收入---[shōurù]---të ardhura

Në tremujorin e dytë të këtij viti, ndërmarrjet shtetërore qendrore kineze shpejtuan normalizimin e punës e të prodhimit dhe në qershor realizuan rritje të të ardhurave e fitimeve të tyre, bëri të ditur Peng Huagang, zëdhënësi i Komisionit të Mbikëqyrjes së Pasurive Shtetërore pranë Këshillit të Shtetit të Kinës.

Sipas Peng-ut, kjo është rezultat i rifillimit të punës në ndërmarrjet qendrore, me parakushtin e parandalimit e të kontrollit si duhet të gjendjes epidemike.
“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ndërmarrjet shtetërore qendrore realizuan të ardhura operacionale me një vlerë 13.4 trilionë juanë. Megjithëse kjo shifër u ul 7.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ulja ishte 4 pikë përqindjeje më e vogël në krahasim me tremujorin e parë dhe kjo prirje është ruajtur për tre muaj me radhë. Në qershor ndërmarrjet qendrore realizuan 2.9 trilionë juanë të ardhura operacionale, 0.6 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon se pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve po rimëkëmben dhe madje po e kalojnë nivelin e së njëjtës periudhë të vjetshme. Ndërkohë, këto ndërmarrje realizuan 166 miliardë e 480 milionë juanë fitime neto, 5 për qind më shumë se në qershorin e vjetshëm. Kjo është hera e parë këtë vit që ndërmarrjet qendrore realizojnë rritje të fitimeve neto,” bëri të ditur zëdhënësi.

Njoftohet se në gjysmën e parë të këtij viti, ndërmarrjet shtetërore qendrore zbatuan seriozisht politikat për uljen e çmimit të energjisë elektrike, të gazit, të telekomunikacionit, të transportit e të qirave, duke pakësuar koston e mbarë shoqërisë në një vlerë prej mbi 120 miliardë juanësh. Ato kanë dhënë kontribut edhe për uljen e kostos të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme gjatë gjendjes epidemike.

Zëdhënësi Peng tha gjithashtu se në gjashtëmujorin e dytë ndërmarrjet qendrore do të marrin më shumë masa për të siguruar rritjen e përfitimeve të përgjithshme, si mbrojtja e sigurisë së zinxhirit të furnizimit, zbatimi i mëtejshëm i reformës, nxitja e novacionit teknologjik, përmirësimi i strukturës së kapitaleve shtetërore, parandalimi i rreziqeve të mëdha etj. (Wang Lei)