Me përfundimin e shkollës dhe ardhja e stinës së verës, prindërit kanë një dilemë të madhe se si t’i argëtojnë fëmijët e tyre, t’i regjistrojnë në kampet verore, në shtëpi vetëm ose me gjyshërit.
Ne të gjithë duam që fëmijët të kenë një kohë të shkëlqyer për të kaluar pushimet verore, por mbajtja e tyre për t’u zbavitur gjatë tre muajve të verës është e vështirë. Një pjesë e mirë e fëmijëve kanë mundësi të shkojnë në plazhe, pishina, apo male, një pjesë tjetër mund ‘ti kalojnë ditët e nxehta të verës pranë parkut më të afërt të qytetit. Disa fëmijë kanë shprehur dëshirat e tyre se ku duan t’i kalojnë pushimet verore, në intervistat për Grupin Mediatick të Kinës (CMG).
Elma me motren -Foto Personale (1)
Tani që shkolla ka përfunduar, ku dëshirojnë t’i kalojnë pushimet verore fëmijët, duan më shumë detin apo malin?
CMG: Ku të pëlqen të kalosh pushimet?
Franklin: Unë dua që t’i kaloj pushimet në Shqipwri se vendi ynë ka plazhin më të bukur në botë. Mua më pëlqen, plazhi i Ksamilit, sepse deti është shumë i pastër, më pëlqen të luaj te lodrat,etj.
Edhe Samueli shpreh dëshirat e tij.
Samueli & Franklin-Foto Personale (1)
CMG: Ku ke dëshirë t’i kalosh pushimet verore?
Samueli: Dëshira ime është që pushimet verore t’i kaloj në Ksamil dhe aty shkoj çdo vit.
CMG: Çfarë të pëlqen më shumë aty?
Samueli: Më pëlqen deti i pastër, ka shumë ambjente për t’u argëtuar, kënde lojërash, etj.
CMG: Si është një ditë pushimi për ty, nga mëngjesi në mbrëmje?
Samueli: Në mëngjes sapo zgjohem, bëhem gati për plazh ku qëndroj deri në orën 12.00 dhe më pas kthehem për në hotel. Pushoj gjatë orarit të drekës, lexoj ndonjë libër dhe pasdite shkoj përsëri në plazh.
CMG: Cili është libri që ke zgjedhur të lexosh gjatë pushimeve verore?
Samueli: Gjatë pushimeve verore kam zgjedhur të lexoj nga seria, Ditari i Gregut librin “Gjuajtja e hatashme” nga autori Jeff Kinney.
CMG: Të uroj pushime të mbara!
Po dëshirat verore të Amelias, cilat janë?
CMG: Kam pranë meje një vajzë me sy shumë të bukur. Përshëndetje! Ku dëshiron t’i kalosh pushimet verore, në plazh apo në det?
Amelia (Foto personale) (1)
Amelia: Më shumë më pëlqen t’i kaloj pushimet në plazhin e Ksamilit. Nëse do zgjidhja jashtë vendit, do preferoja Dubain, por pushimet më të bukura janë të Shqipëri se i kaloj bukur me shoqërinë.
Ndërsa Elma Keta na tha se pushimet verore dëshiron t’i kalojë pranë detit.
Koha e lirë është me tepri gjatë pushimeve verore. Fëmijët duhet të kalojnë kohën jo vetëm para televizorit, kompjuterit, apo çdo mjeti tjetër teknologjie. Ata duhet të luajnë lojëra reale në ambiente të hapura, duhet të ushtrojnë sporte të ndryshme, duke shkuar në plazhe, në male, në pishina apo dhe vende me gjelbërim. Përcaktimi i një regjimi ditor krijon një mirëqënie familjare. Për shembull, rregullimi i shtratit, shtrimi i tryezës ose detyra shtëpiake të lehta për fëmijët që ata të mos mërziten. Në këtë mënyrë fëmijët do të qëndrojnë më pranë prindërve dhe do ndjehen më të lidhur me ta.
Gjithashtu prindërit bashkë me fëmijët duhet të vizitojnë bibliotekën, për të parë se si funksionon, dhe pse jo edhe për t’i marrë një libër që ata mund ta zgjedhin vetë. Shumë i rëndësishëm është edhe udhëtimi për pushime me familjen, i cili i jep një rëndësi të veçantë marrëdhënies prindër-fëmijë. Do ishte mjaft mirë sikur pushimet të alternoheshin, mal dhe det, duke përmbushur të gjithë komponentët kryesorë për të kaluar fëmijët pushimet e verës. Për Grupin Mediatik të Kinës mësuese Mirela Terova, arsimtare pranë shkollës publike “Dhora Leka” dhe bashkëautore e librit shkollor flet për pushimet verore të fëmijëve.
Femijet dhe pushimet verore (Foto nga pozitivi.org) (1)
CMG: Cila ështe mënyrë më e mirë për të kaluar fëmijët pushimet verore?
