Oralda Lahe ka lindur në qytetin e Përmetit në vitin 1987, ku ka kryer dhe mësimet e para. Ajo ka studiuar në Fakultetit Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi në Tiranë dhe ka një master për Mësuesi. Prej disa vitesh është pjesë e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Oralda ka bashkëpunuar me shtypin e shkruar dhe është autore e librit "Puhiza e puthjes", me prozë poetike dhe poezi, fituese e disa çmimeve.
Oralda Lahe
Ajo flet tepër edhe për çështjet e barazisë gjinore dhe sipas saj, femrat janë krijesa të brishta, të forta dhe që dinë të ecin, vrapojnë, rrëzohen dhe t’ia dalin në fund.
Gazetarja Oralda Lahe flet rreth jetës së saj për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)
CMG: Si do ta nisnit rrëfimin për jetën tuaj?
Oralda Lahe: Rrëfimi i jetës sime nis kështu: “Njerëz mos e humbisni kohën dhe jetën tuaj! Filloni që nga ky moment të jetoni, duke qenë i sinqertë me çdo njeri që mund të keni përballë. Silluni mirë dhe lini në jetë përshtypje të mira! Të dashur njerëzit e mij, shfrytëzoni çdo fraksion sekondi të jetës suaj me njerëzit që ju përmbushin. Ndani kohën tuaj me mentorë të jetës suaj, të cilët ju ndihmojnë. Kjo jam unë, por mund të jeni edhe ju.
CMG: Oralda, cila ka qënë kureshtja më e madhe e juaja, për të cilën pyesnit shpesh nënën tuaj?
Oralda Lahe: Fëmijët nga natyra janë tepër kureshtarë. Kureshtja ime e madhe ka qenë për të zbuluar se sa i vërtetë kanë qenë realizimi i filmave qofshin ata vizatimorë ose artistikë. Shpesh shihja edhe filma që nuk ishin të moshës sime dhe gjithmonë mendoja: “A ka një histori të vërtetë diku si kjo?” Kjo ndoshta nuk është kureshtja e shumë prej lexuesve, por e imja ka qenë kështu.
CMG: A ka qënë adoleshenca juaj një fazë e vështirë? Cilët kanë qenë miqtë e tu më të mirë?
Oralda Lahe: Unë jam rritur në një qytet tepër të bukur, por të vogël. Rrethi i vogël i miqve atje më ka bërë edhe mua që të kem me ta një lidhje më të ngushtë. Vitet kaluan dhe që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar shumë. Mund të them që flasim dhe mbajmë kontakte me miq të vjetër, por koha na tregon gjithmonë që gjërat vrapojnë. Ajo që dua të tregoj është se kam testuar miq, mund të përmend këtu periudhën e Covid-19, kujdesi që disa miq treguan për mua më bëri njëkohësisht të bëj edhe diferencën se cili mik është vërtet i tillë dhe cili jo. Koha i teston njerëzit.
Libri Puhiza e puthjes nga Oralda Lahe
CMG: Cili ka qenë shembulli që ju keni ndjekur për të qenë busulla juaj?
Oralda Lahe: Nuk do të doja që të përmendja emra, por do të doja të thoja që ata janë të pranishëm aty në çdo moment. Mund të jetë një prind, shok, i ftuar apo dhe fqinji juaj. Njerëzit e mirë të cilët të japin një dozë motivi mund të jenë kudo në çdo moment, prezenca kryesore e një njeri në jetët tona vjen nëpërmjet fjalës që thotë dhe motivon për ne.
CMG: Çfarë të mungon nga dekada e kaluar?
Oralda Lahe: Më mungon shumë liria. Liria është gjithçka që njeriu ka dhe në dekadën e kaluar ka qenë pak më ndryshe. Liria e fjalës është domosdoshmëri e jetës ndaj duhet ta fitojmë me çdo kusht. Nuk jam duke thënë që nuk e kam këtë liri, por ndihem e kufizuar në këtë epokë që po jetoj.
