Shefja Ekzekutive e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR) Carrie Lam mendon se e ardhmja e Hong Kongut është shumë premtuese.

"Hong Kongu sot është më i qëndrueshëm se kurrë më parë. Unë kam besim se me mbështetjen e vendosur të autoriteteve qendrore, Hong Kongu do të ketë një të ardhme të ndritur, pasi fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe shfrytëzon avantazhet e tij unike",- tha Lam në një intervistë me “Xinhua”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

PRAKTIKA E SUKSESSHME E "NJË VEND, DY SISTEME"

Duke përshëndetur praktikën "një vend, dy sisteme" si një vizion i madh dhe një kauzë novatore, Lam tha se kjo praktikë në Hong Kong gjatë 25 viteve të fundit ka rezultuar e suksesshme.

Në një takim për festimin e 20-vjetorit të kthimit të Hong Kongut atdheut më 1 korrik 2017, presidenti kinez, Xi Jinping, shpjegoi marrëdhëniet midis "një vendi" dhe "dy sistemeve".

""Një vend" është si rrënjët e një peme. Që një pemë të rritet e lartë dhe e dendur, rrënjët e saj duhet të jenë të thella dhe të forta",- tha Xi.

"Më pëlqen veçanërisht metafora e një peme",- tha Lam. "Vetëm duke marrë "një vend" si themel dhe duke mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës, "dy sistemet" mund të vihen në lojë të plotë".

Duke pranuar se Hong Kongu ka kaluar nëpër sfida dhe vështirësi të mëdha gjatë pesë viteve të fundit, Lam tha se tani është kthyer në rrugën e duhur.

Për të nxitur zhvillimin e Hong Kongut, Lam bëri thirrje për përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë kombëtare midis banorëve, për ta integruar më mirë Hong Kongun në zhvillimin kombëtar dhe për të promovuar zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë inovacionin e teknologjinë dhe shërbimet financiare.

RUAJTJA E SIGURISË KOMBËTARE

Duke kujtuar trazirat në vitin 2019, Lam tha se qeveria qendrore u përgjigj me vendosmëri duke vendosur ligjin e sigurisë kombëtare në Hong Kong, duke luajtur një rol instrumental në dhënien fund të dhunës dhe kaosit dhe rivendosjen e rendit në qytet.

“Është e domosdoshme të zhvillohet një sistem ligjor i shëndoshë dhe mekanizma zbatuese për Hong Kongun për të mbrojtur sigurinë kombëtare”, - tha Lam. “Përndryshe, jo vetëm që do të rrezikohet siguria e Hong Kongut, por edhe i gjithë vendi do të jetë në rrezik të madh”.

Trazirat e vitit 2019 u mundësuan njerëzve të shihnin se një vakum legjislativ në lidhje me sigurinë kombëtare në Hong Kong mund të çonte në infiltrim ose akte sabotimi kundër pjesës kontinentale nëpërmjet Hong Kongut nga forcat e jashtme, shtoi ajo.

“Ligji i sigurisë kombëtare në Hong Kong ka ofruar një bazë solide për ne për të ecur përpara”, - tha Lam.

PATRIOTËT QË ADMINISTROJNË HONG KONGUN

Nga shtatori 2021 deri në maj 2022, sipas sistemit të ri zgjedhor, HKSAR zhvilloi me sukses zgjedhjet për Komisionin Zgjedhor, për mandatin e shtatë të Këshillit Legjislativ (LegCo) dhe për shefin e ekzekutivit, mandati i gjashtë. Një numër në rritje njerëzish të aftë dhe patriotë kanë hyrë në strukturën qeverisëse të HKSAR.

Lam tha se qëllimi i përmirësimit të sistemit zgjedhor të HKSAR ishte zbatimi më i mirë i parimit të "patriotëve që administrojnë Hong Kongun".

"Në të kaluarën, kur ishte fjala për zgjedhjet, unë isha e shqetësuar se njerëz jopatriotë do të hynin në legjislativ, duke penguar kështu administrimin e qeverisë së HKSAR. Ata madje mund ta përdorin këtë platformë për të bërë diçka kundër autoritetit qendror dhe për të dëmtuar marrëdhëniet ndërmjet autoritetit qendror dhe HKSAR”, - tha ajo. “Tani këto shqetësime nuk ekzistojnë më”.

Zbatimi i parimit "patriotët që administrojnë Hong Kongun" i ka dhënë hapësirë qeverisë së HKSAR për më shumë arritje, tha Lam, duke shtuar se zyrtarët e ardhshëm të HKSAR do të jenë më të sigurt në planifikimin për të ardhmen e Hong Kongut.

OPTIMISTE PËR TË ARDHMEN

Lam theksoi zhvillimin e Zonës së Gjirit të Madh Guangdong-Hong Kong-Makao si arritjen më të rëndësishme të pesë viteve të fundit. Vënia në punë e seksionit të Hong Kongut të lidhjes hekurudhore ekspres Guangzhou-Shenzhen-Hong Kong, urës Hong Kong-Zhuhai-Makao dhe portit Liantang pika e kontrollit kufitar Heung Yuen Wai ka lehtësuar formimin e një qarku banimi të arritshëm brenda një ore në zonën e Gjirit të Madh Guangdong-Hong Kong-Makao.

“Në mënyrë që Hong Kongu të ketë një të ardhme më të ndritur, është e domosdoshme që të integrohet në zhvillimin e përgjithshëm të Kinës”,- theksoi Lam.

Gjatë 25 viteve të fundit, bashkëpunimi dhe shkëmbimet midis Hong Kongut dhe Kinës kontinentale janë thelluar, vuri në dukje Lam, duke shtuar se Plani i 14-të Pesëvjeçar i vendit (2021-2025) mbështet Hong Kongun në rritjen e statusit të tij si një vend ndërkombëtar financiar e transportues, qendër tregtare e qendër ndërkombëtare e aviacionit, si edhe në forcimin e rolit të tij si një qendër globale biznesi, një qendër ndërkombëtare për menaxhimin e aseteve dhe menaxhimin e rrezikut.

Plani gjithashtu mbështet Hong Kongun në zhvillimin e tij në një qendër ndërkombëtare të inovacionit dhe teknologjisë, një qendër për shërbimet ndërkombëtare ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në rajonin e Azi-Paqësorit, një qendër rajonale tregtare e pronësisë intelektuale, qendër për shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës dhe për promovimin e industrive të shërbimeve për zhvillim të nivelit të lartë, shtoi ajo.

"Hong Kongu ka një themel më të mirë në të ardhmen dhe ne duhet të jemi më të sigurt në bërjen e diçkaje novatore për të nxitur ekonominë dhe për të përmirësuar jetesën e njerëzve",- tha Lam. "Unë jam optimiste për të ardhmen e Hong Kongut, sepse ne jemi kthyer në rrugën e duhur të “një vend, dy sisteme'",- përfundoi Lam.