet kryesore të arritura në Panairin. Sipas z. Xian Guoyi, drejtor i Departamentit të Tregtisë së Shërbimeve në Ministrinë e Tregtisë të Kinës, ndërmarrjet shtetërore dhe kompanitë financiare të provincave dhe rajoneve të ndryshme të Kinës kanë formuar grupe për të zhvilluar negociata me pjesëmarrësit e panairit. Ndër 240 marrëveshjet e kontratat e lidhura, spikatin ato në fushën e tregtisë digjitale.

Z. Xian shtoi se gjatë organizimit të Panairit të Tregtisë së Shërbimeve, janë organizuar mbi 100 forume në internet dhe në terren. Panairi kishte një sipërfaqe ekspozimi 110 mijë metra katrorë dhe tërhoqi ndërmarrjet nga më shumë se 100 vende e rajone të botës për pjesëmarrje reale ose në internet. Kompanitë nga sektorë si tregtia digjitale, telekomunikacioni 5G, interneti industrial, puna në distancë në internet dhe teknologjia inteligjente, zinxhiri i blloqeve etj., kanë shkëmbyer ide novative, kanë demonstruar shërbime të reja dhe kanë publikuar rezultatet e fundit studimore.

Sipas të dhënave statistikore, 5372 ndërmarrje krijuan platforma në internet, ku u organizuan 32 videokonferenca dhe 173 mbledhje të transmetuara drejtpërdrejt në internet, u iniciuan 1870 projekte dhe u zhvilluan 550 mijë negociata tregtare, 145 mijë prej të të cilave, ose 26.4 %, ishin me pjesëmarrës nga jashtë Kinë. Lidhur me këtë, Yan Ligang, kreu i Zyrës së Tregtisë të Bashkisë së Pekinit, u shpreh se pas kurorëzimit me sukses të panairit të sivjetshëm për tregtinë e shërbimeve, ata do të vazhdojnë të përmirësojnë platformën digjitale të panairit.

"Do të vijojmë të mbajmë të hapur për një periudhë të caktuar platformën elektronike të panairit, duke ofruar shërbime falas për ndërmarrjet, si regjistrimi, krijimi i pavijoneve në internet dhe zhvillimi i negociatave," tha z. Yan.