学期---[xué qī]---Semestër

Më 1 shtator shkollat në mbarë Kinën filluan semestrin e parë të vitit të ri shkollor. Si zbatohen masat e kontrollit e të parandalimit të epidemisë në shkollat fillore e të mesme në Wuhan? Si u zhvillua ora e parë e semestrit të ri? Gazetarja e Grupit Mediatik të Kinës intervistoi znj. Wan Yuxia, drejtoren e Shkollës Eksperimentale "Changqingshu" të Wuhan-it.

Në ditën e parë të semestrit të ri, të afro 7 mijë nxënësit u kthyen në katër korpuset e shkollës "Changqingshu". Gjatë inspektimit në këto katër korpuse, znj. Wan zbuloi se në disa klasa u zhvillua një ceremoni e veçantë: përqafimi në largësi. Gjatë epidemisë, të gjithë nxënësit e kanë kuptuar se nuk duhet të kenë kontakte fizike, por ata gjejnë këtë mënyrë të veçantë për të shprehur mallin për shokët e shoqet e klasës dhe gëzimin për kthimin në shkollë. "Veprimi i këtyre fëmijëve më preku shumë," tha drejtorja Wan.

Edhe mësuesit përgatitën dhurata modeste ose kartolina urimi për nxënësit. Fëmijët u gëzuan shumë kur morën dhuratat. "Afro 7 mijë fëmijët janë në gjendje shpirtërore shumë të mirë, e po ashtu edhe mësuesit janë plot energji", u shpreh drejtorja Wan.

Ajo ndjeu edhe disa ndryshime te fëmijët pas kthimit në shkollë. P. sh., nxënësit erdhën në shkollë sipas orareve të ndryshme në mëngjes dhe pritën vetë në radhë për të hyrë në shkollë dhe për dezinfektimin e matjen e temperaturës. Pas hyrjes në klasa, ata gjithashtu nisën të lexojnë vetë librat. "Ndjeva se fëmijët janë bërë më të ndërgjegjshëm dhe më të arsyeshëm pas epidemisë. Jam shumë e kënaqur ," tha znj. Wan.

Për sa i përket maskës, drejtorja e shkollës theksoi se Komiteti Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës ka dhënë udhëzime të qarta që tani Wuhan-i është qytet me rrezik të ulët dhe në shkollë nxënësit s'ka nevojë të mbajnë maskë. Por të gjithë nxënësit marrin me vete në çantë një a dy maska. "Në shkollën tonë mund të shohësh nxënës me maskë, por edhe pa maskë, pra nuk kemi kërkesë të detyrueshme dhe unike. Por nëpërmjet prindërve, i porositim nxënësit se qëndrimi pa maskë në shkollë është i sigurt, por ata duhet të mbajnë me vete maskë. U kemi thënë nxënësve po ashtu se, nëse moti është i nxehtë a i vrenjtur, heqja e maskës nuk përbën rrezik", shpjegoi Wan.

Njëkohësisht, drejtorja vuri në dukje se katër kategori të punonjësve të shkollës: rojat, kuzhinierët, pastruesit dhe mjekët, duhet të mbajnë maskë, që të sigurojnë një mjedis të sigurt aty.

Drejtorja Wan foli edhe për disa ndryshime në administrimin e shkollës, veçanërisht lidhur me dezinfektimin dhe përmirësimin e sistemit. Në të kaluarën, nxënësit e hanin drekën në mensë, por tani ata darkojnë në klasat e tyre. Sa i përket dietës, shkolla tregon tani më shumë vëmendje për ushqimet e pasura me proteina, duke përfshirë vezët, peshkun dhe mishin. "Tani jemi shumë të matur lidhur me karkalecat e detit dhe kemi ndërprerë përkohësisht blerjen e ushqimeve që i përmbajnë ato, duke shtuar mishin e viçit dhe produktet e sojës," shpjegoi znj. Wan.

Puna e kontrollit dhe e parandalimit të epidemisë në shkollë është e pandashme nga familjet e nxënësve. Në këtë drejtim, mësuesit kujdestarë të shkollës "Changqingshu" u dërgojnë çdo ditë letër prindërve, që të bashkërendohen me shkollën për kultivimin te nxënësit të zakoneve të mira të higjienës dhe të jetës, përfshirë larjen e duarve para dhe pas buke, të mosfolurit gjatë ngrënies etj.

Pas kalimit të provës së epidemisë, fëmijët në qytetin Wuhan, ashtu si të rriturit, kanë pasur ndryshime psikologjike pozitive, si për shembull, u kushtojnë më shumë rëndësi dashurisë familjare, jetës dhe jetesës. Njëkohësisht, ka edhe një pjesë të vogël fëmijësh që kanë humbur prindërit gjatë epidemisë. "Këta të fundit janë theksi i vëmendjes sonë. Për t'i ndihmuar këta fëmijë, ne bëjmë këshillim psikologjik një a dy herë në muaj në shkollat fillore dhe të mesme," tha drejtorja Wan. (Wang Lei)