Shumë njerëz mund ta kujtojnë emocionin e marrjes së letrës së parë nga shoku i tyre i korrespondencës. Emocionuese është pritja dhe kurioziteti për përmbajtjen e letrës.

Chen Man-lin, një nxënëse 15-vjeçare nga Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong Kongut, nuk përmbahej nga gëzimi kur shoku i korrespondencës i shkroi fjalë frymëzuese nga Stacioni Hapësinor Tiangong.

Chen Manlin(Foto:gmw.cn)

Chen Manlin(Foto:gmw.cn)

Chen, nxënëse e klasës së nëntë, në shkollën “Pui Kiu” në North Point, Hong Kong, mësoi në qershor për një fushatë kombëtare të shkrimit për astronautët në Stacionin Hapësinor Tiangong, në një fushatë të quajtur “Sillni ëndrrën në Tiangong”.

Ajo hodhi mbi letër çdo detaj të udhëtimit që ajo imagjinonte dhe se si gradualisht u njoh me atë që bëjnë astronautët dhe për programin e zhvillimit të hapësirës ajrore të vendit.

Kjo ishte një ëndërr e vjetër. Gjithçka nisi kur Chen ishte 6 vjeçe dhe pa një transmetim të drejtpërdrejtë të një leksioni shkencor nga astronautja Wang Yaping, e cila u kthye nga hapësira në vitin 2013.

Mbi 60 milionë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme e ndoqën leksionin. Eksperimentet e kryera nga Wang në hapësirë për të demonstruar konceptet e peshës dhe masës në një mjedis me gravitet zero pushtuan zemrën e Chen dhe të shumë të rinjve të tjerë.

Që atëherë, Chen i ka kushtuar vëmendje të veçantë lajmeve dhe zhvillimeve për hapësirën ajrore. Ajo vendosi të hidhte në letër pasionin e saj për hapësirën, së bashku me dyshimet për studimet dhe zgjedhjet e saj në jetë.

Një letër përgjigje prej tre faqesh mbërriti brenda rreth një muaji.

Astronauti Chen Dong i “Shenzhou XIV” iu përgjigj nxënëses. Chen Man-lin ishte një ndër 30.000 nxënësit nga e gjithë Kina që morën pjesë në fushatë dhe u bë e vetmja e përzgjedhur nga Hong Kongu për të marrë një letër të dërguar nga hapësira.

Sun Dong,sekretari i Hong Kongut për Inovacionin, Teknologjinë dhe Industrinë(Foto:gmw.cn)

Sun Dong,sekretari i Hong Kongut për Inovacionin, Teknologjinë dhe Industrinë(Foto:gmw.cn)

Shkolla e saj organizoi një festë të madhe më 19 korrik, kur sekretari për Inovacionin, Teknologjinë dhe Industrinë Sun Dong dorëzoi letrën e përgjigjes.

Së bashku me letrën, Chen Dong regjistroi edhe një video nga Stacioni Hapësinor, për të lexuar letrën e nxënëses dhe përgjigjen e tij. Mësuesit dhe nxënësit e shkollës u mblodhën për të parë së bashku videon.

Duke e inkurajuar nxënësen, Chen Dong përshkroi rrugëtimin e tij për t'u bërë astronaut. Ai tregoi për sakrificën e bërë kur iu desh të fillonte nga e para për të mësuar astronominë, fizikën, teknologjinë e hapësirës ajrore dhe gjithçka që ishte e nevojshme për t'u bërë astronaut. Ai i tregoi asaj se si u testua gjatë stërvitjes me hipergravitet, një teknikë që përfshin kryesisht mbajtjen e peshave për disa orë në ditë.

“Gjatë stërvitjes, çdo centimetër i lëkurës sime, të gjitha qelizat e mia u vunë nën një presion të padurueshëm. Më dukej sikur organet e mia të brendshme po zhvendoseshin”, -deklaroi astronauti.

Stërvitja e tij intensive vazhdoi për gjashtë vjet. Ai pothuajse u shkëput nga bota e jashtme gjatë asaj kohe dhe më në fund ishte në gjendje të kualifikohej për misionin në hapësirë.

Ai shkroi se ëndrra e tij ishte ajo që e mbante të fokusuar dhe të vazhdonte të ecte përpara kur ndihej i humbur dhe i lodhur.

