必要---[bì yào]---i domosdoshëm

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës shpalli më 10 gusht se që nga ajo ditë, do të vendosë sanksione ndaj 11 amerikanëve që kanë pasur sjellje keqdashëse mbi çështjet e Hong-Kongut. Ky është një reagim i vendosur i Kinës ndaj vendimit të ShBA-së për të vënë sanksione ndaj 11 zyrtarëve të qeverisë qendrore kineze dhe qeverisë së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. 11 me 11, kundërpërgjigjja e Kinës është e arsyeshme, e drejtë dhe e domosdoshme, duke lëshuar sinjalin që, pavarësisht se çfarë kërcënimesh bëjnë Shtetet e Bashkuara, Kina do të ruajë në mënyrë të vendosur sovranitetin dhe dinjitetin e vet kombëtar.

Në listën e të sanksionuarve nga Kina ka disa kongresmenë amerikanë dhe disa drejtues organizatash joqeveritare amerikane që prej kohësh kanë ndërhyrë në çështjet e Hong-Kongut, kanë përbaltur parimin “Një vend, dy sisteme” dhe kanë shprehur mbështetje për radikalët e dhunshëm, duke dëmtuar lulëzimin dhe stabilitetin në Hong-Kong. P. sh., senatori Marco Rubio është nismëtari i “Projektligjit mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong”, senatorët Ted Cruz dhe Josh Hawley “i kanë hedhur benzinë zjarrit” pa ngurrim mbi çështjet e Hong-Kongut, duke zbukuruar dhunën dhe duke brohoritur radikalët. Fondacioni NED, me financim kryesisht nga qeveria amerikane, prej vitesh u ka ofruar mbështetje materiale dhe përkrahje në organizim e planifikim radikalëve që kanë shkaktuar dhunë në Hong-Kong. Është vërtet “një dorë e zezë” që trazon Hong-Kongun.

Këtë herë, vendosja e sanksioneve nga Kina ndaj këtyre individëve amerikanë ka treguar qartë se, lidhur me problemet me interes thelbësor, Kina do të luftojë deri në fund dhe nuk do të bëjë asnjë lëshim. Askush nuk duhet të ëndrrojë se mund ta detyrojë Kinën të pranojë diçka që dëmton interesat e saj.

Kundërpërgjigjja e Kinës është një masë e drejtë dhe e domosdoshme, që mbron demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Hartimi i ligjeve për sigurinë kombëtare është e drejta e çdo vendi. Ligji për sigurinë kombëtare në Hong-Kong ka krijuar dhe ka përmirësuar sistemin ligjor dhe mekanizmin zbatues në Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe ky është hapi kyç për ruajtjen e rendit në Hong-Kong.

Në ShBA, ka mbi 20 ligje dhe rregullore për sigurinë kombëtare, por disa politikanë amerikanë po sulmojnë ligjin e sigurisë kombëtare në Hong-Kong në mënyrë të egër, madje kanë vënë sanksione ndaj drejtuesve dhe zyrtarëve të institucioneve të Kinës që merren me çështjet e Hong-Kongut. Ky është standardi i dyfishtë dhe ka dëmtuar rëndë ligjin ndërkombëtar dhe normat e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Përpara mirëpritjes dhe mbështetjes së përgjithshme nga qytetarët hongkongas të ligjit të sigurisë kombëtare, përpara prirjes së ristabilizimit të Hong-Kongut, disa politikanë amerikanë duhet të zgjohen nga ëndrra që lufta kundër Kinës do ta ndihmojë ShBA-në dhe do t'u sjellë atyre përfitime politike. Ajo çfarë kanë bërë ata në fakt është kundër opinionit publik dhe prirjes botërore. Nëse nuk heqin dorë në kohë, me siguri do të dështojnë përsëri.