Lumnie Hoti ka lindur në qytetin muze të Beratit, ku u rrit mes shumë ëndrrave, të cilat nuk mundi t’i përmbushë në Shqipëri. Ndërsa kalonte një kalvar vuajtjesh Lumnia vendosi të emigrojë në Itali. Jeta e saj ndryshoi pasi u certifikua si sozia e aktores italiane me fame botërore Claudia Cardinale. Ajo ka fituar çmimin e dytë në karnavalet botërore të Venecias, ku edhe ka përfaqesuar Shqipërinë. Ndërsa në Spanjë Lumnies i është dhënë titulli “Miss Over 50”. Së fundmi ajo ka botuar librin me poezi “Melodia e jetës”.
Karnavelet e Venecias Lumnie Hoti (Burimi Personal)
Për Grupin Mediatik të Kinës Lumnie Hoti rrëfen rrugëtimin e saj jetësor
CMG : A mund të na tregoni se si lindi kontakti me botën e modës?
Lumnie Hoti : Në një ditë me shi! Unë sapo kisha dalë nga puna dhe binte shumë shi. Pashë një grua të bukur që më thërriti, nëse mund ta ndihmoja pak. Rrugës, duke e shoqëruar më pyeti kush jam dhe unë i tregova për veten. Madje i thashë se ndonëse jetoja në Sanremo, nuk e kisha parë kurrë Festivalin e Sanremos sepse isha shumë e ngarkuar për të rritur fëmijët. Ajo quhej Miranda dhe më falenderoi, si dhe më dha një kontakt të zyrës së saj të modës. Zonja ishte presidente e grupit të vajzave të modës që janë sozi të artistëve me famë. Unë shkova në Milano dhe fitova çmimin e sozisë së aktores italiane Claudia Cardinale, sepse sipas saj i ngjaja tepër. Më 15 shkurt ajo më fton në ditëlindje dhe po atë ditë më dhanë certifikatën si sozia e aktores Cardinale.
CMG :Jeta juaj dje dhe sot. Çfarë ka ndryshuar?
Lumnie Hoti: Dua të jem e sinqertë. Jeta ime qëkurse linda dhe deri vite më parë ka qenë tepër e vështirë. Jam rritur pa prindër, por njerka u bë për mua nëna e dytë. Nuk ishte ky një vendim i detyruar, por u bë me gjysmë dëshirë.
Libri Melodi E jetes nga Lumnie Hoti (Burimi Personal)
CMG : Si ishte për ju të rriteshit nga një nënë tjetër?
Lumnie Hoti: Unë u rrita nga gruaja e babait tim, por nëna ime biologjike jeton ende dhe sot. Nuk e kam ndjerë presionin e të mos qenit pranë nënës biologjike sepse më kane trajtuar tepër mirë. Babai im ishte tepër i pasur dhe nuk na rriti me vështirësitë që ajo kohë ka pasur. Nga Kosova u zhvendosëm në Berat për të jetuar. Berati është një qytet tepër i bukur.
CMG : Kuptimi i emrit Lumnie cili është ? Kush ua ka vendosur?
Lumnie Hoti : Emrin ma ka vendosur nëna ime e dytë në fakt, sepse unë për të isha një lumturi e madhe dhe kuptimi i emrit është lumturi!
CMG : Momenti i vendimit për të emigruar drejt Italisë pse erdhi?
Lumnie Hoti : Në atë kohë unë lodhesha shumë sepse bëja punë të vështira deri në punët e burrave si përshembull në ndërtim, që për mua ishte një sakrificë e madhe. Nuk dua t’i kujtoj ato vuajtje sepse ende me dridhet shpirti nga çfarë kaloja. Kam ikur me gomone me dy fëmijë të vegjël. U nisa me Klean dhe Etmondin nga Vlora, një rrugë e gjatë dhe e rrezikshme. Në gomone dëgjonim vetëm ulërima. Ishte moment i frikshëm, por ishte një hap personal, ndaj nuk ka fajtor. Sapo mbërrita në Itali kam bërë çdo lloj pune. Unë kam shitur gjakun e trupit që të hanin bukë fëmijët.
CMG : Cila ka qenë puna juaj e parë në tokë të huaj ?
Lumnie Hoti :Ne fillim isha në Caritas dhe u ndaja bukën njerëzve në nevojë. Me besimin në Zot ja dola, sepse kush ndjek rrugën e duhur në fund ja del.
CMG: Si ndiheni në këtë çast të jetës, cila është fitorja dhe humbja më e madhe në jetë?
Lumnie Hoti : Fitorja më e madhe në jetën time është që kam fituar vetveten dhe çdo gjë e bëj me pasion për të përmbushur veten time. Ndërsa humbja më e madhe ka qënë largimi nga jeta i bashkëshortit dhe babait tim, dy njerëzve të shtrenjtë për mua.
CMG: Cfarë mbetet për ju gjëja më e shtrenjtë në jetë ?
Lumnie Hoti: Fëmijëria është gjëja më e shtrenjtë e njeriut!
CMG: Cila aromë ju sjell kujtime?
Lumnie Hoti: Aroma e borzilokut që nëna ime mbushte dikur gjithë shtëpinë.
Lumnie Hoti (Burimi Personal)
CMG: A keni nxjerrë mësime nga jeta?
Lumnie Hoti: Po kam mësuar të jem e lumtur, të punoj e qetë dhe mos të jem xheloze. Mua që të gjithë miqtë që më njohin e dinë që nuk kam natyrë xheloze. Unë i dua të gjithë dhe i respektoj pa dallim. Kjo është një botë që ka vend për të gjithë.
CMG: Në librin “Melodia e jetës” kujt i shkruani më tepër?
Lumnie Hoti: I shkruaj të gjithave, lumturirë, dashurisë, pengjeve, Kosovës e Shqipërisë. Unë kudo ku shkoj tregoj që vij nga Shqipëria. Në çdo event që kam marrë pjesë kam treguar që jam nga Shqipëria. Ky është një libër me poezi dhe ka ndjesitë e mia brenda. Unë kam dhe një libër tjetër “Çizmja prej llastiku”. Librat unë i fal. Nuk kam libra për të shitur sepse dua thjesht që njerëzit të lexojnë dicka për kënaqësi.
CMG: Tashmë jetoni larg Shqipërisë. Si është jeta në Kanë?
Lumnie Hoti: Në Kanë kam jetuar dy vite dhe dua të jetoj edhe disa të tjera. Ndërsa, sapo kam blerë edhe një shtëpi në Durrës dhe shume shpejt do të vij të jetoj në Shqipëri. Në Shqipëri më gjen rehati shpirti.
Intervistoi :Megi Latifi