企图---[qǐ tú]---Pretendim

Ditët e fundit, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo është përpjekur ta zmadhojë seriozitetin e situatës në Detin e Kinës Jugore dhe të provokojë marrëdhëniet e Kinës me vendet e rajonlt, duke i quajtur si "të paligjshme" kërkesat e Kinës lidhur me ujërat përkatëse. Ndërkohë, avionët dhe anijet luftarake amerikane kanë bërë provokime të herëpashershme në këtë rajon. Lidhur me këto, Grupi Mediatik i Kinës botoi një koment, duke kritikuar veprimet qëllimkëqija të politikanëve amerikanë si Pompeo.

"Me shkallëzimin e tensioneve në marrëdhëniet dypalëshe, politikanë si Pompeo përpiqen ta sulmojnë Kinën nëpërmjet prishjes së paqes dhe të qëndrueshmërisë në Detin e Kinës Jugore, duke shkelur premtimet e mëparshme për të mos mbajtur qëndrim të njëanshëm mbi çështjen e sovranitetit në këtë rajon. Ata që po bëjnë çmos për të shkaktuar kundërvënie në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke humbur arsyen, moralin dhe besueshmërinë", thuhet në koment.

ShBA-ja nuk është vend rajonal i Detit të Kinës Jugore, as palë e mosmarrëveshjeve. Por, kur Kina dhe ASEAN-i po shpejtojnë konsultimet mbi "Kodin e sjelljes në Detin e Kinës Jugore", politikanët amerikanë si Pompeo po i nxisin vendet e tjera të rajonit të luftojnë kundër Kinës për të realizuar strategjinë e tij për frenimin e zhvillimit të Kinës. "Natyrisht, zmadhimi i tensioneve krijon edhe mundësinë e shitjes së armëve amerikane vendeve të rajonit", vihet në dukje në komentin e CMG-së.
Kina është e para në histori që gjeti, emërtoi dhe shfrytëzoi ishujt dhe ujërat në Detin e Kinës Jugore, dhe e para që ushtroi të drejtat e sovranitetit dhe të kontrollit në këtë rajon. Në vitin 1948, qeveria kineze publikoi "vijën e pikëzuar" dhe për një kohë të gjatë asnjë vend nuk paraqiti kundërshtim. Të gjitha këto vërtetojnë se Kina ka mbështetje të fortë historike e ligjore për sovranitetin dhe interesat në Detin e Kinës Jugore, në përputhje me Kartën e OKB-së, Konventën mbi Ligjin Detar dhe rregulla të tjera ndërkombëtare.

Me përpjekjet e përbashkëta të Kinës dhe vendeve të ASEAN-it, situata në Detin e Kinës Jugore po shkon drejt përmirësimit. "Kodi i sjelljes në Detin e Kinës Jugore" ka hyrë në raundin e dytë të shqyrtimit, gjë që pasqyron vullnetin e vendosur të vendeve përkatëse për ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë rajonale. Ditët e fundit, kryediplomati filipinas Teodoro Locsin theksoi në një telefonatë me homologun kinez Wang Yi se vendi i tij është i gatshëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet bisedimeve paqësore dhe nxitjes së bashkëpunimit detar. Sipas komentit të CMG-së, kjo vërteton se provokimi i palës amerikane është në kundërshtim me dëshirën e vendeve të rajonit për zhvillim të përbashkët.

"Kina dhe vendet e ASEAN-it kanë aftësinë dhe mençurinë për zgjidhjen e problemeve të veta, dhe nuk kanë nevojë e nuk do të lejojnë asnjë vend jashtë rajonit të ndërhyjë. Ne i këshillojmë politikanët amerikanë t'i kursejnë energjitë e tyre për betejën antiepidemike, duke ndaluar sa më parë provokimet ndaj komunitetit ndërkombëtar. Historia do të dëshmojë se pretendimet e Pompeos dhe të tjerëve si ai, mbi Detin e Kinës Jugore, do të dështojnë", përfundon komenti.