战争---[zhàn zhēng]---Luftë

Sot është dita jubilare e 75-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe e Luftës Antifashiste Botërore. Gjatë një interviste me këtë rast për Grupin Mediatik të Kinës, drejtori i Qendrës së Kërkimeve për Kinën pranë Universitetit të Oksfordit, Rana Mitter, tha se Lufta e Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez luajti një rol vendimtar për prirjen që mori Lufta Antifashiste Botërore. Studimi dhe kujtimi sot i kësaj historie ka si qëllim "shkëputjen nga lufta dhe mbrojtjen e paqes".

"Lindja dhe Perëndimi kundërshtuan bashkërisht forcat më të egra dhe më të errëta në histori." Me këto fjalë e nis Rana Mitter-i librin e tij "Kina, aleatja e harruar", një vepër që studion Luftën e Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez.

Gjatë intervistës, profesori Mitter tha se shumica e lexuesve perëndimorë habiten nga historitë në këtë libër për betejat e zhvilluara në Kinë, sepse shumë perëndimorë nuk i njohin fare këto histori. Kur ata mësojnë se gjatë luftës kundër agresorëve japonezë, Kina humbi dhjetëra milionë ushtarakë e civilë, duke frenuar pothuajse të gjitha trupat kryesore japoneze, lexuesit perëndimorë fillojnë të kuptojnë kontributin dhe sakrificat e Kinës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Mendoj se zakonisht perëndimorët nuk janë të ndërgjegjshëm se Kina luajti rol shumë të rëndësishëm në Luftën e Dytë Botërore. Për të kuptuar rëndësinë e Kinës në këtë luftë, duhet të shohim si ky vend ishte në betejë gjatë vitit 1938, d.m.th. në vitin e dytë pas Incidentit të Urës së Marko Polos (Lugouqiao). Atëherë, shumë vëzhgues, përfshirë diplomatë perëndimorë, ishin të mendimit se potenciali i Kinës ishte shumë më i dobët se i Japonisë dhe kapitullimi ishte e vetmja alternativë. Por më vonë, shohim luftën këmbëngulëse të ushtrisë dhe të popullit kinez kundër Japonisë në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme. Kjo ka rëndësi jetike," theksoi Mitter.

Profesori i Oxfordit vuri në dukje se Lufta e Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez luajti rol vendimtar lidhur me prirjen që mori Lufta Antifashiste Botërore:

"Pa frenimin dhe rezistencën e Kinës ndaj Japonisë gjatë viteve nga 1937 deri më 1941, frontet e luftës në Azi dhe Evropë do të ishte e vështirë të kombinoheshin dhe kësisoj do të kishim një tjetër prirje të Luftës Botërore Antifashiste. Pra, kjo është rëndësia e madhe e Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez për Luftën Antifashiste Botërore."

Profesori vuri në dukje se rishqyrtimi i kësaj historie na frymëzon të qëndrojmë larg luftës e të mbrojmë marrëdhëniet e qëndrueshme ndërkombëtare:

"Mendoj se të qëndruarit larg luftës është rëndësia më e madhe paralajmëruese e kësaj historie për njerëzit e sotëm. Tjetër mësim që duhet të nxjerrim nga Lufta e Dytë Botërore është që të kuptojmë se duhet të krijojmë një sistem global më të konsoliduar dhe më bashkëpunues. Në këtë aspekt, Organizata e Kombeve të Bashkuara shërben si një simbol për mbrojtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërkombëtare."

Profesori Mitter vuri në dukje se qarqet ndërkombëtare të historisë kanë treguar gjithnjë e më shumë vëmendje për rolin e Kinës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe madje këtë vit, edhe studiuesit amerikanë e përcaktuan Incidentin e Urës së Marko Polos në vitin 1937, në vend të sulmit mbi portin Pearl Harbor në vitin 1941, si pikënisje të Luftës së Paqësorit. (Wang Lei)