脱钩---[tuō gōu]---Shkëputje

Pas zhvillimit prej disa dekadash, marrëdhëniet kino-amerikane, marrëdhëniet dypalëshe botërore më të ndërlikuara dhe më të rëndësishme, po përballen me sfida të mëdha. Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës botoi ditët e fundit një koment, sipas të cilit për zgjidhjen e problemeve të tanishme, duhen metoda të reja.

Sipas komentit, deklaratat e herëpashershme të presidentit amerikan Donald Trump për "shkëputjen" me Kinën kanë ngjallur shqetësime në shkallë të gjerë. Por, ndërkohë ekzistojnë edhe mosmarrëveshje ndërmjet vetë autoriteteve amerikane. Për shembull, Përfaqësuesi Tregtar Robert Lighthizer, i njohur për qëndrimet e forta në bisedimet tregtare me vendet e tjera, është kundër "shkëputjes së plotë" me Kinën. Ai u shpreh në një dëgjesë të Dhomës së Përfaqësuesve të mbajtur në qershor se nuk është realiste që ShBA-ja të shkëpusë të gjitha lidhjet me Kinën.

Por, megjithëse është jorealiste, përse autoritetet amerikane prapë e kërkojnë “shkëputjen”? Sipas njoftimeve të agjencisë së lajmeve “Reuters”, ekipi zgjedhor i Trump-it, për të siguruar rizgjedhjen e tij si president, e ka përcaktuar "ashpërsinë ndaj Kinës" si boshtin e taktikës së vet, gjë që mund të quhet një “bixhoz politik” në periudhën parazgjedhore. Faktikisht, në çdo fushatë presidenciale amerikane, luajtja e "kartës së Kinës" është një metodë rutinë. Ish-ambasadori amerikan në Kinë Jon Huntsman ka thënë një herë se në fazën fillestare zgjedhore, "mënyra që siguron fitoren është ekstremizmi, dhe sulmimi i Kinës është gjëja më e lehtë". Por ai që zgjidhet në fund president, pavarësisht nga cila parti, duhet t'i shikojë marrëdhëniet me Kinën si një çështje të rëndësishme e të ndërlikuar, duke i trajtuar këto marrëdhënie me realizëm.
Për studiuesin e Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme të ShBA-së Edward Alden, propozimi lidhur me “shkëputjen e plotë” është një "përsëritje e trajtimit prej Uashingtonit të marrëdhënieve ekonomike me ish-Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë". Aldeni shkroi në një artikull se, në kohën e Luftës së Ftohtë, aleatët perëndimorë mundën ta anashkalonin Komisionin e Kontrollit të Eksportit të ShBA-së. Tani lidhur Kinën, kufizimet e ShBA-së do të hasin "barriera pothuaj të pakapërcyeshme", sepse shumica e ndërmarrjeve perëndimore ka "varësi të vazhdueshme te zinxhiri i furnizimit i Kinës". Shifrat nga grupi i studimit të politikave "MacroPolo" pranë Institutit “Paulson” tregojnë se lufta tregtare nuk e ka pakësuar, por përkundrazi, e ka shtuar varësinë e ndërmarrjeve amerikane nga Kina. Kështu, në vitin 2017, 46 % e furnizuesve të “Apple”-it ishin nga Kina, por në vitin 2019, kjo shifër u ngrit në 47.9 %. Sipas vlerësimeve të “Citigroup”-it, duke marrë parasysh problemet si infrastruktura e mjedisi ekologjik industrial, ka shumë pak mundësi që të zhvendoset i gjithë zinxhiri i furnizimit nga Kina në fushat me vlerë të shtuar të madhe, si smartfonat, automjetet, Interneti i Gjërave etj.
Ndërkohë, Derek Scissors-i nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes (AEI) është i mendimit se pengesa më e madhe për shkëputjen mes Kinës e ShBA-së është marrëveshja ekonomiko-tregtare e fazës së parë, sepse ky dokument është në kundërshtim me shkëputjen dhe tregon që "të dyja këto gjëra nuk mund të bashkekzistojnë".

Atëherë, si mund të zgjidhen problemet e reja në zhvillimin e marrëdhënieve kino-amerikane? Anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi ka shtjelluar qartë propozimet e palës kineze në një videokonferencë të instituteve të studimit të politikave të Kinës e ShBA-së. Z. Wang kërkoi rigjallërimin dhe hapjen e të gjitha kanaleve të dialogut, zhvillimin e bashkëpunimit në sa më shumë fusha, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mënjanimin e vënien nën kontroll të disa problemeve mbi të cilat është e vështirë arritja e konsensusit. Në këtë videokonferencë, kreu i diplomacisë së Kinës ritheksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit antiepidemik kino-amerikan.