胜利---[shèng lì]---Fitore

Në fjalimin e tij të mbajtur më 3 shtator, në bisedën e organizuar nga Komiteti Qendror i PKK-së, Këshilli i Shtetit dhe Komiteti Qendror Ushtarak me rastin e 75-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore, presidenti i Kinës Xi Jinping tha se gjatë kësaj lufte, populli kinez kultivoi shpirtin e madh të luftës së rezistencës dhe i tregoi botës përgjegjësinë patriotike, guximin e ngadhënjimit mbi vdekjen, frymën heroike të qëndresës deri në fund dhe besimin e palëkundur për fitoren. Ai theksoi se shpirti i madh i luftës së rezistencës është pasuria e çmuar shpirtërore e popullit kinez, që do të shërbejë si frymëzim për të kapërcyer të gjitha vështirësitë gjatë përpjekjeve për rilindjen e madhe të kombit kinez.

Xi vuri në dukje se në këtë datë 75 vjet më parë, populli kinez, bashkë me popujt e botës, mundën krejtësisht fashizmin dhe korrën fitoren e madhe. Në këtë datë para 75 vjetëve, populli kinez mundi agresorët militaristë japonezë pas luftës së paepur 14-vjeçare dhe arriti fitoren e madhe të Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez. Kjo është lufta e rezistencës e popullit kinez kundër agresorëve më e gjatë, më e madhe dhe me sakrifikat më të shumta në kohën moderne. Gjithashtu, kjo ishte hera e parë që populli kinez realizoi fitoren e plotë në luftën çlirimtare kombëtare. Kjo fitore e madhe është një pikë kthese historike e kombit kinez në kohën moderne, nga kriza e rëndë drejt rilindjes së madhe, dhe është gjithashtu pjesë përbërëse e fitores së Luftës Antifashiste Botërore. Ajo i përket popullit kinez, por dhe popujve të botës. Kjo fitore e madhe do të gdhendet përgjithmonë në historinë e kombit kinez dhe në historinë e çështjes së drejtë të njerëzimit.

"Këtu, në emër të Komitetit Qendror të PKK-së, të Këshillit të Shtetit dhe të Komitetit Qendror Ushtarak, u shpreh respektin më të lartë veteranëve që morën pjesë në Luftën e Rezistencës kundër Agresionit Japonez, shokëve, patriotëve, gjeneralëve që kanë luftuar kundër agresionit japonez, si edhe bijve e bijave të kombit kinez që kontribuuan për fitoren e Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez. U shpreh falënderime të përzemërta qeverive e miqve të vendeve të tjera që e ndihmuan dhe e përkrahën Kinën gjatë kësaj lufte. Shpreh ngushëllime të thella për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për fitoren e luftës dhe për të gjithë viktimat e luftës," tha kreu i shtetit i Kinës.

Xi theksoi se gjatë 75 vjetëve pas kësaj lufte, në Kinë kanë ndodhur ndryshime rrënjësore. Nën udhëheqjen e Partisë Komuniste e Kinës, pjesëtarët e kombësive të ndryshme të Kinës janë solidarizuar në kapërcimin e vështirësive dhe kanë arritur suksese që kanë tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Në Kinë është hapur rruga e socializmit me karakteristika kineze dhe pritet të arrihet sukses në përpjekjet për zhdukjen e varfërisë dhe për ndërtimin e gjithanshëm të shoqërisë relativisht të begatë. Rilindja e madhe e kombit kinez do të ketë perspektivë të bukur.

Xi vuri në dukje se, për realizimin e rilindjes së madhe të kombit kinez, duhet të ngulet këmbë në udhëheqjen e PKK-së, të ndiqet rruga e socializmit me karakteristika kineze, të vihet populli në qendër të punëve, të ruhet shpirti i këmbënguljes dhe të vazhdojë rruga e zhvillimit paqësor në mënyrë të palëkundur.

"Populli kinez nuk lejon në asnjë mënyrë çdo individ apo forcë që orvatet të shtrembërojë historinë e PKK-së dhe të errësojë karakterin e synimin e saj! Populli kinez nuk lejon në asnjë mënyrë çdo individ apo forcë që orvatet të shtrembërojë ose ndryshojë rrugën e socializmit me karakteristika kineze dhe të mohojë a përbaltë suksesin e madh të popullit kinez në ndërtimin e socializmit! Populli kinez nuk lejon në asnjë mënyrë çdo individ apo forcë që orvatet ta ndajë PKK-në nga populli kinez dhe të shkaktojë kundërvënie midis tyre! Populli kinez nuk lejon në asnjë mënyrë çdo individ apo forcë që orvatet t'ia imponojë vullnetin e vet Kinës nëpërmjet hegjemonisë, ta ndryshojë kursin e përparimit të Kinës dhe të pengojë përpjekjet e popullit kinez për krijimin e një jete më të bukur! Populli kinez nuk lejon në asnjë mënyrë çdo individ apo forcë që orvatet të shkatërrojë jetën paqësore të popullit kinez dhe të drejtat e tij për zhvillim, të dëmtojë shkëmbimet e bashkëpunimin e popullit kinez me popujt e vendeve të tjera dhe të minojë çështjen e madhe të paqes e zhvillimit të njerëzimit," tha presidenti i Kinës Xi Jinping në bisedën me rastin e 75-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore. (Wang Lei)