Nëse jeni adhurues i basketbollit, patjetër e njihni “NBA-në”, ligën profesioniste të basketbollit në ShBA. Por në provincën Guizhou të Kinës Jugperëndiore, basketbolli që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes bujqve vendorë, të cilët madje organizojnë edhe ndeshje të rregullta, aktiviteti i tyre ka fituar një emër përkëdhelës si “FBA” (Shoqata e Basketbollit Fshatar).

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Fshati Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)


Në çdo fillim gushti banorët e fshatit Taipan të distriktit Taijiang të Prefekturës Qiandongnan të provincës Guizhou mblidhen për të ndjekur një sërë ndeshjesh basketbolli, sepse prej tyre, do të dalë ekipi që përfaqëson fshatin për të marrë pjesë në ndeshjet e prefekturës, ose “FBA”-së. Gjatë zhvillimit katërditor të FBA-së së prefekturës, do të marrin pjesë 16 skuadra, të cilat do të konkurrojnë në katër grupe dhe pas 27 ndeshjeve, do të dalë kampioni zonal. Në krahasim me ndeshjet profesioniste të basketbollit, FBA-ja ka standarde të veçanta. Për shembull, të gjithë lojtarët duhet të jenë bujq, fushat sportive duhet të zhvillohen në mjedis të hapur, biletat nuk duhet të shiten dhe duhet të jenë falas për të gjithë banorët e fshatit.

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Ndeshje e basketbollit, Taipan, provincë Guizhou(Foto:CMG)

Ndeshjet janë aq tërheqëse dhe të njohura sa që ata që nuk mund të shkojnë në terren, mund t’i shijojnë në platforma elektronike përmes transmetimeve të drejtpërdrejta. Gjëja më interesante është se për shkak se shumë spektatorë janë nga kombësia Miao, “prezantuesit” e ndeshjeve të transmetimeve online duhet të flasin në të njëjtën kohë, gjuhën standarde kineze dhe atë të banorëve Miao. Organizimi masiv dhe atmosfera aq e nxehtë e ndeshjeve, marrin vlerësime të larta nga ndjekësit në internet, të cilët lënë mesazhe të tilla, si: “Nuk besoj se kjo është ndeshje në fshat!”, apo “Një atmosferë e mrekullueshme sportive!” etj. Natyrisht edhe çmimet për tre ekipet më të shkëlqyera, janë edhe më të veçanta: ka, dele dhe derrkucë.

Ndeshje e basketbollit, Datun, provincë Guizhou(Foto:Xinhua)

Ndeshje e basketbollit, Datun, provincë Guizhou(Foto:Xinhua)

Në krahasim me fshatin Taipan, Datun i qytetit Anshun të provincës Guizhou ka një synim më të madh, duke u bazuar edhe te ethet e basketbollit mes banorëve të tyre. Sivjet ky fshat organizoi një “Kupë” basketbolli, ku ofroheshin çmime prej 200 mijë juanë-sh (rreth 30 mijë dollarë amerikanë) për gjashtë ekipet e para. Madje në këtë aktivitet lejohej edhe pjesëmarrja e lojtarëve profesionistë si “forcë ndihmë” për ekipet e fshatit. Edhe biletat për ndeshjet u shitën. Përsa i përket ndryshimit me “FBA”-në në fshatin Taipan, organizatorët e aktiviteteve në Datun bënë të ditur se të gjitha këto rregullime janë për të tërhequr më shumë vëmendjen e banorëve për lojën e basketbollit. Pjesëmarrja e lojtarëve profesionalë jo vetëm mund të ngrejë nivelin e basketbollistëve vendorë amatorë, por ofron edhe një nivel më spektakolar të ndeshjeve.

