南海---[nán hǎi]---Deti i Kinës Jugore

Më 26 gusht, Departamenti amerikan i Tregtisë shpalli sanksione ndaj 24 ndërmarrjeve kineze nën pretekstin se ato ishin përfshirë në ndërtimin e ishujve artificial në Detin e Kinës Jugore. Po atë ditë, ky departament vendosi të zbatojë politikën e "kufizimit të vizave" ndaj shumë shtetasve kinezë që morën pjesë në punën e ndërtimit të ishujve. Këto janë bëmat më të fundit të palës amerikane që ndërhyjnë në politikën e brendshme të Kinës, duke shkelur në mënyrë të hapur parimet e ligjeve dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kina ka baza të plota historike dhe ligjore për sovranitetin territorial në Detin e Kinës Jugore. Zhvillimi i punës së ndërtimit në territorin e vet është një çështje e brendshme e Kinës. Sipas të dhënave, prej majit të vitit 2015, Kina ka ndërtuar 5 fare në ishujt e Detit të Kinës Jugore, të cilat kanë ndihmuar procesin e lundrimit, kanë garantuar sigurinë e lundrimit e të peshkimit, kanë parandaluar fatkeqësitë detare etj. Para dy vitesh, Kina ndërtoi qendrat e vëzhgimit detar, observatorët meteorologjik në ishujt përkatës të Spratly-t, të cilat garantojnë sigurinë e lundrimit dhe jetën e banorëve në zonat bregdetare.

Në fakt, puna e ndërtimit në ishujt e vet është e drejtë normale e një vendi sovran sipas ligjit ndërkombëtar. Deklaratat e politikanëve amerikanë për të ashtuquajturin "intensifikim të gjendjes në zonën e Detit të Kinës Jugore" janë të pabaza. Në të kaluarën, ShBA-ja u zotua që të mos kishte një qëndrim në problemet e Detit të Kinës Jugore, por vitet e fundit ndërhyrja në punët e brendshme të Kinës është bërë modë e politikanëve amerikanë.

Sivjet, aviacioni ushtarak amerikan realizoi afro 3000 fluturime në Detin e Kinës Jugore. Kohët e fundit, me rritjen e krizës së brendshme në shoqërinë amerikane, problemi i Detit të Kinës Jugore është përdorur si një metodë e zhvendosjes së vëmendjes. Dërgimi i aeroplanmbajtësve amerikane në këtë rajon për manovra, inkurajimi i aleatëve të tij për pjesëmarrjen në të ashtuquajturat "aktivitete të lundrimit të lirë" etj., synojnë shtimin e tensioneve në këtë rajon nga politikanët amerikanë.

Megjithëse ekzistojnë divergjencat në problemet e sovranitetit terrorial të Detit të Kinës Jugore, synimi i paqes dhe bashkëpunimi janë bërë mendimet unanime nga vendet e këtij rajoni, të cilat përputhen me interesat e përbashkëta të palëve të ndryshme. Tani, nën përpjekjet e përbashkëta të vendeve në këtë rajon, situata e përgjithshme e Detit të Kinës Jugore është e qëndrueshme. Palët kanë arritur rezultate të vazhdueshme në diskutimin mbi "Parimet e Veprimeve në Detin e Kinës Jugore", që ka hyrë në fazën e dytë të shqyrtimit të përmbajtjes, duke shfaqur vendosmërinë e palëve të ndryshme për të formuar detin e paqes, të miqësisë dhe të bashkëpunimit.

Sipas vlerësimeve të CMG-së, sanksionet e ShBA-së nuk përbëjnë kërcënim për Kinën. Kina do të këmbëngulë te rruga e zhvillimit paqësor, por nuk do të pranojë asnjë veprim që dëmton sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të saj. (Xu Guang/Albana)