CMG: Cilat kanë qenë ëndrrat që sot ti i sheh të realizuara?
Oralda Lahe: Unë kam qenë nga ato vajza, të cilat nuk e kam pasur të lehtë të realizoj ëndrrat e mija. Me shumë sfida, bullizim herë pas here, arrita që të marr në dorë drejtimin e jetës sime. Veten e kam projektuar që do të isha një gazetare, doja të vazhdoja fushën e letrave duke qenë që përfundova për gjuhë dhe letërsi. Letrat janë e përbashkëta e mikrofonit me shkrimin, tashmë të dyja pjesë e jetës sime profesionale.
CMG: A je ti projektim i sjelljes që nëna juaj ka pasur me ju, dhe për ju?
Oralda Lahe: Nëna është gjithçka për një vajzë. Është aty për një kritikë të mirë, dhe për të më ndryshuar çdo mendim që mund të kem e për ta bërë atë më të mirë. Ka qenë një nga njerëzit e parë që ka besuar tek unë pa pikë dyshimi në gjërat që do t’ia dilja. Suksesi im është edhe suksesi i saj për punën që ka bërë me mua.
CMG: Cili moment i jetës suaj ka qenë tepër i vështirë?
Oralda Lahe: Unë kam kaluar një jetë disi sfiduese, njerëzit më njohin si vajzën e fortë. Unë jam e fortë, por kjo sepse jeta më ka bërë të tillë jo se unë kam dashur.
Një moment shumë i vështirë, ka qenë kur babai im kishte shqetësime nga ana e shëndetit dhe më duhej ta përballoja këtë stres. E kujtoj sepse më duhej të përballoja, edhe kujdesin ndaj tij, edhe punën time. Megjithatë ai ja doli, sot është mirë me shëndet. Dhimbja që përjeton vajza kur prindërit e saj nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore është e rëndë.
Oralda Lahe
CMG: A ka pendesa në jetën tuaj?
Oralda Lahe: Po, do të doja të isha vetja ime e ndryshuar dhe më e përkushtuar. Vetja nuk duhet lënë pas dore në asnjë moment, pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë dita. Unë jam penduar që nuk i jam dedikuar më shumë vetes, qoftë për kujdesin fizik apo qoftë edhe atë të rritjes profesionale. Një trajnim më tepër, një angazhim tjetër të bën më të mirë në shoqëri. Jam përpjekur që të ndjek çdo trajnim edhe aktivitete jashtë pune, por pse jo të kisha mundësi për më tepër.
Duke marrë puna kohën më të madhe, unë harrova veten. Ky është një prej pengjeve të mia. Ju drejtohem të gjithëve që kanë një punë për të dhënë nga vetja juaj, “Mos harroni veten tuaj. Një ditë njerëzit do t’ju shohin sikur ju vleni vetëm për punë dhe jo për të shijuar jetën”.
CMG: Cilat janë lutjet e tua më të thella?
Oralda Lahe: Lutjet e mia janë për familjen, shëndetin apo edhe dashurinë. Këto janë eliksir i jetës. Nuk është kurrë vonë për të reflektua edhe lutur. Lutem për një shpirt të pastër dhe zemër të madhe.
CMG: Cilat janë tre dëshirat e një gruaje?
Oralda Lahe: Kjo është tepër enigmatike, do thoja që femrat janë ato që bëjnë gjithçka dhe në fund t’ia dalin. Mund të qajnë e qeshin, rrezohen e ngrihen, struken diku dhe në fund ringrihen. Tre dëshirat e tyre janë “Shëndeti, pamja e jashtme e bukur dhe një partner që i plotëson” . Dashuria të përmbush dhe jeta të bëhet edhe më e bukur.
CMG: E pyet ndonjëherë veten “Cili është qëllimi juaj në jetë”?
