合作--- [hé zuò]---bashkëpunim

Të hënën u zhvillua nëpërmjet lidhjes me video takimi i tretë i liderëve të gjashtë vendeve që gjenden përgjatë rrjedhës së lumit Lancang-Mekong. Në këtë videokonferencë, kryeministri i Kinës Li Keqiang mbajti një fjalim, ku paraqiti propozimet lidhur me forcimin e bashkëpunimit në fushën e burimeve ujore, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar, thellimin e bashkëpunimit për zhvillimin e vazhdueshëm, forcimin e bashkëpunimit në fushën e përmirësimit të jetesës së banorëve dhe zhvillimin e konceptit të hapjes e të gjithëpërfshirjes, për të ndihmuar vendet përgjatë rrjedhës së Lancang-Mekongut të përballojnë siç duhet sfidat dhe të realizojnë zhvillimin e përbashkët. Pas takimit, u publikua Deklarata e Vientianës, ku u përfshinë propozimet e palës kineze dhe u shpall se do të forcohen marrëdhëniet e partneritetit të bashkëpunimit në fushën politike e të sigurisë, të ekonomisë e të zhvillimit të vazhdueshëm, në fushën shoqërore e kulturore, si edhe marrëdhëniet e partneritetit të sistemit të Bashkëpunimit Lancang-Mekong. Kjo deklaratë i jep energji të re bashkëpunimit të ardhshëm të vendeve të Lancang-Mekongut dhe përcakton drejtimin për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të këtyre vendeve pas epidemisë.

Sistemi i Bashkëpunimit Lancang-Mekong është një sistem i ri i bashkëpunimit nënrajonal që bazohet në parimin e konsultimeve, të ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët të rezultateve. Pas katër vjetëve të zhvillimit, ky sistem ka arritur rezultate të mira në fushat e bujqësisë, të pakësimit të varfërisë, të ndërtimit të infrastrukturës e të shfrytëzimit të burimeve ujore, duke sjellë dobi konkrete për popujt e vendeve të ndryshme.

Në krahasim me takimet e mëparshme, ky i tanishmi u zhvillua në një sfond të veçantë. Tani situata globale është e ndërlikuar dhe epidemia e koronavirusit të ri i ka dhënë goditje të rëndë ekonomisë botërore e rajonale. Vendet e Lancang-Mekongut kanë detyra të përbashkëta për përballimin e sfidave dhe realizimin e objektivave të zhvillimit. Jo shumë kohë më parë, udhëheqësi i Kinës Xi Jinping u ka propozuar vendeve të ndryshme që të përpiqen për të formuar një sistem më gjithëpërfshirës të qeverisjes globale, mekanizma shumëpalëshe më efektive dhe një bashkëpunim rajonal më aktiv. Në këtë takim, pala kineze paraqiti gjashtë propozime bashkëpunimi që janë shumë realiste e praktike dhe do të ndihmojnë në promovimin e thellimit të Bashkëpunimit Lancang-Mekong dhe krijimin e më shumë mundësive për zhvillimin rajonal dhe mirëqenien e njerëzve.

Përveç këtyre, në situatën e përhapjes së epidemisë, pala kineze propozon të ngrihet niveli i bashkëpunimit në fushën e shëndetit publik të vendeve përgjatë rrjedhës së Lancang-Mekong. Kina shpalli se, në kornizën e Fondit të Posaçëm të Bashkëpunimit Lancang-Mekong, do të krijohet fondi i posaçëm i shëndetit publik. Kina do të vazhdojë të ofrojë brenda mundësive të saj materiale kundër epidemisë dhe përkrahje teknike për vendet e Lancang-Mekongut dhe ka premtuar se, pas mbarimit të studimit dhe fillimit të përdorimit të vaksinës, do t’u japë përparësi këtyre vendeve. Këto masa tregojnë miqësinë e thellë midis Kinës e vendeve të tjera të rajonit Lancang-Mekong, dhe janë një veprim konkret për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të këtyre vendeve.

Si sistem i bashkëpunimit nënrajonal, Bashkëpunimi Lancang-Mekong është i hapur dhe gjithëpërfshirës. Në këtë videokonferencë, pala kineze përkrahu vendin qendror të ASEAN-it në bashkëpunimin e Azisë Lindore. Kina shpreson se Bashkëpunimi Lancang-Mekong do të ndihmojë në ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të ASEAN-it dhe do të thellojë marrëdhëniet e parneritetit strategjik Kinë-ASEAN. Njëkohësisht, do të diskutohet bashkëpunimi i palëve të treta me Japoninë, Korenë e Jugut dhe BE-në. Të tëra këto do të japin më shumë energji për zhvillimin e lulëzimin e këtij rajoni. Joseph Matthews, profesori i Universitetit Ndërkombëtar BELTEI të Kamboxhias, tha se Brezi i Zhvillimit Ekonomik të Lancang-Mekongut do të nxitë bashkëpunimin shumëpalësh brenda rajonit, një ekonomi tregu të lirë e të drejtë dhe një zhvillim gjithëpërfshirës e transparent. (Çang Çuo)