Në kampionatin e sivjetshëm në Datuan morën pjesë 28 ekipe nga rajone të ndryshme të provincës. Dong Jian, ishte lojtar “ndihmë” i një ekipi pjesëmarrës, i cili fitoi vendin e dytë në finalen e zhvilluar më 5 gusht. Ai është pjesë e një klubi profesionist në provincën Xi’an. Duke folur për këtë eksperiencë të veçantë, Dong vlerësoi entuziazmin e shikuesve: “Kam luajtur gjashtë ndeshje. Niveli i konkurrimit të ekipeve pjesëmarrëse ishte i lartë. Në natën e finales mbi 5.000 tifozë plot pasion ndezën atmosferën dhe më bënë një përshtypje shumë të thellë”, - tregon Dong.

Ndeshje e basketbollit, Datun, provincë Guizhou(Foto:Xinhua)

Ndeshje e basketbollit, Datun, provincë Guizhou(Foto:Xinhua)

63-vjeçari Zhu Yuchang thotë se ndeshjet e basketbollit janë një “traditë” me histori prej disa dekadash në fshatin Datun. Herët në vitet 50’ të shekullit të kaluar, fshati filloi organizimin e ndeshjeve. Në vitet 80’, “kampionati” zhvillohej një herë në katër vjet. Ndërsa kohët e fundit, “Kupa” organizohet çdo verë. Sipas tij, edhe çmimet kanë pësuar ndryshime të mëdha, “nga veshjet sportive, biçikletat, televizorët, motorçikletat, deri në shumat kesh që jepen aktualisht”. Sipas tij, autoritetet lokale kanë investuar pandërprerë për të përmirësuar kushtet e konkurrimit. “Në kohërat e hershme, luanim në fusha balte, ndërsa tabelat e koshit ishin prej druri. Tani, kemi stadium të pajisur me ndriçim, kondicionerë, orë dhe ekran elektronik”, - rrëfen Zhu.

Në fakt, që nga viti 2006 Administrata e Përgjithshme e Sportit e Kinës bashkë me sektorë të tjerë, ka nisur një projekt për financimin e ndërtimit infrastrukturor të sportit në zonat rurale. Brenda këtij projekti, çdo fshat administrativ i vendit duhet të ketë të paktën një fushë basketbolli. Në saje të kësaj politike, deri në fund të vitit 2020, provinca Guizhou ka pajisur 15 168 fshatrat e saj me kushtet sportive përkatëse, gjë që hedh bazat për organizimin e ndeshjeve gjithmonë e më masive.

Ndeshje e basketbollit, Datun, provincë Guizhou(Foto:Xinhua)

Ndeshje e basketbollit, Datun, provincë Guizhou(Foto:Xinhua)

Për provën e Datun-it në komercializimin e basketbollit, sekretari i Partisë për këtë fshat Liu Zhenzheng thotë se organizimi i ndeshjeve të tilla në fakt është një edhe një test për aftësinë e menaxhimit të autoriteteve vendore. “Vetëm me financimin qeveritar ose të vetë fshatit, aktivitetet nuk mund të vijojnë për një afat të gjatë. Ndërkohë, pa mbështetjen profesionale nuk jemi në gjendje të zgjidhim as mosmarrëveshjet që ndodhin normalisht përgjatë ndeshjeve”, - thotë Zhenzheng, duke shtuar se këto arsye e bënë atë të provonte rrugën e marketizimit të ndeshjeve të basketbollit. Tani është krijuar kompania e menaxhimit që merret me shitjen e biletave dhe ndjekjen me pagesë online të ndeshjeve si dhe janë formuar grupe profesionale për sigurinë, gjykimin, trajtimin mjekësor etj. Gjithashtu nuk mungojnë as ekipet e prapavijës për të garantuar organizimin dinjitoz të ndeshjeve.

Tani, përmes shitjes së biletave dhe abonimit me pagesë për transmetimin online të ndeshjeve, mbulohet kostoja e organizimit, ndërsa të ardhurat e mbetura mund të përdoren për të përsosur më tej kushtet e konkurrimit. Ndërkohë gjyqtarët profesionistë kanë garantuar si duhet zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të ndeshjeve.