Më 17 tetor 2016, gjatë misionit të tij të parë në hapësirë, Chen Dong u mahnit kur pa universin të shpalosej para syve të tij për herë të parë.

“Jeta është si qielli, që vjen me mot të ndryshëm. Nuk janë të gjitha ditë me diell. Do të ketë ditë me shi, dëborë dhe stuhi, duke e bërë qiellin një trazirë me ngjyra. Mos u shqetësoni për pengesat në jetë, përndryshe nuk do të keni qenë në maksimumin tuaj. Çdo ditë që kaloni është një pamje e vlefshme për t'u parë, duke ju bërë të veçantë. Vlerësojini ato, pasi do t'ju shpërblejnë me befasi të madhe”,- tha ai.

Sun Dong i dorëzon Chen Manlinit letrën e autronautit(Foto:gmw.cn)

Sun Dong i dorëzon Chen Manlinit letrën e autronautit(Foto:gmw.cn)

“Përpara se të shkoja në shtrat në stacionin hapësinor, kërkoja gjithnjë të shikoja vendin tonë përmes dritareve të anijes kozmike. Në dritën e dritave të çdo familjeje, ai është një vend i lulëzuar. Kjo është ajo për të cilën kam luftuar”,- shtoi ai.

Letra nga hapësira ishte gjithashtu një nderim për 25-vjetorin e kthimit të Hong Kongut në atdhe. Duke kujtuar gëzimin e festimit të dikurshëm, astronauti inkurajoi gjithashtu të rinjtë në Hong Kong që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit dhe të vendit.

Letra u ngulit në mendjen e Chen Man-lin.

“Do të bëj ashtu siç tha astronauti në letër, do të studioj më shumë, do të mundohem të jem e shëndetshme, të ruaj kuriozitetin për universin dhe të jap kontribut maksimal në zhvillimin e hapësirës ajrore të vendit në të ardhmen”,- tha ajo për “China Daily”.

Sun, sekretari i Hong Kongut për Inovacionin, Teknologjinë dhe Industrinë, inkurajoi nxënësit të kontribuojnë në trashëgiminë e vendit të zhvillimit të hapësirës ajrore duke sfiduar veten, duke u njohur me zhvillimin e vendit dhe duke u përfshirë më shumë në fushën e inovacioneve teknologjike.

Jack Ng Wun-kit, drejtori i shkollës së mesme “Pui Kiu”, ishte gjithashtu në mesin e atyre që ndjeu inkurajimin nga hapësira. Gjatë një prononcimi për “China Daily”, ai tha se nxënësit e Hong Kongut nuk është e thënë të bëhen vetë astronautë për të kontribuar në trashëgiminë hapësinore të vendit. Ata gjithashtu mund të kontribuojnë nëpërmjet kompanive satelitore dhe të komunikimit me bazë në Hong Kong për të ndihmuar zhvillimin e hapësirës ajrore.

Nxënësit në shkollën e Chen-it ndjekin letrën e astronautit, Chen Dong(Foto:gmw.cn)

Nxënësit në shkollën e Chen-it ndjekin letrën e astronautit, Chen Dong(Foto:gmw.cn)

Veprimet mund të jenë të vogla, por domethënëse. Në tetor 2003, njeriu i parë i Kinës në hapësirë, Yang Liwei, vizitoi shkollën dhe mbolli një pemë në terrenin e shkollës. Ajo pemë tani qëndron e gjatë dhe e fortë në kampus.

Vitin e kaluar, një delegacion i ekspertëve dhe shkencëtarëve kryesorë të hapësirës ajrore vizitoi qytetin. Ata u takuan me nxënësit, dhanë leksione mbi zhvillimin e hapësirës ajrore të vendit dhe sollën me vete mostra të mbledhura nga Hëna gjatë misionit të pestë të eksplorimit hënor të vendit në fund të vitit 2020 për ekspozita në qytet.

Quentin Parker, profesor fizike dhe drejtues i Laboratorit të Kërkimeve Hapësinore në Universitetin e Hong Kongut, tha se fushata e letrave është vendimtare për promovimin e lëndëve të shkencave të natyrës për nxënësit e Hong Kongut.

Sa i përket Chen Man-lin, ajo tashmë ka vendosur të bëhet studiuese dhe shpreson se mund të kontribuojë në zhvillimin e hapësirës ajrore të Kinës.