Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao (GBA), e vendosur përgjatë bregdetit jugor të Kinës, është një ndër katër zonat më të mëdha të gjirit në botë, së bashku me tre të tjera që përkatësisht ndodhen në Nju Jork, San Françisko dhe Tokio. GBA-ja e Kinës përfshin dy rajone të posaçme administrative (SAR) të Hong Kongut dhe Makaos, si dhe nëntë qytete të Kinës kontinentale në provincën Guangdong. Me një sipërfaqe prej 56 mijë kilometrash katrorë, këtu është një ndër zonat më të hapura dhe me më shumë vitalitet zhvillimi ekonomik në Kinë. Deri në fund të vitit 2020, numri i banorëve në Zonën e Madhe të Gjirit i kaloi 80 milionë, me një PBB prej 11.5 trilionë juanësh (mbi 1.7 trilionë dollarë amerikanë).
Hong Kong(Foto:VCG)
Sipas planit të publikuar në vitin 2019 të qeverisë qendrore, Kina synon ta ndërtojë këtë zonë si një ndër grupqytetet e zhvilluara të nivelit botëror, qendër të risive teknologjike ndërkombëtare, nyjë të rëndësishme të ndërtimit të nismës “Një brez, një rrugë” dhe shembull të zhvillimit cilësor. Vitet e fundit, krahas shpejtimit të ndërtimit të kësaj zone, gjithnjë e më shumë të rinj, duke përfshirë ata nga Hong Kong-u, po gjejnë hapësira të reja zhvillimi.
Sipas njoftimit të gazetës vendore “Ta Kung Pao”, “Plani i punësimit të të rinjve në Zonën e Madhe të Gjirit” gjeti jehonë të madhe. Brenda një viti qeveria mori mbi 20 mijë aplikime punësimi nga të diplomuarit hongkongas, 1.100 prej të cilëve kanë nisur një karrierë të re.
Zona e Madhe e Gjirit ofron shanse për të rinjtë në Hong Kong(Foto:VCG)
Plani i nxjerrë nga qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kong-ut ka për qëllim të inkurajojë ndërmarrjet që kanë biznes në Hong Kong dhe qytete të tjera të Zonës së Madhe të Gjirit të rekrutojnë më shumë të diplomuar hongkongas, duke i dërguar të punojnë në qytete jashtë Hong Kong-ut. Çdo i diplomuar që gjen punë përmes këtij plani do të fitojë 10 mijë dollarë hongkongas subvencion mujor, ndërsa ky financim mund të zgjasë maksimalisht 18 muaj. Përveç këtyre, Fondi i Zhvillimit të të Rinjve i autoriteteve të Hong Kong-ut publikoi dy plane të tjera financimi dhe shërbimi për të mbështetur grupet e start-up të të rinjve hongkongas për të krijuar biznese risish brenda mekanizmit të Zonës së Madhe të Gjirit.
Në reagimin e politikës së qeverisë qendrore provinca Guangdong ka marrë një sërë masash për të përshpejtuar zhvillimin e integruar të Zonës. Për shembull, të rinjtë që vijnë nga Hong Kong-u dhe Makao mund të gëzojnë subvencione në fushën e sigurimeve shoqërore, mjekësore, krijimin e bizneseve, të trajnimeve profesionalë etj., pasi punësohen në nëntë qytete të kësaj province që përfshihen në Zonën e Madhe të Gjirit. Jo vetëm kaq, qytetet si Shenzhen dhe Guangzhou kanë publikuar politikat e tyre të favorshme për të rinjtë nga Hong Kong-u dhe Makao. Me nxitjen e politikave të tilla gjithnjë e më shumë të rinj po fillojnë t’i drejtojnë sytë nga hapësira e gjerë që ofrojnë këto qytete. Të dhënat statistikore tregojnë se vetëm brenda një viti 3.652 talentë të rinj hongkongas janë punësuar në 549 kompani të sapokrijuara.
Qyteti Zhuhai i provincës Guangdong që i takon Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao(Foto:VCG)
Ura Hong Kong-Zhuhai-Makao(Foto:VCG)
Për 35-vjeçarin Han Liang ndërtimi i Zonës së Madhe të Gjirit ka ofruar shanse të papara për karrierën e tij. “Politikat e provincës Guangdong janë shumë të favorshme, të cilat kanë konsoliduar besimin tim për të çelur një të ardhme më të ndritur”, - thotë ky i ri, studiues i nderit i Shkollës së Shkencës Biologjike të Universitetit të Hong Kong-ut dhe themeltar i një kompanie farmaceutike në qytetin Shenzhen. Tani fokusi i tij është zhvillimi i një ilaçi kundër diabetit përmes kontrollit të nivelit të sheqerit në gjak. Sipas tij, Hong Kong dhe Shenzhen kanë epërsitë e tyre të cilat mund të shfrytëzohen nga ai në të njëjtën kohë.
“Për studimet Hong Kong-u është një qendër më e ndërkombëtarizuar dhe që favorizon shkëmbimet me studiuesit e huaj. Disa universitete në Hong Kong kanë fuqi të madhe studimore në fushën biologjike. Ndërsa për krijimin e kompanisë, Shenzhen mund të ofrojë kushte më të favorshme nga toka, subvencionet, taksat etj., për shkak të mbështetjeve më të forta qeveritare. Prandaj zhvendosa një pjesë të punës në qendrën e risive në distriktin Pingshan të qytetit Shenzhen. Më shumë të rinj hongkongas duhet të bëjnë një vizitë në pjesën e brendshme të atdheut për të zgjeruar horizontin e tyre, duke kapur shanse historike për të përqafuar një të ardhme më të bukur personale”, përfundon Han Liang.