Ekspozita e 2-të Ndërkombëtare e Konsumit e Kinës (CICPE), që u hap të hënën në provincën ishullore Hai’nan, ofron një platformë të rrallë për kompanitë globale të produkteve të konsumit për t’u futur në tregun kinez. Me një sipërfaqe më të madhe, me më shumë marka pjesëmarrëse dhe e fokusuar tek produktet e reja e cilësore, Ekspozita në Hai’nan mbetet “dyqani” më i madh i produkteve të konsumit në rajonin Azi-Paqësor.
Ekspozita e 2-të Ndërkombëtare e Konsumit e Kinës (CICPE), Haikou, provincë Hai’nan(Foto:VCG)
Kjo platformë e ekspozimit dhe tregtimit të produkteve të konsumit të nivelit të lartë konfirmon zotimin e Kinës për një hapje me nivel më të avancuar. Ajo shërben edhe si një nxitëse e rëndësishme e besimit pasi Pandemia nuk ka përfunduar ende në të gjithë botën, ndërsa shpenzimet e konsumit të Kinës po shërohen gradualisht përpos ndikimeve nga shpërthimi i COVID-19.
Hapje me një nivel më të lartë
Ekspozita gjashtëditore ka tërhequr 1.107 kompani të huaja dhe 1.643 marka nga 61 vende e rajone të botës si dhe pjesëmarrjen e mbi 1.200 firmave kineze. Sipërfaqja e ekspozitës është zgjeruar deri në 100 mijë metra katrorë nga 80 mijë që ishte vitin e kaluar, 80 për qind e së cilës përdoret nga ndërmarrjet ndërkombëtare.
Sikurse mësohet, kompanitë nga anëtarët dhe Partneriteti i Përgjithshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë etj., kanë shfaqur interes të madh për pjesëmarrjen në këtë ekspozitë, duke zënë 5.000 metra katrorë pavijone, një sipërfaqe rreth 20 për qind më e lartë në krahasim me vitin e kaluar.
Në ekspozitë do të paraqiten mbi 600 produkte të reja nga më shumë se 200 marka, të cilat pritet të tërheqin mbi 40 mijë blerës dhe vizitorë. Zhang Xiangchen, zv.drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë, u shpreh në një videofjalim se në kohën kur vendet e ndryshme po përpiqen të rigjallërojnë ekonominë, organizimi i kësaj ekspozite në Kinë do të ketë një ndikim pozitiv për nxitjen e tregtisë dhe përmirësimin e ekonomisë globale përmes promovimit të konsumit.
Ekspozita e 2-të Ndërkombëtare e Konsumit e Kinës (CICPE), Haikou, provincë Hai’nan(Foto:VCG)
Ndërsa Fabrice Megarbane, presidenti i zonës së Azisë Veriore të L’Oreal, njëkohësisht edhe kreu ekzekutiv i degës së kompanisë në Kinë, e shikon këtë ekspozitë kombëtare si një sinjal për hapjen e mëtejshme të tregut kinez. Sipas tij, Kina është zotuar të rrisë nivelin e hapjes dhe po shfrytëzon mundësitë e tregut të saj përmes nxitjes së konsumit.
Tapestry, kompania amerikane e produkteve luksoze që zotëron markat e njohura si Coach, Kate Spade dhe Stuart Weitzman, merr pjesë për të dytën herë në ekspozitën e konsumit të Kinës. Presidenti i kompanisë për tregun e Azi-Paqësor-it, Yann Bozec u shpreh se suksesi i edicionit të parë të ekspozitës i vërtetoi botës mundësitë gjigante dhe gjallërinë e tregut të konsumit kinez. “Pjesëmarrja jonë e vazhdueshme ka treguar besimin tonë të fortë për tregun kinez. Ekonomia e këtij vendi është shumë elastike dhe plot shanse. Zhvillimi i tregut kinez do të vijojë të nxisë ekonominë globale, duke i sjellë më shumë mundësi edhe kompanisë sonë”, - tha z. Bozec.
Treg me vitalitet
Pavarësisht situatës së ndërlikuar ndërkombëtare dhe rigjallërimit të COVID-19 në vend, ekonomia kineze po i rikthehet ritmit pozitiv. Të dhënat statistikore tregojnë se konsumi është përmirësuar, ndërsa shitja e mallrave të konsumit u rrit 3.1 për qind në qershor, pas rënies në prill dhe maj, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rigjallërimi parashikohet të vazhdojë pasi Kina është në rrugën drejt zgjerimit, shkallëzimit dhe inovacionit të konsumit.
Ekspozita e 2-të Ndërkombëtare e Konsumit e Kinës (CICPE), Haikou, provincë Hai’nan(Foto:VCG)
Ndërkohë, për të inkurajuar shpenzimet për konsum, Kina ka aplikuar një sërë politikash në ndihmë të zhvillimit të bizneseve dhe jo vetëm të mbijetesës në situatën e vështirë. Pronarëve të restoranteve, shitësve të ndryshëm dhe bizneseve të tjera që ndikohen lehtë nga COVID-19, u janë ofruar ulje të qirave dhe komisioneve, si dhe një përkrahje të fortë financiare. Në nivelin lokal, autoritetet kanë lëshuar miliarda juanë kuponë dhe subvencione speciale për të mbështetur shpenzimet.
Ndërsa tregu i konsumit në provincën Hai’nan pritet të nxisë konsumin për produkte ndërkombëtare. Të dhënat statistikore tregojnë se vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i importit të Kinës për mallra konsumi u rrit 9.9 për qind, deri në 1.73 trilion juanë (rreth 256.2 miliardë dollarë amerikanë).