种族主义---[zhǒng zú zhǔ yì]---Racizëm
Komunitetet e njerëzve me ngjyrë në ShBA janë prekur rëndë nga epidemia e COVID-19. Në disa pjesë të vendit, tre ndër katër të vdekur janë afroamerikanë.
Zyrtarët e shëndetësisë thonë se kushtet e jetesës, si numri i madh i banorëve që jetojnë në të njëjtin apartament dhe puna në vijën e parë, i ka vënë afroamerikanët para rreziqeve më të mëdha.
Në qytetet e mëdha, ku hapësira është shumë e kufizuar dhe çmimet e banesave të larta, racizmi sistemor dhe politikat shumëvjeçare diskriminuese i kanë vënë banorët me ngjyrë në gjendje të pafavorshme, duke i përkeqësuar gjërat.
Ruajtja e distancimit shoqëror në zonat e mbipopulluara urbane ka qenë e vështirë, veçanërisht për afroamerikanët, 75 % e të cilëve jetojnë në qytete.
Doktori Robert Fullilove, profesori i shkencave sociomjekësore në Universitetin e Kolumbias, shprehet:
“Ata merren me punë publike, prandaj kanë më shumë gjasa të preken nga virusi, dhe nuk kanë nivelin e duhur të kujdesit shëndetësor nëse sëmuren. Ata banojnë shpesh në shtëpi ku jetojnë tre breza së bashku, zakonisht të mbushura më shumë se ç'duhet.”
Afroamerikanët kanë afro tre herë më shumë mundësi të infektohen nga virusi sesa fqinjët e tyre të bardhë dhe afro dy herë më shumë mundësi të vdesin nga COVID-19.
Tanya Denise Fields u prek nga kjo sëmundje dhe, për shkak të pamundësisë së mbajtjes së distancimit fizik në apartamentin e saj në Nju-Jork, ia kaloi shpejt virusin tërë familjes.
“Kur filloi karantina, isha në shtëpi me 7 veta të tjerë, 6 fëmijët e partnerin tim. Nuk besoj se anglishtja ka fjalë për ta përshkruar si ndihesha,” thotë ajo.
Tanya banon dhe punon në një nga distriktet më të varfra të vendit. Ajo drejton një organizatë në Bronks që ndihmon gratë të përkujdesen për familjet e tyre, duke përfshirë mbjelljen e bimëve në një fermë urbane në qendrën e qytetit.
Por Fields thotë se ka edhe një arsye tjetër pse komuniteti i saj mund të preket më lehtë nga pandemia:
“Është racizmi dhe pasojat e racizmit. Stresi - dhe racizmi sigurisht është stresues - jeton në qelizat e trupit tënd dhe kjo traumë mund të trashëgohet te fëmijët. Ne habitemi pse të zinjtë janë ata që preken më shumë nga problemet e e shëndetit publik, por unë për vete nuk befasohem nga kjo.”
Nga kujdesi shëndetësor deri në strehim, nga kushtet e jetesës deri në mundësitë e punësimit, pabarazitë ekzistojnë te afroamerikanët në mbarë ShBA-në. (Fani)