Prindërit janë njerëzit më të rëndësishëm në jetën e secilit prej nesh. Ata janë udhëtarë të rrugëtimit tonë. E tillë është edhe Brunilda Qeleposhi me profesion estetiste, por që rezervon kohë gjithnjë për fëmijët e saj edhe për familjen.
Brunilda po përfundon studimet në degën e “Menaxhim Biznesit”, në Tiranë.
Për Brunildën familja është një fole e bukur. Ajo na tregon se gjithmonë ka ëndërruar ndërtimin e një familjeje të bukur, me ngjyra, ndoshta në shtëpi të vogël, por me shumë dashuri në të. Brunilda arriti të realizonte ëndrrën e saj, që e quan fitore.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Brunilda ndan mesazhe edhe për nënat e reja, të cilat e shohin prindërimin si sfidë.
CMG: Cila është dëshira më e madhe për fëmijët e tu?
Brunilda Qeleposhi: Për mua primare është që fëmijët e mi mos të humbasin arsyen dhe dëshirën për të jetuar. Është shumë e rëndësishme që humanizmi, i cili sot po humbet nga njëra ditë në tjetrën, tek ata të jetë gur themeli. Respekti duhet të jetë kryesor për të tjerët, por mbi të gjitha për veten. Lumturia e tyre është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
CMG: Fjala “Nënë”... si e shpjegon?
Brunilda Qeleposhi: Fjala nënë është gjithçka. Nuk besoj që sot është dikush që ja gjen defenicionin plotësisht siç duhet. Nëna është dashuri, respekt dhe gjithçka që lidhet me jetën. Është hyjnore të jesh nënë. Nëna është sakrifica dhe zemra e familjes. Ne të gjitha bashkë kemi fuqinë për ta bërë botën më të bukur.
CMG: Çfarë ka ndodhur me jetën tuaj, kur u bëtë nënë?
Brunilda Qeleposhi: Jeta është rrugëtim dhe për dikë vjen në një formë dhe ndryshe për dikë tjetër. E sigurt është që për të gjithë ndryshon njësoj dhe shumë më shumë nga sa mund të jemi mësuar, ndoshta pa obligime në jetët tona. Njeriu fillon dhe merr përgjegjësi për të cilat më pas duhet të jetë përgjegjës.
Lumturia që ata më kanë sjellë në jetën time i tjekalon të gjitha sfidat. Jeta ka ndryshuar, por duhet të them që ndihmë shumë e madhe për mua ka qënë edhe bashkëshorti, i cili është kujdesur për fëmijët kur unë kam pasur nëvojë për kohën time.
CMG: Çfarë duhet t’i themi nënave të reja si mesazh?
Brunilda Qeleposhi: Nënat duhet të jenë të kujdeshme për të bërë një menaxhim të kohës së tyre dhe kohës që vetë fëmijët duhet të kenë. Kam vënë re që shumë nëna pasi lindin e harrojnë jetën e tyre dhe përkushtohen totalisht tek fëmijët. Kjo është e gabuar. Nuk duhet të lënë pas as jetën profesionale, sepse ajo është e rëndëishme për të gjithë familjen. Gjithashtu unë do të doja që vajzat e reja të sillnin në jetë një fëmijë, pasi shoh që po tërhiqen nga sifda e të qenit nënë.
Fëmija të shton gëzimin dhe jo përgjegjësinë.
CMG: Si ka qënë për ju momenti kur u bëtë nënë?
Brunida Qeleposhi: Nuk do të mund ta shpjegoja dot thjesht. Mund të them që ai moment është për t'u jetuar nga të gjitha gratë dhe vajzat .
CMG: Cilat kanë qënë sfidat më të mëdha që keni pasur?
Brunilda Qeleposhi: Rritja e fëmijëve është sfidë, pastaj është jeta ime dhe e partnerit dhe gjithçka që duhet të bëjmë për të jetuar. Por, kam kuptuar që vetëm forca e fëmijëve ka mjaftuar që unë të përballoj çdo sfidë në jetë.
CMG: A e projektoni jetën e fëmijëve tuaj?
Brunilda Qeleposhi: Po. Kuptohet që unë shumicën e kohës mendoj si ata të jenë më të angazhuar për një jetë më të kompletuar. Të dy fëmijët i dërgoj në disa kurse, kjo ju ka dhënë atyre më shumë hapësirë për veten dhe për të qëndruar të integruar në shoqëri. Do t’ua sugjeroja të gjithë prindërve që përpos kurseve ku fëmijët mësojnë, ata duhet të ndjekin edhe aktivitete argëtuese. Fundjava është e familjes.
CMG: A është njësoj prindërimi si për burrin edhe për gruan?
Brunilda Qeleposhi: Unë mendoj se po. Partneri im në jetë ka të njëjtën përgjegjësi si unë dhe jam shumë e lutmur që ai më ka ndihmuar. Nga ana tjetër, një ndihmë shumë e madhe për mua kanë qënë nënat e mia. Ato kanë qëndruar gjatë me dy fëmijët e mi, sepse unë kurrë nuk kam hequr dorë nga karriera dhe profesioni im. Për një jetë familjare të shëndetshme duhet balanca në familje. Ky është mesazhi im. Faleminderit!
Intervistoi: Megi Latifi