Kongresi i pestë Ballkanik i Kirurgjisë Orale dhe Maksilofaciale bëhet për herë të parë në Shqipëri. Gjatë periudhës së pandemise të gjithë eventet u bënë online dhe ky kongres është i pari në këtë fushë, i cili po realizohet me prezencë fizike. Nga kërkesat e larta të kirurgeve për të qenë prezent në këtë kongres është vënë re se realizmi i tij ishte shumë i nevojshëm.
Renato Isufi koordinator i Kongresit flet për organizimin e tij
“Ky kongres e ka origjinën që në vitin 2019, kur u bë mbledhja e konsujve të Shoqatës Ballkanike të Kirurgjisë Orale dhe Makrofaciale. Zhvillohet në Ballkan çdo 3 vjet dhe u vendos që këtë herë të ishte rradha e Shqipërisë, madje u projektua të ishte në qershor 2020, por pandemia ndikoi duke bërë shtyrjen për gati 2 vjet. Është i shtrirë në tre ditë. Ditën e parë ishte e organizuar për kirurgët e rinj mjekët specializantë që konsiderohen të fushës. Me prezantimet e tyre ata paraqitën punimet e tyre, si dhe u ndanë tre çmime dhe një bursë. Një çmim nga Shoqata ballkanike dhe një nga ajo shqiptare”, tha Isufi.
Gjatë mbajtes së konferencës (Foto Facebook)
Qëllimi i këtij kongresi ishte që pas viteve të pandemisë dhe vështirësive për t’u lidhur dhe për të ndarë eksperiencat mes kirurgëve të bëhet në mënyrë që të diskutojnë mbi zhvillimet e fundit rreth teknologjisë.
“Mes këtij kongresi, sidomos pas dy viteve të vështira të pandemisë, ne synuam të sjellim në Shqipëri disa nga eminencat e kirurgjisë orale dhe maksilofaciale ndërkombëtare, por edhe nga trevat përreth sidomos nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Qëllimi ishte që të prezantojnë teknologjinë më të fundit si dhe zhvillimet përreth kësaj kirurgjie me teknikat bashkëkohore të saj”shtoi ai.
Kongresi është i organizuar ne tre ditë. Në ditën e parë i është dhënë mundësia specializantëve nga Shqipëria, Ballkani dhe Europa që të shprehin nëpërmjet prezantimeve eksperiencen e tyre dhe për prezantimet më të mira ka pasur tre çmime nga Shoqata europiane, nga Shoqata ballkanike dhe nga Departamenti i Kirurgjisë Maksilofaciale Shqiptare.
Konferenca, Renato Isufi (Foto facebook)
“Kongresi ballkanik mbahet për herë të parë në vendin tonë, por periodikisht për dy vjet ne kemi organizuar një kongres dhe kemi pasur spiker të ftuar nga vende të ndryshme të botës. Por si event ballkanik është hera e parë që zhvillohet në Tiranë”, theksoi koordinatori.
I pyetur sesi kanë qenë kërkesat për t’u bërë pjesë e këtij kongresi, Isufi shprehet se nga kirurgët ka pasur gjithmonë interes pasi dhe pandemia dhe mbledhjet online kanë ndikuar.
“Kërkesat për këtë kongres duke qenë se zhvillohej live kanë qenë të larta, sepse ishin edhe pas pandemisë ku shumica e konferencave u realizuan online. Njerëzit kishin interes të takoheshin me njëri- tjetrin dhe u pa që pjesmarrja ishte mjaft e mirë dhe takimi i kirurgëve të rinj me ata të vjetër u vu re që ishte shumë i rëndësishëm që dhe evente të tjera në të ardhmen të realizohen me prani fizike”, tha ai
Konfernca e Kirurgjisë (Foto facebook)
Në këtë event morën pjesë disa nga figurat elitare të kirurgjisë maksilofaciale ballkanike, europiane dhe ndërkombëtare, që me prezantimet e tyre paraqitën zhvillimet më të fundit në fushën e kirurgjisë orale dhe maksilofaciale, rikonstruksionet estetike dhe onkologjike të fytyrës.
“Përsa i përket profesorëve pjesmarrës në këtë kongres ne kemi pasur fatin që të konfirmojmë pjesmarrjen e tyre në Shqipëri. Presidentja e AOMS, Shoqata Botërore e Kirugjisë Orale dhe Maksilofaciale Gabriel Milethi nga Austria, presidenti i Shoqatës Europiane Pulio Asero nga Spanja, kemi pasur të ftuar tre profesorë nga Austria, profesorë të fushës nga Italia, Gjermania dhe trevat ballkanike, po ashtu edhe nga ortodoncia nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut. Pjesmarrja e këtyre profesorëve është një element i madh jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin, por për të gjithë Europën sepse vetëm prezenca e tyre ka një interes për të gjithë”, u shpreh Isufi.
Sipas tij kongresi u realizua me sukses dhe pjesëmarrësit ndanë midis tyre eksperiencat në kirurgjinë orale dhe maksilofaciale, ndërsa tha se kongresi do të vijojë edhe në të ardhmen.
Renato Isufi (Foto facebook)