博览会---[bó lǎn huì]---Ekspozitë

Më 27 korrik mbetën edhe 100 ditë nga hapja e Ekspozitës së 3-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE). Punët e ndryshme përgatitore për këtë ekspozitë po zhvillohen në mënyrë të rregullt. Deri tani, numri i ndërmarrjeve udhëheqëse në industritë përkatëse dhe i atyre të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore globale të revistës "Fortune", që kanë vendosur të marrin pjesë në këtë edicion, është më i madh se në dy edicionet e kaluara.

Sipërfaqja e planifikuar për ndërmarrjet në edicionin e 3-të të CIIE-së arrin në 360 mijë metra katrore, duke u shtuar 20 % në krahasim me ekspozitën e vitit të kaluar. Në këtë edicion do të ketë gjashtë zona kryesore ekspozimi, që përfshijnë produktet bujqësore, automjetet, pajisjet teknologjike, mallrat e konsumit, pajisjet e produktet mjekësore dhe tregtinë e shërbimeve. Gjithashtu ekspozita e sivjetshme do të ketë edhe katër zona të reja: shëndeti publik dhe parandalimi epidemik, kursimi i energjisë dhe mbrojtja e mjedisit, udhëtimi inteligjent dhe mallrat sportive. Deri tani, sipërfaqja e zonave të ekspozimit të mallrave të konsumit, të produkteve mjekësore dhe tregtisë së shërbimeve të kontraktuara nga ndërmarrjet, e ka kaluar sipërfaqen e planifikuar, ndërsa zona e kontraktuar për ekspozimin e automjeteve po i afrohet kufirit të përcaktuar. Kompanitë e ndryshme nga e gjithë bota po bëjnë përpjekje aktive për të marrë pjesë në këtë ekspozitë. Zv.drejtori i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës Sun Chenghai bën të ditur:
"Në zonën e ekspozimit të pajisjeve e produkteve mjekësore do të marrin pjesë 90 % e ndërmarrjeve përkatëse të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore të botës, si edhe 70 % e 30 kompanive kryesore të kësaj fushe. Edhe shumë ndërmarrje udhëheqëse në industrinë e përpunimit të qumështit, të produkteve të konsumit të nivelit të lartë , të automjeteve dhe të produkteve të lidhura ngushtë me jetën e banorëve do të marrin pjesë në këtë ekspozitë. Këto ndërmarrje po ashtu do ta zgjerojnë sipërfaqjen e zonave të ekspozimit të tyre. Për shembull, ndërmarrjet e përfshira në listën e 500 kompanive kryesore të botës e shtuan sipërfaqen e zonave të tyre mesatarisht me 14 % në krahasim me ekspozitën e vitit të kaluar."

Sivjet kompania e teknologjisë së lartë "Fosun" do të paraqitë produkte të shkëlqyeshme në zonën e cilësisë së jetës. Përfaqësuesi i kompanisë "Fosun" Shi Jie shprehet:

"Sapo kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me markën italiane të bizhuterive 'Damiani', me markën izraelite të kozmetikës AHAVA, që i prodhon produktet e saj me përbërës me bazë mineralesh nga Deti i Vdekur, si edhe me agjencinë turistike globale 'Thomas Cook'. Këto marka të njohura globale në fushën e bizhuterive, kozmetikës dhe turizmit mund të formojnë një 'udhëtim të lumtur rreth botës'."

Në një mbledhje të ndërmarrjeve pjesëmarrëse në këtë ekspozitë të dielën, 35 prej tyre nënshkruan një memorandum pjesëmarrjeje afatgjatë me kohëzgjatje trevjeçare. Këto ndërmarrje të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore globale synojnë bashkëpunim afatgjatë me CIIE-në, duke shfaqur besimin e tyre të fortë te tregu kinez. Presidenti i degës së Grupit "L’Oréal" në Kinë Fabrice Megarbane tha:

"'L'Oréal' do të marrë pjesë për herë të tretë në CIIE. Kemi dëshmuar suksesin shumë të madh të dy ekspozitave të kaluara dhe kemi përfituar gjithashtu shumë. Megjithëse ky është një vit i veçantë, ne e ndiejmë thellësisht se organizatorët e CIIE-së dhe organet përkatëse të qeverisë kineze kanë besim dhe vendosmëri për të zhvilluar një edicion edhe më të suksesshëm. Besojmë se në mjedisin e tanishëm të tregtisë botërore, hapja, ndarja e përbashkët dhe bashkëpunimi i mëtejshëm janë bërë dhe më të rëndësishme." (Xu Guang)