Frigoriferët që mund të monitorojnë freskinë e ushqimeve, të ndihmojnë përdoruesit të porosisin përbërës dhe të rekomandojnë receta duke analizuar zakonet dhe preferencat e përdoruesve janë bërë realitet në jetën e përditshme të njerëzve. Disa njerëz tani mund të kontrollojnë lehtësisht pothuajse çdo pajisje shtëpiake përmes komandave zanore, njohjes së fytyrës dhe përdorimit në distancë të pajisjeve celulare.
Foto:VCG
Falë teknologjisë super të shpejtë wireless 5G, e cila ka avantazhet e shpejtësisë së lartë, kapacitetit të madh dhe vonesës së ulët, industria inteligjente e pajisjeve shtëpiake në Kinë është e gatshme të sjellë mundësi të reja zhvillimi, thanë ekspertët e industrisë. Dërgesat e pajisjeve inteligjente shtëpiake në Kinë arritën në 230 milionë njësi në vitin 2021 dhe shifra pritet të arrijë në 540 milionë njësi në 2025-n, me një normë rritjeje vjetore prej 21.4 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme, thuhet në një raport të publikuar nga firma e hulumtimit të tregut global “International Data Corp”.
Prodhuesit tradicionalë të pajisjeve shtëpiake po përshpejtojnë hapat për të hedhur në treg produkte inteligjente shtëpiake, si kondicionerë, televizorë, frigoriferë dhe makina larëse, duke aplikuar teknologjinë më të fundit 5G, inteligjencën artificiale dhe internetin e gjërave (IoT), që i referohet një rrjeti objektesh me softuer ose sensorë që lejojnë shkëmbimin e të dhënave. “Haier Smart Home”, një degë e prodhuesit më të madh të pajisjeve shtëpiake në Kinë, “Haier Group”, ka ndërtuar një ekosistem IoT me fuqi 5G, duke ofruar zgjidhje të personalizuara që lidhin së bashku produkte të shumta të pajisjeve shtëpiake.
Foto:VCG
Ekosistemi IoT mundësohet nga platforma industriale e internetit e “Haier”, “COSMOPlat”, një lloj i ri automatizimi prodhimi që kombinon makina të avancuara, sensorë të lidhur me internetin dhe analiza të të dhënave për të rritur produktivitetin dhe për të ulur kostot e prodhimit industrial. Klientët ose përdoruesit mund të përfshihen në procesin e dizajnimit të produktit, kërkimit dhe zhvillimit, prodhimit, marketingut dhe shitjes. Për shembull, "interneti i veshjeve" i “Haier” përfshin jo vetëm makineritë që lajnë, por ato që gjithashtu mund të mbikëqyrin gjithçka që ka të bëjë me veshjet, duke përfshirë stilet, blerjet, ruajtjen dhe funksione të tjera.
"Në epokën e 5G dhe IoT, ajo që u nevojitet përdoruesve nuk janë produkte homogjene, por zgjidhje të personalizuara për të përmbushur jetën e personalizuar. Ne jemi të gatshëm të prezantojmë shërbime të personalizuara për më shumë familje",- tha Li Huagang,president i “Haier Smart Home”.
“Haier”, China Mobile” - transportuesi më i madh i telekomunikacionit në botë nga abonentët celularë - dhe gjiganti i teknologjisë “Huawei” lançuan së bashku fabrikën e parë në botë të ndërlidhur me Inteligjencën Artificiale plus 5G në 2019-n. Të tria palët kanë thelluar bashkëpunimin e tyre për të përmirësuar ekosistemin industrial të internetit dhe për të mbështetur efektivisht prodhimin inteligjent.
Foto:VCG
"5G dhe AIoT ose inteligjenca artificiale e gjërave, do të luajë një rol kyç në forcimin e lidhjes së pajisjeve të ndryshme shtëpiake inteligjente në skenarë të ndryshëm aplikimi dhe lehtësimin e procesit të ndërveprimit midis qenieve njerëzore dhe makinerive",- tha Pan Xuefei, një analist i lartë i firmës kërkimore të tregut “IDC”.
AIoT është kombinimi i teknologjive IA me infrastrukturën IoT për të përmirësuar ndërveprimet njeri-makinë dhe për të përmirësuar menaxhimin dhe analitikën e të dhënave.
Pan shtoi se teknologji të tjera të fundit, si ndërveprimi i zërit dhe njohja e fytyrës, janë aplikuar gradualisht në altoparlantët inteligjentë, pajisjet e mbikëqyrjes së sigurisë dhe pajisjet e tjera të zgjuara të shtëpisë për të përmirësuar përvojën e përdoruesit dhe për të pasuruar funksionet e produkteve të ngjashme.
Prodhuesit e tjerë të pajisjeve, si “Skyworth Group”, “TCL Technology Group” dhe “Sichuan Changhong Electric Holding Group” kanë shtuar përpjekjet për të shkëlqyer në segmentin e televizionit me definicion ultra të lartë 8K me fuqi 5G.
"5G ofron mbështetje teknologjike për adoptimin e 8K, ndërsa 8K është një nga skenarët më të mirë të aplikimit për teknologjinë super të shpejtë wireless",- tha Wu Wei, kryeinxhinier në “Skyworth Group”, duke shtuar se 5G ka avantazhet e shpejtësisë së lartë, kapacitetit të madh dhe vonesës minimale, të cilat krijojnë mundësi të mëdha për miratimin e televizorit 8K UHD.
Me aplikimin komercial të 5G dhe aplikimin e teknologjive të ekranit me definicion ultra të lartë, industria e Kinës pritet të ketë një periudhë të artë zhvillimi, tha Li Dongsheng, themelues dhe kryetar i gjigantit kinez të elektronikës së konsumit “TCL”.
Foto:VCG
Teknologjitë super të shpejta 5G mund të zgjidhin problemet e transmetimit të përmbajtjes, kompresimit dhe dekodimit për ekranet 8K dhe ofrojnë zgjidhje për fusha të ndryshme që mbulojnë argëtimin, imazhet mjekësore, transmetimin, monitorimin e sigurisë dhe edukimin në distancë, tha Ai Weiqi, menaxher kërkimor i elektronikës në kompaninë konsulente me bazë në Pekin “All View Cloud”.
"Industria e shtëpive inteligjente tani po zhvillohet me hapa të mëdhenj, falë përparimeve në 5G, IoT, të dhëna të mëdha dhe teknologji të tjera",- tha Zhang Yanbin, një studiues i pavarur në sektorin e pajisjeve shtëpiake.
Zhao Meimei, asistent president i “All View Cloud”, tha se disa sfida dhe vështirësi janë shfaqur në zhvillimin e pajisjeve shtëpiake inteligjente. "Produktet shtëpiake inteligjente të prodhuara nga prodhues të ndryshëm zakonisht nuk mund të lidhen dhe ne ende mbështetemi te furnizuesit e huaj për çipa inteligjentë të nivelit të lartë. Do të duhen ende disa vite për të parë aplikimin në shkallë të gjerë të pajisjeve shtëpiake inteligjente",- shtoi Zhao.