信心---[xìn xīn]---Besim

Ditët e fundit, banka qendrore kineze publikoi “Raportin e ndërkombëtarizimit të renminbi-së për vitin 2020”, ku vihet në dukje se në vitin 2019, përdorimi ndërkufitar i monedhës kineze renminbi u shtua shpejt. Këtë vit, me gjithë goditjen e epidemisë së koronavirusit të tipit të ri, përdorimi ndërkufitar i renminbi-së vazhdon të ruajë prirjen e shtimit. Është e dukshme që bashkësia ndërkombëtare ka besim në funksionimin e qëndrueshëm të ekonomisë kineze.

Në raportin e bankës qendrore kineze u publikuan një sërë të dhënash. Kështu, sipas raportit, në vitin 2019 vlera e transaksioneve ndërkufitare me renminbi arriti në 19.67 trilionë juanë, 24.1 % më shumë në krahasim me vitin 2018, duke shënuar rekord të ri historik. Tani renminbi-ja renditet në vendin e pestë ndër monedhat kryesore ndërkombëtare. Më se 70 banka qendrore në botë e kanë përfshirë renminbi-në në rezervën e tyre valutore.

Vlen të përmendet se vjet, investimet në letra me vlerë u bënë forca kryesore nxitëse për shtimin e përdorimit ndërkufitar të renminbi-së. Pasuritë në renminbi po mirëpriten nga investitorët ndërkombëtarë. Deri në fund të vitit 2019, vlera e aksioneve dhe e bonove në renminbi të zotëruara nga investitorët e huaj u shtua përkatësisht 82 % dhe 26.7 %.

Me kontrollin e epidemisë, Kina është vendi i parë që ka realizuar rimëkëmbjen ekonomike. Në tremujorin e dytë, ekonomia kineze u rrit 3.2 %. Gazeta e Hong-Kongut “Asia Times” njoftoi se banka qendrore kineze nuk ka nevojë të ngutshme për të lehtësuar politikën monetare, duke parashikuar se diferenca e normës së interesit midis Kinës e vendeve të tjera do të jetë e qëndrueshme në përgjithësi, madje do të zgjerohet, e kështu renminbi-ja do të qëndrojë e fortë.

Parashikohet se, me përmirësimin e mëtejshëm të politikës së përdorimit ndërkufitar të renminbi-së, më shumë vende, veçanërisht ato fqinje të Kinës dhe përgjatë “Një brez, një rrugë”, do të pranojnë pagesat me renminbi. Njëkohësisht, me hapjen e mëtejshme të tregut financiar kinez, blerja e pasurive në renminbi nga investitorët e huaj do të lehtësohet më tej. Tani në disa qytete kineze po eksperimentohet përdorimi i monedhës digjitale, zhvillimi i së cilës do t’i sjellë ndërkombëtarizimit të renminbi-së mundësi të reja. (Fani)