人民---[rén mín]--- populli

Më 8 shtator paradite u organizua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin, Konferenca e Nderimit të Luftës kundër COVID-19 në Kinë. Lideri më i lartë i Kinës Xi Jinping u dorëzoi medaljen dhe dekoratat heronjve të luftës antiepidemike dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm, ku përmblodhi përvojën e rëndësishme të Kinës në këtë sfidë të madhe, e cila shërben si një pikë referimi edhe për luftën globale kundër epidemisë.

Xi Jinping-u e përmblodhi shpirtin antiepidemik kinez me fjalët: "Të çmuarit e jetës, bashkimi i atdheut, sakrifica të mëdha, respektimi i shkencës, fate të përbashkëta".

"Për të mbrojtur jetën e popullit, mund të sakrifikojmë gjithçka". Në fjalët e Xi Jinping-ut është pasqyruar përsëri filozofia politike e Partisë Komuniste Kineze e shërbimit ndaj popullit. Qeveria kineze mori përsipër të gjitha shpenzimet mjekësore të pacientëve të prekur nga COVID-19 dhe dërgoi mjekët më të mirë e burimet që nevojiteshin më urgjentisht në qytetin Wuhan dhe në provincën Hubei, duke shfaqur plotësisht konceptin "Populli në plan të parë, jeta në plan të parë". Pas inspektimit të punëve antiepidemike në Kinë në shkurt, këshilltari i lartë i sekretarit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bruce Alyward, tha: "Kina përdori çdo burim të mundshëm, çdo metodë të vlefshme për të shpëtuar jetë".

Bashkimi është arma më e fuqishme. Mbi 40 mijë punonjës mjekësorë shkuan në Wuhan, mbi 4 milionë punonjës lagjeje qëndruan në turne ditën dhe natën, shkencëtarët bënë studime të pandërprera, postierët, punonjësit e pastrimit, vullnetarët etj. dhanë kontribut të madh në heshtje. Këto përpjekje të përbashkëta shpjegojnë arsyen e arritjes së suksesit të Kinës në luftën antiepidemike brenda tre muajve. Studiuesja serbe e çështjeve politike dhe ekonomike Katarina Zakiç tha: "Kemi parë shpirtin e bashkimit të Kinës përballë sfidës, të cilin e respektojmë shumë."

Në procesin e frenimit të epidemisë së COVID-19, Kina respekton shumë parimet shkencore në hartimin e politikave, trajtimin e pacientëve, kërkimin shkencor, administrimin shoqëror etj. Profesori i Universitetit Kombëtar të Singaporit Zheng Yongnian publikoi një artikull, ku thuhet se në luftën ndaj epidemisë së COVID-19, "qeveria kineze nuk shkeli parimet shkencore dhe lehtësoi deri në ekstrem përdorimin e metodave shkencore nëpërmjet mbështetjes me politika".

Tani epidemia e COVID-19 është përhapur në mbarë botën. Populli kinez i kupton thellësisht dhimbjet e popujve të tjerë dhe ka dhënë ndihmë brenda mundësive të veta për bashkësinë ndërkombëtare, duke shfaqur konceptin e fateve të përbashkëta të njerëzimit. Për shembull, Kina i dha dy herë ndihmë financiare prej 50 milionë dollarësh OBSh-së, dërgoi në 32 vende 34 ekipe specialistësh mjekësore dhe u ofroi 150 vendeve dhe katër organizatave ndërkombëtare 283 kontingjente ndihme antiepidemike. Drejtori i Qendrës së Studimeve Kineze të Argjentinës, Ignacio Villagran, vlerësoi se Kina është shembulli i kontrollit të suksesshëm të epidemisë. Sipas tij, fakti që autoritetet kineze u ofruan materiale antiepidemike vendeve të tjera shumë shpejt pas vënies nën kontroll të epidemisë në Kinë, është shembull i konkretizimit të konceptit të fateve të përbashkëta të njerëzimit. (Xu Guang)