Në distriktin Dongchuan të qytetit Kunming në provincën Yun’nan të Kinës Jugperëndimore, pavarësisht nxehtësisë së lartë jashtë derës, sapo hyni në serrat e kompanisë Jindi, do të gjeni një pamje mahnitëse: plot shalqinj të vegjël rriten si perime mes hardhive të mbështetura mbi “muret” që krijojnë raftet në rresht.

Znj. Xu Qing, pronare e kompanisë Jindi në serrën e shalqirit

Znj. Xu Qing, pronare e kompanisë Jindi në serrën e shalqirit(Foto:Xinhua)

“I gjithë prodhimi i shalqinjve është nga një tip i ri, lëkura e të cilëve është vetëm 3-4 milimetra e trashë. Madje mund ta ‘zhvishni’ direkt me duar me një çarje të lehtë, sikurse grisni një letër”, - tregon 37-vjeçarja Xu Qing, pronare e kompanisë. Në sajë të pajisjeve inteligjente, lagështira dhe temperatura e përshtatshme ndihmojnë në kontrollin e shijes dhe peshës së shalqirit. Ky tip ndryshon nga tipat tradicionalë që synojnë madhësinë, pasi ky që rritet këtu është vetëm 2 kilogramë, një peshë e përshtatshme për një familje që ta mbarojë brenda një vakti.

Aktualisht këtu çdo ditë prodhohen 8 tonë shalqi, të cilat shiten brenda dhe jashtë provincës. Por presidentja e kompanisë, Xu Qing, nuk e ka pasur të lehtë në fazën fillestare të biznesit. Prova e saj filloi nga viti 2015. Pas kultivimit në mjedis natyror dhe serra tradicionale, ajo kuptoi se kjo metodë nuk përshtatej me kushtet lokale. Dongchuan dikur ka qenë “qendra e bakrit”. Për shkak të zhvillimit të sektorit metalurgjik, shumë pemë u prenë për lëndë djegëse, duke dobësuar mjedisin biologjik lokal dhe shkaktuar rrëshqitje të shpeshta të dheut dhe zhavorrit.

Kështu që znj. Xu, pas këshillave nga Instituti i Shkencave Bujqësore i qytetit Kunming, vendosi t’i kushtohej bujqësisë moderne. Xu tregoi se vetëm përmes një aplikacioni të instaluar në celularin e saj, tani ajo mund të stabilizojë lagështirën në rreth 75 për qind, ndërsa temperaturën në nivelet 25-30 gradë Celsius. “Kjo ka ngritur në mënyrë të dukshme efektivitetin e prodhimit” - shpjegoi ajo.

Serra e shalqirit

Serra e shalqirit(Foto:Xinhua)

Ndërkohë, arsyeja pse shalqiri mund të rritet mbi tokë është se ai rritet “pa dhe”, por me rrënjët e shtrira në tubacionet e mbushura me elementë ushqyes. Në çdo tub prej 50 metrash mund të mbillen 150 filizë shalqiri. Meqë në Dongchuan mungon toka e punueshme, kjo metodë nuk do të konkurrojë me arat që prodhojnë drithëra, por mund të shfrytëzohet për të maksimalizuar të gjitha burimet tokësore. Madje znj. Xu tregon se rritja “pa dhe” ka ulur edhe rrezikun e insekteve të dëmshme dhe bakterieve, duke siguruar deri në 2 apo 3 prodhime në vit.

Tani në kompaninë e saj punësohen mbi 300 banorë, duke përfshirë më shumë se 80 persona nga familjet e prekura më parë nga varfëria. Gjatë gjithë procesit të zhvillimit, kompania e Xu-së ka siguruar jo vetëm mbështetje të favorshme nga ana financiare, por edhe udhëzime nga ekspertët bujqësorë, përmes projektit të bashkëpunimit midis institucioneve studimore të provincës dhe Shangait. Ky është një ndër projektet e zbatuara nga autoritetet vendore për të ngritur të ardhurat e banorëve lokalë, sidomos atyre nga fshati.

Punëtore në serrën e shalqirit

Punëtore në serrën e shalqirit(Foto:Xinhua)

Vitet e fundit, provinca Yun’nan ka shtuar investimet në teknologjinë e zhvillimit të bujqësisë, duke ndryshuar në mënyrë dramatike mjedisin dhe mënyrat e prodhimeve bujqësore në disa sektorë tradicionalë. Drithërat, çaji, lulet, frutat, perimet, arrat, kafeja, bimët mjekësore, mishi i viçit etj., janë bërë produkte me epërsi konkurrente të kësaj province. Pritet që deri në fund të vitit 2025, përqindja e kontributeve të faktorëve teknologjikë të jetë 62 për qind në vlerat e shtuara të sektorit bujqësor. Madje duke plotësuar kërkesat e realizimit të neutralizimit të lëshimit të karbonit, provinca ka nisur një sërë projektesh për të studiuar treguesit kryesorë përkatës. Duke monitoruar vëllimin e lëshimit të gazit serrë apo sasinë e karbonit, mund të përftohen metoda të ndryshme prodhimi. Gjithashtu krijimi i kësaj databaze, do të ndihmojë më shumë specialistët e fushës për të zhvilluar një bujqësi më moderne dhe më miqësore me mjedisin.