投资---[tóu zī]---investim

 

Sivjet Kina ka zvogëluar më tej listën negative për investimet e huaja në tregun kinez, duke e pakësuar në 33 pika, nga 40 në vitin 2019. Kjo listë e re do të hyjë në fuqi më 23 korrik. Kjo do të thotë që investimet e huaja në Kinë do të zgjerohen më tej.

 

Gazeta franceze “La Tribune” ka dhënë një shembull të thjeshtë: në sektorin e financave, një ent i huaj mund të zotërojë plotësisht një kompani sigurimesh ose letrash me vlerë. Në të kaluarën, niveli i zotërimit të aksioneve nuk mund të kalonte mbi 50 %.

 

Pas shpërthimit të epidemisë, niveli i liberalizimit të investimeve në shumë vende është tkurrur, por Kina e ka shtuar hapjen lidhur me investimet e huaja. Kjo tregon vullnetin e vendosur të Kinës për nxitjen e liberalizimit të investimeve dhe shpjegon përse “oreksi i investitorëve të huaj për tregun kinez nuk është ulur”, siç thuhet në gazetën franceze “Les Échos”.

 

Sipas sondazhit nga kompania amerikane “Rhodium Group”, në pesë muajt e parë të 2020-s, investimet e huaja në Kinë arritën vlerën e 9 miliardë dollarëve, duke kaluar për herë të parë në dekadën e fundit vëllimin e investimeve kineze jashtë vendit.

 

Sipas gazetës “Les Échos”, shumë ndërmarrje të huaja janë inkurajuar nga politikat e Kinës për lehtësimin e hyrjes dhe pakësimin e kufizimeve, duke shtuar nivelin e investimeve. Grupi gjerman “Volkswagen” ka bërë investime në kompaninë kineze “Jianghuai Automotive” të Anhuit, duke marrë të drejtën e menaxhimit të përbashkët. Ndërsa “JP Morgan” është bërë kompania e parë me investime plotësisht të huaja në Kinë që merret me kontratat me zbatim të ardhshëm.

 

Këtë vit epidemia e COVID-19 ka sjellë goditje të rëndë për investimet ndërkombëtare. Sipas “Raportit botëror të investimeve 2020” të OKB-së, sivjet vlera e investimeve të huaja parashikohet të pakësohet nën 1 trilion dollarë amerikanë, 40 % më pak se në 2019-n, që është më i ulët në 15 vjetët e fundit.

 

Në këto kushte, Kina ka rritur në mënyrë të vendosur nivelin e hapjes ndaj investimeve të huaja. Kjo jo vetëm ka ruajtur fuqinë tërheqëse për këto investime, por edhe ka mbështetur liberalizimin e investimeve dhe mëkëmbjen e tregtisë globale.

(Jiang Lei)