Mirela Terova: Pushimet verore zgjasin shumë dhe ne e dimë se ato nuk përkojnë me lejen vjetore të prindërve. Pavarësisht kësaj ne të rriturit duhet të mendojnë zgjidhje interesante, për t’i mbushur ditët e pushimeve të fëmijëve tanë, me sa më shumë larmishmëri. Për fëmijët, ditët e pushimeve janë koha më e bukur për ta. Ata mezi i presin pushimet, larg shkollës, detyrave, rregullave, librave , çantave, mëngjezeve të vështira, dhe ne nuk duhet t’i zhgënjejmë në asnjë mënyrë. Si mësuese rekomandoj daljen sa më shumë në natyrë. Ata që mund të kenë gjyshërit në një vend malor apo në det, mund t’i çojnë fëmijët aty sepse ata përveçse do të ndjehen të lirë, do të marrin dhe dashurinë e gjyshërve që vetëm ata dinë ta falin.
Një mënyrë tjetër është koha e kaluar bukur me prindërit, kur ata marrin lejen sepse gjatë vitit shkollor fëmijët kalojnë shumë pak kohë me prindërit dhe në periudhën e pushimeve, kalojnë 24 orë me ta dhe ndajnë çdo emocion bashkë. Duket si klishe, por edhe leximi i librave artistikë është një kohë e bukur, të cilën gjithashtu e rekomandoj.
Mirela Terova me femijet-Foto Personale
CMG: Çfarë ndryshimi ka midis fëmijëve dikur me fëmijët e ditëve të sotme?
Mirela Terova: Toka, planeti ynë, këtu e ka të bukurën që ndryshon, ndryshojnë modelet, ndryshon moda, shoqëritë ndryshojnë, e si të mos ndryshojë njeriu! Mua kjo gjë më duket zhvillim. Kam parë dhe jam e bindur se fëmijët janë më të bukur se dikur, tiparet e tyre përsosen gjithmonë. Mendja, emocionet, dëshirat nuk mund të jenë si të fëmijëve dikur. Na takon ne të rriturve, të njohim dhe të pranojmë të sotmen. Në biseda tavolinash gjithmonë e kundërshtoj shprehjen, "Si janë bërë këta fëmijët e sotëm!.” Nuk është problemi i tyre, më besoni është problemi i të rriturve.
Në krijimin e familjes bazë është lindja dhe rritja e një apo më shumë fëmijëve. Të paktën ne me këtë steriotip jemi mësuar deri tani, u duhet prindërve që të jenë më të përgatitur për të marrë një detyrë të re, atë më të rëndësishme dhe më të vështirën, prindërimin. Të lexojnë, të trajnohen, të kërkojnë ndihmë, por ama të gabojnë më pak. Shkolla përgatitet për kontigjentin që vjen, gjysmë të mësuar, por ka edhe ajo përgjegjësitë e veta, por vetëm fëmijët nuk kanë asnjë faj. Sot fëmijët thjesht kërkojnë vëmendje,kërkojnë të eksplorojnë, të dalin, të luajnë me shokë, të luajnë me prindërit. Edhe dikur kështu ka qenë, por ne dilnim, prindërit rrinin me ne, shkolla menaxhohej ndryshe, shoqëria ishte ndryshe. Le t’i ruajmë vlerat e dikurshme, edhe pse në dukje të vjetëruara, vlerat mbeten vlera.
Mirela Terova mesuese-Foto Personale (1)
CMG: Çfarë u sugjeroni prindërve që janë në punë dhe nuk kanë asnjë mundësi për të kaluar kohë me fëmijët?
Mirela Terova: Jam pjesë e kësaj shoqërie nënë me dy fëmijë, dhe që më duhet të dal që në mëngjes në punë e të kthehem në mesditë. E di sa e vështirë, stresuese dhe zhgënjyese është ndonjëherë dita. Ne mbajmë përgjegjësinë tonë, por ka shumë e më shumë përgjegjës mbi ne, që duhet dhe mund të na i lehtësojnë ngarkesën si prindër. Mekanizmant në Shqipëri për fat të keq ekzistojnë shumë pak, për të mos thënë aspak. Prandaj dhe unë e kam shumë të vështirë të rekomandoj raste suksesi, kur prindërit janë gjithë kohës në punë.
E vetmja gjë pozitive këtu duhet ,që me të ardhurat që marrin, një pjesë t'ja dedikojnë lumturisë, kënaqësisë së fëmijëve. Kurse kampet, shkollat verore, janë forma të shtrenjta, por jo të pamundura për këtë target njerëzish. Një shprehje popullore thotë: "Shtriji këmbët sa ke jorganin!", prandaj kjo është shumë personale. Por përsëri unë e kam një propozim, duke lundruar në internet gjen grupe eksploruesish, dashamirës të natyrës. Ata ta ofrojnë pjesën e parë të ditës me guida interesante dhe relativisht jo të shtrenjta, të cilën do e quaja "një dado në natyrë".
Nëse fëmija është pak më i rritur, mund të rrijë në ambjente të përbashkëta me shokët e lagjes, si dikur ne, që mbanim çelësit e shtëpisë në qafë dhe luanim. Unë gjithmonë i këshilloj nënat të heqin dorë nga proteksioni i tepruar. Mësojini fëmijët që të dinë të orientohen në natyrë dhe të njohin të keqen përpara se të ndodhë, siç kemi bërë ne dikur.
Koha s’është diçka që duhet kaluar, por duhet shfrytëzuar. Gjatë pushimeve verore s’ka vlerë vetëm argëtimi, por një vlerë të rëndësishme ka edhe koha cilësore e kaluar së bashku si famije, për një mirëqenie sa më të mirë psikologjike.
Intervistoi: Sava Lena