敌国---[dí guó]---Vend armik

Në çdo fazë historike, ShBA-së i nevojitet një vend armik nr. 1. Ndonjëherë për ta zëvendësuar këtë vend me një vend tjetër duhen dhjetëra vjet, ose edhe një shekull. Ky vend armik nuk përcaktohet zakonisht nga populli amerikan, por nga një grup i vogël konspirativ brenda ShBA-së. Në disa rrethana, vendi armik nr. 1 duhet të vendoset më në fund nga një person i rëndësishëm. Mediat amerikane dhe disa platforma publike që e miratojnë këtë gjykim politik, e propogandojnë edhe më tej atë, dhe i ashtuquajturi vend armik nr. 1 do të duket më kërcënues.

Amerikanët që e kanë parë ish-Bashkimin Sovjetik ose Rusinë si armikun më të madh qysh nga mosha e adoleshencës, duhet ta ndryshojnë konceptin e tyre. Tani, në syrin e amerikanëve, ose më saktë, për disa amerikanë me ndikim, ka lindur një vend i ri kryearmik. Konfliktet konkrete (si dhe në opinionin publik) mes ShBA-së dhe Republikës Popullore të Kinës, i kanë eklipsuar ato me "Perandorinë e së keqes" të dikurshme, Rusinë, jo vetëm në numër, por edhe në intensitet. Si rezultat, disa politikanë amerikanë dhe strategë të NATO-s kanë rifilluar të përmendin konceptin historik të "rrezikut të verdhë", teoria e nacionalizmit ekstrem në shekullin e 19-të që propagandon kërcënimin e njerëzve të "racës së verdhë" ndaj "të bardhëve".

Për këta persona, Kina është më e rrezikshme se Rusia, për shkak të aftësisë ekonomike të forcuar dita-ditës dhe arritjeve të shumta diplomatike të Republikës Popullore të Kinës.

Në të njëjtën kohë, në shoqërinë amerikane, më shumë njerëz po vënë në dyshim fjalët e qeverisë amerikane që synojnë shkarkimin e përgjegjësisë nga vetja. Edhe disa politikanë amerikanë kanë paraqitur dyshimet e tyre. Ka shumë prova që tregojnë se disa persona përpiqen të mbulojnë gabimet e veta dhe të transferojnë vëmendjen e publikut; ose të vendosin pengesa ndaj Kinës. Emërimi i virusit të COVID-19 si "virusi kinez", trillimi i së ashtuquajturës "çështje spiunazhi" lidhur me Huawei-n, kritikat e kohëve të fundit ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme të Kinës etj., janë masa të dukshme për të formuar imazhin e një vendi armik. Por kjo levë politike nuk mund të përdoret në mënyrë aq të thjeshtë si në të kaluarën.

Për një grup të vogël amerikanësh, Kina mund të jetë vendi armik nr. 1 i tyre. Por shumica e amerikanëve nuk e pranojnë këtë mashtrim të dukshëm politik. Amerikanët e zakonshëm u kushtojnë vëmendje të madhe çështjeve të tjera. Ata shpresojnë për një ShBA të fuqishme, por nuk interesohen për gjetjen e një vendi armik, gjë që nuk do t'i ndihmonte për blerjen e mallrave të pëlqyera dhe zgjidhjen e problemeve urgjente. Në të njëjtën kohë, popujt në rajonet e tjera të botës i kushtojnë vëmendje më të madhe krijimit të një bote shumëpolare të përparuar e bashkëpunuese, dhe nuk kanë interes për rikthim në Luftën e Ftohtë. (Xu Guang)