Teknologjia po ndihmon zonat rurale, veçanërisht në aspektin e biznesit dhe qeverisjes. Sun Shangwu dhe Yang Zekun raportojnë nga Huichang, provinca Jiangxi.
Qarku Huichang, provincë Jiangxi(Foto:VCG)
Edhe pse në kopshtet e portokallit ka instaluar pajisje digjitale bujqësore për të monitoruar rritjen e frutave, Wu Chengxiao ende zgjohet çdo ditë rreth orës 06:00 për të inspektuar bimët, ashtu siç bënte dikur.
Në 40 vjet që është marrë me rritjen e portokajve, 55-vjeçari Wu është mbështetur në instinktet e tij për përkujdesjen ndaj tyre.
Tani, ai dhe gruaja e tij, Wang Qiongfang, po shijojnë frytet e teknologjive të reja, që i lejojnë ata të monitorojnë tokën, rritjen e frutave dhe problemet me dëmtuesit e bimëve, gjithashtu u japin dhe këshilla për të trajtuar problemet që mund të dalin.
Wang tha se biznesi i tyre ka përfituar nga digjitalizimi, sidomos kur bëhet fjalë për marketingun dhe monitorimin.
“Zhvillimi i shpejtë i tregtisë elektronike dhe bujqësisë digjitale na ka ndihmuar shumë. Unë mund të shoh probleme me sëmundjet dhe dëmtuesit në pemishte duke ndjekur një aplikacion të lidhur me sistemin bujqësor dhe më pas të marr masa specifike”, -tha ajo.
Wang Qiongfang në promovimin e portokallit ndaj ndjekësve të transmetimit online(Foto: Gazeta Dongfangnvbao)
Sipas saj, teknologjia po i ndihmon të shmangin praktikën e vjetër dhe të kotë të aplikimit të plehrave dhe spërkatjes të pesticideve.
“Ne mbanim një rezervuar 25 kilogramësh për të spërkatur pesticide për ditë të tëra për të parandaluar dëmtuesit dhe sëmundjet në pemëtore. Sidomos gjatë verës, enët e spërkatjes që mbanim në kurriz na preknin lëkurën dhe mund të shkaktonin edhe plagë të dhembshme”, -tha ajo.
Rruga drejt suksesit
Në vitin 2002, Wu dhe familja e tij udhëtuan 1000 kilometra nga vendlindja e tyre në qarkun Zigui të provincës Hubei deri në qytezën Xiaomi të qarkut Huichang, provincën Jiangxi, për të rritur portokaj.
Familja e tij kishte mbjellë portokall në Zigui për rreth dy dekada përpara se të transferohej në Huichang, pasi kishte kursyer rreth 200.000 juanë (29.821 dollarë) nga shitja e frutave.
Kur mbërritën, Wu dhe tre vëllezërit e tij më të mëdhenj planifikuan të merrnin me qira 26.67 hektarë tokë, por politikat mbështetëse i shtynë ata të investonin të gjitha kursimet e tyre dhe të merrnin me qira rreth 67 ha.
“Pas mbjelljes në vitin 2004, ne hasëm në sfida financiare që zgjatën deri në vitin 2011, kur biznesi ynë nisi të fitonte”, -tha Wu.
Pulët që rriten nga Wang Qiongfang për prodhimet organike(Foto: Gazeta Dongfangnybao )
“Bazuar në përvojën në qytetin tonë, ne besuam se pas tre vjetësh pemët mund të prodhonin mjaft fruta për të mbuluar kostot tona të fillimit. Por, sidoqoftë, ne nuk kemi bërë kërkime të mjaftueshme ose nuk kemi pasur mbështetje teknike. Toka në Huichang nuk është pjellore, kështu që na u desh të përdornim më shumë plehra organike, gjë që bëri që investimi të tejkalonte buxhetin tonë. Pas tre vjetësh, ne kishim shumë pak fonde”, -theksoi Wu.
Wang tha se gjendja e tyre financiare ishte vërtet serioze. “Mund të tingëllojë qesharake, por sa herë kthehesha në vendlindje dhe takoja të afërmit dhe miqtë e mi, gjëja e parë që më shkonte ndër mend ishte nëse ata mund të jepnin ndonjë hua”, -tha Wang.
Për të ndihmuar në kompensimin e vështirësive të tyre financiare, çifti kultivoi shalqinj, rriti derra dhe krasiti kopshtet e të tjerëve. Wang tha se punonjësit e tyre fitonin 12 juanë në ditë në atë kohë dhe punonin për tetë orë, ndërsa ajo dhe Wu punonin më shumë se 12 orë në ditë dhe bënin një pjesë të madhe të punës vetë për të kursyer para në kosto.
“Ne ngriheshim para orës 05:00 dhe shpesh punonim deri në orën 20:00. Ndërsa shumë fermerë ishin duke darkuar, ne ishim ende duke mbledhur veglat e punës ose duke u kthyer në shtëpi në orët e mbrëmjes”, -tha ajo.
Kur vinte koha e pjekjes së shalqinjve, çifti shkonte në fusha në orën 04:00 për t'i mbledhur, duke mbajtur në një shportë vajzën e tyre 18 muajshe, që ishte ende duke fjetur. Pastaj, ata shkonin derë më derë për të shitur frutat.
