Një libër nën çadër! Në fund të fundit, edhe libri ka stinë. E çfarë më mirë se sa një libër, mund të të freskojë trurin në mes të vapës pranë detit?
Kryesisht libra argëtues, që s’kërkojnë shumë përqendrim, por që, nga ana tjetër, edhe të të përfshijnë me subjektin e tyre, janë gjithmonë në kërkim gjatë stinës së nxehtë. Po si tí zgjedhim librat e pushimeve? A është dikush që mund të na orientojë?
Foto ilustruese - credit Bukinist
Për këtë na vjen në ndihmë “Tirana Summer Reading”, një aktivitet i rëndësishëm kushtuar librit, që përmbledh me dhjetëra promovime librash dhe takimesh, gjatë periudhës 5-21 korrik, përmes të cilave lexuesit mund të orientohen saktë dhe shpejt drejt librave që ju nevojiten.
Organizuar nga siti më i madh i shitjes së librave on line “Bukinist”.al, ky aktivitet gjithashtu sjell oferta fantastike për pushuesit e vegjël dhe të rriturit.
Mbrëmje të tilla u kanë dhënë freskti mbrëmjeve të nxehta të verës. Takimet e librit po zhvillohen në mjediset e librarisë “Aladini” në ish-Bllok. Kjo festë e bukur verore po mbledh çdo mbrëmje në mjediset e librarisë autorë, lexues dhe studiues në promovimet të ndryshme të librave, nga ku lexuesit kanë mundësinë të takojnë autorët e tyre, të marrin autografë dhe dhe të përfitojnë nga ofertat e shumta. Autorë shqiptarë, gjatë mbrëmjeve të korrikut, ia kanë lënë vendin njeri tjetrit, në prezanti e t librave të tyre, duke u vënë përballë lexuesit, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre apo interesit të organizatorëve.
Gjithashtu në mjediset e jashtme të librarisë së Aladinit lexuesit e stinës së verës ndeshen me panairin e librit të verës, i cili ofron oferta fantastike, që shkojnë deri në -50%. Në këtë hapësirë ka një stendë ku janë vendosur libra të pëlqyer për stinën e verës, “Pusho dhe lexo”; me romancat, sagat, thrillerat, romanet mister dhe librat motivues më të mirë për t’i patur me vete në çantë përgjatë ditëve të pushimeve. Edhe për lexuesit e vegjël lista e rekomandimeve është e gjatë. Stenda e emërtuar “Shokët e verës” është tej mase e larmishme, me autorë shqiptarë dhe të huaj, me klasikët për fëmijë dhe autorët bashkëkohorë.
Nga mbremjet e librit ne Tirane - credit Bukinist
Kësaj feste nuk mund t’i mungojnë as librat e rinj, të cilët si gjithmonë zgjojnë interesin e lexuesve dhe gjenden me oferta të mira në mjediset e panairit, por edhe online.
Krahas tyre, lexuesit mund të gjejnë libra në gjuhë të huaj, produkte të tjera bookish, si gifts, bookmarks, abazhure leximi, etj. Meqëllim që gjatë muajit korrik, lexuesit t’i shtojnë kontatet me librin, të gjithëve u jepet mundësia që të porosisin sete librash, nga ku aplikohen ulje të menjëhershme në çmim, oferta ekskluzive, informim të vazhdueshëm dhe procedim prioritar.
Por ajo çfarë bie më shumë në sy gjatë ditëve të këtij panairi është dëshira që kanë familjet për të marrë libra për pushime.
Familjarët vijnë për të blerë libra dhe zgjedhjet janë të ndryshme, në bazë të moshës, por edhe gjinisë. Në periudhën e verës, njerëzit interesohen më tepër për libra, të cilat janë të lehtë për t’u lexuar. Kryesisht ato që nuk janë të lodhshëm, apo le të themi në sensin që nuk duan shumë përqendrim.
Zgjedhjen përgjithësisht e bëjnë gratë, edhe për pjesëtarët e tjerë të familjes, por kjo s’do të thotë që meshkujt nuk lexojnë. Ndërkohë që ato vetë preferojnë tituj që lidhen me dashurinë, meshkujt preferojnë më shumë librat historikë dhe ato filozofikë. Ndërsa fëmijët janë klientë që mbizotërojnë, sepse përveç programit që u ka dhënë shkolla, edhe ata kërkojnë libra çlodhës.
Reklame e aktiviteteit ne Tirane - credit Bukinist
Në Tiranën e nxehtë të këtyre ditëve të korrikut, “Tirana Summer Reading”, është një nga mënyrat më të mira për tí dhënë frymëmarrje jetës kulturore në kryeqytet dhe për ta depërtuar librin ne çdo plazh, shtëpi pushimi, apo edhe poshtë çadrës së lexuesit.
Këtij qëllimi i ka shërbyer edhe nisma për të fituar një çek librash me vlerë 3000 lekë, ku përmes një loje me foto, ku pjesmarrësit duhet të postojnë në faqet e rrjeteve sociale të Bukinist, një foto sa më të bukur, të librit që po lexojnë, të kompozuar në vendin ku ndodhen për pushime. Fotoja që merr më shumë pëlqime, do të shpallet edhe fotoja fituese dhe konkurrenti që e ka postuar do të behet përnjëherë fitues i garës e cila do të përfundojë me datën 31 korrik, ndërsa fituesi do të shpallet me datë 1 gusht.
Aktivitetet e iniciuara organizohen me rastin e 6 vjetorit të rrugëtimit të Bukinist.al që është platforma më e madhe dhe e rëndësishme e shitjes së librit on line në Shqipëri, një rrugëtim ky, plot sfida e suksese, falë mbështetjes së jashtëzakonshme që kanë dhënë lexuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Bashkësia e lexuesve të kësaj plaftorme ka arritur në mbi 60 mijë anëtarë.
Me 6 vite eksperiencë mbi supe, sfida e Bukinistit është që të përmirësojë shërbimet ndaj lexuesve, të rrisë sa më shumë larmishmërinë e titujve dhe të kategorive, të japë rekomandimet e duhura në mënyrë që secili lexues, ta përdorë sa më mirë librin dhe leximin për t’u rritur, për të kuptuar më mirë botën dhe për të zgjeruar dimensionet e lirisë dhe për ta bërë leximin pjesë të pandarë të transformimit të jetës sonë.
Sfida per foton e pushuesve me liber - credit Bukinist
Neritana Kraja