安全---[ān quán]---siguri


Me publikimin dhe zbatimin e Ligjit   për Mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong, në këtë rajon mbaroi më në fund   gjendja e mosmbrojtjes së sigurisë kombëtare, që kishte vazhduar për një kohë të   gjatë. Kjo shënon një kthesë historike nga trazirat te rregulli. Në një koment   të Grupit Mediatik të Kinës vihet në dukje se Hong-Kongu, që quhet “Perla e   Lindjes”, po ndriçon përsëri.

Siguria kombëtare, stabiliteti shoqëror dhe   rendi ligjor janë parakushtet e zhvillimit të Hong-Kongut. Para kësaj, në këtë   rajon mungonte një ligj për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe si pasojë, qeveria   hongkongase dukej e dobët në përballimin e veprimeve që dëmtonin seriozisht   sigurinë kombëtare. Veçanërisht gjatë “stuhisë” së vitit të kaluar rreth   rishikimit të Rregullores për të Arratisurit, sundimi i ligjit në Hong-Kong u   shkel brutalisht dhe rendi publik në rajon u përkeqësua nga elementët e dhunshëm   dhe ata që kërkonin pavarësinë e Hong-Kongut. Edhe liria personale dhe siguria e   jetës u kërcënuan. Prestigji ndërkombëtar i Hong-Kongut u dëmtua   seriozisht.
Situata e turbullt gjatë vitit të kaluar tregoi plotësisht se,   nëse siguria kombëtare nuk mbrohet dhe sundimi i ligjit nuk përmirësohet, nuk   flitet për lulëzimin e stabilitetin e Hong-Kongut. Kyçi i mbrojtjes së sigurisë   kombëtare në Hong-Kong është qeverisja e Hong-Kongut sipas ligjit.
Hartimi   dhe publikimi i Ligjit të Mbrojtjes së Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong janë   shpresa e të gjithëve. Ky ligj, duke u nisur nga kërkesat dhe aspiratat e pjesës   dërrmuese të banorëve në Kong-Kong, në bazë të parimit “Një vend, dy sisteme”,   garanton mbrojtjen themelore të sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe   sigurisë personale. Ai jep garanci të fuqishme edhe për bazën e sundimit të   ligjit në këtë rajon.
Gjallëria e ligjit bazohet në zbatimin e tij. Mekanizmi   i fuqishëm i zbatimit është kyçi për luajtjen e rolit të Ligjit për Mbrojtjen e   Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong. Pas miratimit të këtij ligji, qeveria e rajonit   të posaçëm dhe sektorët përkatës shprehën qëndrimin përkrahës për këtë ligj dhe   gatishmërinë për kryerjen e detyrave për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.
Pas   fillimit të zbatimit të ligjit, protestuesit u mblodhën në qendrën e Hong-Kongut   në mënyrë të paligjshme, pa përfillur kundërshtimin e policisë. Me këtë rast,   policia e Hong-Kongut zbatoi ligjin në mënyrë të prerë dhe arrestoi 370   protestues, 10 prej të cilëve dyshohen për shkeljen e Ligjit të Mbrojtjes së   Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong. Një turmë e dhunshme që plagosi punonjës   policie u orvat të arratisej po atë natë, por u arrestua nga policia në   aeroport, gjë që gjeti përkrahje nga hongkongasit.
Besojmë se Ligji për   Mbrojtjen e Sigurisë Kombëtare në Hong-Kong do të bëhet “engëll mbrojtës” për   zhvillimin e këtij rajoni, e mbyll komentin Grupi Mediatik i   Kinës.