Sezon i korrjeve të portokallit, provincë Jiangxi(Foto:VCG)
Deri në vitin 2011, çifti kishte paguar të gjithë borxhin e tyre prej rreth 600.000 juanë, pasi biznesi i tyre i portokallit filloi të fitonte. Ata aktualisht kanë 60 punëtorë, shumica e të cilëve nga 50 vjeç e lart, për të menaxhuar rreth 46.67 hektarë me portokaj dhe rreth 8000 pula.
Çelësi i zhvillimit
Aplikimi i teknologjisë digjitale në industrinë bujqësore është kyç për promovimin e përgjithshëm të zhvillimit të ekonomisë digjitale dhe qeveria qendrore kineze ka propozuar shpesh përdorimin e shkencës dhe teknologjisë për të nxitur zhvillimin e zonave bujqësore dhe rurale.
Ndërsa kryesonte një sesion studimi të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës në tetor, presidenti Xi Jinping deklaroi se autoritetet duhet të promovojnë zhvillimin e integruar të ekonomive digjitale dhe reale, të kuptojnë drejtimin i digjitalizimit, rrjeteve dhe inteligjencës, dhe të promovohet digjitalizimi në industri të tilla si prodhimi, shërbimet dhe bujqësia.
Presidenti Xi gjithashtu u kërkoi autoriteteve të përdorin teknologjitë e reja të internetit për të transformuar industritë tradicionale në një mënyrë të gjithanshme, për të rritur produktivitetin dhe për të përdorur mirë teknologjitë digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik.
Në janar, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit publikuan së bashku një dokument mbi punën e promovimit të plotë të vitalizimit rural.
Kopshti inteligjent i rritjes së filizave të orizit(Foto:VCG)
Në raport u kërkohej autoriteteve të nxisnin rritjen e digjitalizimit në fshatra, të promovojnë zhvillimin e bujqësisë së zgjuar, të forcojnë arsimimin dhe aftësitë digjitale të fermerëve, të fuqizojnë shërbimet publike rurale me teknologjinë digjitale, të fokusohen në zgjidhjen e problemeve praktike dhe të zgjerojnë skenarët e aplikimit të “big data” bujqësore dhe rurale.
Për të promovuar ekonominë digjitale, qarku Huichang bashkëpunoi me “JD Farm”, shërbimi i menaxhimit të bujqësisë dhe shitjes me pakicë të operatorit të tregtisë elektronike “JD.com”, për të ofruar teknologji, fuqizim të markës dhe mbështetje marketingu për projektet e bujqësisë digjitale dhe për të kryer standardizimin e prodhimit dhe eksplorimin e digjitalizimit.
“JD Farm” ofron gjithashtu akses në objektet dhe programet e teknologjisë së lartë për të ndihmuar në monitorimin e tokës, motit dhe përdorimit të pesticideve. Gjithashtu, bën regjistrime në kohë reale të rritjes së kulturave të tilla si orizi dhe portokalli, si dhe ndihmon në trajnimin e fermerëve dhe operatorëve të biznesit për të siguruar që prodhimi të përmbushë standardet e cilësisë.
Sistemi i vlerësimit
Për të përparuar qeverisjen në zonat rurale, Huichang ka ndërtuar një sistem vlerësimi për banorët e tij bazuar në platformën e tij digjitale rurale për të siguruar që fshatarët të respektojnë ligjin dhe të jenë të ndërgjegjshëm ndaj shoqërisë dhe mjedisit. Autoritetet dhe komitetet e fshatit vlerësojnë banorët në bazë të veprave dhe aktiviteteve të tyre.
Për shembull, pjesëmarrja në shërbime vullnetare dhe ndihma e të moshuarve ose fëmijëve shton kreditet e familjes, por nëse një person ka dëmtuar mjedisin ose ka marrë pjesë në veprimtari të paligjshme, pikët do të zbriten.
Fermë inteligjente e rritjes së tomates, provincë Anhui(Foto:VCG)
Çdo familje ka një kod përmes të cilit anëtarët mund të kontrollojnë kreditet që kanë fituar ose humbur. Banorët mund t'i përdorin ato për të blerë gjërat e nevojshme ditore në dyqane të caktuara që subvencionohen nga pushteti vendor.
“Vlerësimet bëhen kryesisht në internet dhe anëtarët e stafit nga departamentet qeveritare ose komitetet e fshatit do të japin nota sipas situatës së njerëzve”, -tha Lai Yuanping, një zyrtar në fshatin Zikeng të Huichang. Ai shtoi se punonjësit mbikëqyren dhe vlerësohen nga masat dhe se sistemi digjital ka sjellë përfitime në shumë mënyra për qeverisjen rurale.
Lai tha se shumë fshatarë, madje edhe disa të papunë, tani po marrin pjesë në aktivitetet e mirëqenies publike.
Një herë në muaj, komiteti i fshatit fton njerëzit e moshës 70 vjeç e lart që të mblidhen në një sallë lokale për të biseduar dhe për të shijuar ushqim falas. Shumë fshatarë ndihmojnë në gatimin dhe pastrimin pas ngjarjes.
“Mallrat e blera me kredite nuk vlejnë shumë, por kryesisht shërbejnë si nxitje dhe udhërrëfyes. Ajo që ka rëndësi është që banorët të shpërblehen për gjërat pozitive dhe kjo u jep atyre një ndjenjë arritjeje. Pjesëmarrja dhe respekti janë të rëndësishme dhe disa njerëz kanë ndryshuar qëndrimet e tyre ndaj jetës përmes veprave të tilla”, -tha Lai.