外交---[wài jiāo]---Diplomaci

“Pasuria dhe votat janë bërë logjika e vetme politike dhe shumë spekulatorë janë futur në qeveri. Tani në qarqet diplomatike të ShBA-së oportunistët janë në vendet kryesore, ndërsa profesionistët janë mënjanuar,” është shprehur Mark Brzezinski, djali i diplomatit të famshëm amerikan Zbigniew Brzezinski, në një intervistë për CMG-në. Këto fjalë zbulojnë të vërtetën e diplomacisë amerikane. Ndër këta oportunistë, Mike Pompeo pa dyshim është më famëkeqi.

Si kryediplomati amerikan që nuk ka pasur asnjë arritje, Pompeo ka shumë fytyra: fytyra e hedhjes baltë ndaj Kinës për epideminë në ShBA; fytyra e atij që pretendon se është shurdhmemec para protestave antiraciste dhe ndjek standard të dyfishtë me paragjykime ideologjike; fytyra që mban qëndrim të fortë ndaj Kinës për të zhvendosur divergjencat e brendshme në ShBA dhe për të marrë më shumë vota në zgjedhjet presidenciale. Pompeo është një politikan kameleon që, për të arritur ambicien e tij për t'u ngjitur në majën e pushtetit, në mënyrë të hapur ka shkelur përgjegjësitë diplomatike, imazhin e vendit dhe interesat e publikut.

Tani ambicia e Pompeos për postin presidencial është një "sekret i hapur", vëren CMG-ja në një koment të saj. Publiku ka vënë re që muajin e kaluar ai shkoi në shtetin e Ajovës për Samitin e Liderëve për Familjen, duke mbajtur fjalimin e rastit. Ajova është një shtet ku kreu i diplomacisë shkon shumë rrallë, por kandidati për president duhet të shkojë. Fjalimi i tij u vlerësua nga "Washington Post" si një bisedë e zbrazët politike që u shërben interesave personale.

Pse Pompeo mund të kapë një fuqi kaq të madhe me një reputacion kaq negativ? Një ish-diplomat amerikan tha në një intervistë për "New Yorker" se Pompeo është si një raketë që ka si objektiv të godasë nga pas liderin amerikan. Njerëzit kujtojnë që në vitin 2016, kur mori pjesë në zgjedhjet brenda Partisë Republikane, Pompeo e quajti liderin e tanishëm amerikan si tiran, mirëpo pasi u bë shefi i CIA-s, u bë tifozi më besnik i tij. Në rrugën e Pompeos drejt majës së pushtetit, fama dhe profesionalizmi i Departamentit të Shtetit janë rrënuar. “New York Times” ka publikuar një artikull, ku thuhet që Pompeo e ka dëmtuar reputacionin e Departamentit të Shtetit që është formuar me shërbime dhe sakrifica prej shekujsh, duke e turpëruar Departamentin e Shtetit.

Po të rishikojmë historinë, mund të vërejmë që diplomatët amerikanë janë politikanë që kanë integruar njohuritë profesionale me përvojën e pasur. Diplomatët amerikanë, me Henry Kissinger-in, Brent Scowcroft-in e Zbigniew Brzezinski-n si përfaqësues, kanë ndërtuar urat e bashkëpunimit mes ShBA-së dhe Kinës e botës. Por tani, politikanë si Pompeo, që janë dhënë pas interesit vetjak, jo vetëm kanë shkatërruar arritjet e brezave të vjetër, por edhe kanë ndërtuar muret që bllokojnë lidhjet me botën e jashtme. Për gjendjen e tanishme të diplomacisë amerikane, këta diplomatë vërtet të shquar patjetër që po psherëtijnë, përfundon komenti i CMG-së.