Oralda Lahe: Qëllimi im në jetë është të bëj mirë. Dua të eci vetë dhe të lodhem për çdo gjë vetë. Dua t’i tregoj botën se ku kam arritur me shumë mundime. Jeta nuk është fushë me lule, por i ka të gjitha oshilacionet. Gjithashtu unë jam një vete e përmirësuar në vazhdim .
CMG: Kur ka qenë momenti i fundit kur ti ke qeshur aq shumë sa sot e kujton ende të freskët?
Oralda Lahe: Para pak ditësh në punë, falë humorit të dikujt më ka bërë që dita ime të ishte ndryshe. E kam shumë të rëndësishme të falënderoj njerëz, të cilët në një formë apo në një tjetër më ndryshojnë ditën time, duke u kujdesur që unë të qesh.
CMG: A i jep më tepër profesionit apo të jep ai ty?
Oralda Lahe: Unë mendoj që i jap, kjo nuk është egoizëm, por është nje reflektim i vërtetë. Kam një sfidë të përditshme, të cilës i jap më tepër se sa më jep patejtër. Marr shumë emocion, por jap tepër lodhje dhe energji.
CMG: Çfarë bën kur nuk shkojnë gjërat siç duhet?
Çmim Oralda Lahe
Oralda Lahe: Unë meditoj! Një tjetër gjë që bëj është që më pëlqen të rri vetëm, kafen ta konsumoj vetëm. Arrij të bëj një balancë për gjërat që kam, apo ato që kam humbur. Të gjitha ngjyrat e jetës sime kalojnë në mendimet e mia dhe përpiqem që të ndryshoj sa jam në kohë.
CMG: A bëhet dështimi mësim?
Oralda Lahe: Në shumë raste mendoj që po. Nuk jemi askushi që të mendojmë se njerëzit janë të gjithë njësoj apo ata veprojnë si ne.
E rëndësishme është që duhet të mësohemi me idenë që gjërat bëhen mësim, pikërisht nga natyrat njerëzore. Nuk ka asnjë të keqe që të dështosh, nuk është fundi i botës, rifillohet! Disa nga idetë e mia çdo ditë janë “ Jeta vazhdon, jemi mirë, ja dolëm, edhe një ditë, kemi frymë, jemi duke ecur”!
CMG: A ia thua shpesh vetes fjalën “Bravo!”?
Oralda Lahe: Ia them ndoshta jo me zë të lartë, por ja them.
Bravo vetes i thua, nëse je e disiplinuar për të bërë gjëra të reja ne jetë. Ka momente që kur e ndiej se gjërat janë bërë mirë, e vlerësoj veten, duke i blerë diçka apo stimuluar veten. Përpiqem të merrem me veten time, duke ja treguar në heshtje një “Bravo!”.
CMG: Pas shumë sfidave ju publikoni librin “Puhiza e puthjeve”, cila është përmbajtja e tij?
Oralda Lahe: Përmban pak nga shpirti im. Asnjë poezi e shkruar aty nuk i ngjan një të dyte. Ky libër pa dritë botimi falë bashkëpunimeve me miq të mirë.
Mendoj që në këtë libër kam dhënë shumë, kam dhënë nga shpirti im. Kur unë kam botuar librin nuk kam pretenduar të ketë shumë lexues, por ky është një kontribut për veten time.
CMG: Çfarë është jeta për ju?
Oralda Lahe: Jeta është një rrugë me pengesa nga materniteti deri në varreza!
CMG: Cilët janë 3 libra që kanë ndryshuar jetën tuaj?
Oralda Lahe: “Shakaja” është një libër nga Milan Kundera. “Unë jam Malala”, bazuar në histori të vërtetë, ajo e dashuron shumë arsimimin dhe nuk lejohet të studiojë. Me pak fjalë, ky libër të motivon për të parë jetën në aspektin motivues.
Autori i fundit që do të sugjeroja është Fabio Volo, një autor që i shkruan dashurisë mrekullisht bukur. Sipas meje, “Jeta nuk është libër, por libri është mësim”!
Intervistoi :Megi Latifi