Mbretëria e Bashkuar prezantoi një projektligj për të ndryshuar pjesë të Protokollit të Irlandës së Veriut, një marrëveshje tregtare pas Brexit, ndërsa Bashkimi Evropian bëri të ditur se veprimi i njëanshëm po dëmton besimin e ndërsjellë dhe kërcënoi me veprime ligjore.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qeveria britanike njoftoi përmes një deklarate se projektligji do ta lejojë atë të adresojë problemet praktike që Protokolli ka krijuar në Irlandën e Veriut, në katër fusha: proceset e rënduara doganore, rregullat jo fleksibël, mospërputhjet e taksave dhe shpenzimeve dhe çështjet e qeverisjes demokratike.

“Këto probleme përfshijnë ndërprerjen dhe devijimin e tregtisë, kosto të konsiderueshme dhe burokraci për biznesin. Ata po minojnë gjithashtu Marrëveshjen e Belfast-it dhe kanë çuar në kolapsin e marrëveshjeve për ndarjen e pushtetit në Asamblenë e Irlandës së Veriut”, -bëri të ditur qeveria britanike.

Nënshkruar në vitin 1998 pas tre dekadash konflikti, Marrëveshja historike e Belfast-it krijoi një sistem qeverisjeje për ndarjen e pushtetit, duke përfshirë një Ekzekutiv dhe Asamble. Ajo mbështet paqen në Irlandën e Veriut, zgjidhjen e saj kushtetuese dhe institucionet e saj.

Së fundi, është bërë më urgjente zgjidhja e mosmarrëveshjeve mbi protokollin, pas fitores në zgjedhjet për Asamblenë nga Sinn Fein, Partia Nacionaliste irlandeze. E renditur e dyta në zgjedhje, Partia Demokratike e Unionit pro Brexit njoftoi se nuk do të jetë e pranishme në Asamble. Partia është kundër protokollit, duke bërë të ditur se ai krijon një kufi tregtar në Detin Irlandez.

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, tha se projektligji do t'i japë fund situatës së paqëndrueshme, ku njerëzit në Irlandën e Veriut trajtohen ndryshe nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe do të mbrojë supremacinë e gjykatave dhe integritetin territorial.

Protokolli ka thelluar një përçarje midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. Sipas protokollit, Irlanda e Veriut është pjesë e territorit doganor të Mbretërisë së Bashkuar, por i nënshtrohet kodit doganor të BE-së, rregullave të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe rregullave të tregut unik për mallrat. Pavarësisht marrëveshjes së të dy palëve në tetor 2019, Protokolli ka shkaktuar ndarje mbi mënyrën se si duhet të zbatohen disa nga rregullat, veçanërisht ato për mallrat që lëvizin nga Britania e Madhe në Irlandën e Veriut.

“Mbretëria e Bashkuar është angazhuar gjerësisht me BE-në për të zgjidhur problemet me Protokollin e Irlandës së Veriut gjatë 18 muajve të fundit”, -thuhet në deklaratën e qeverisë britanike, ku theksohet se ndërkohë është bërë e qartë që propozimet e BE-së nuk trajtojnë problemet thelbësore të krijuara nga Protokolli. Sipas deklaratës, ato do të ishin më keq se status quo-ja, duke kërkuar më shumë dokumente dhe kontrolle se sot.

Në përgjigje, zv.presidenti i Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, deklaroi se veprimi i njëanshëm i Mbretërisë së Bashkuar po dëmton besimin reciprok. “Rinegocimi i Protokollit është jorealist. Asnjë zgjidhje alternative e zbatueshme nuk është gjetur për këtë çëshje delikate dhe të negociuar gjatë”, -tha Sefcovic.

Komisioni Evropian bëri të ditur se do të marrë në konsideratë vazhdimin e procedurës së shkeljes ndaj qeverisë britanike, në mars 2021, por që më pas u pezullua. Sipas Sefcovic, Komisioni do të konsiderojë gjithashtu nisjen e procedurave të reja të shkeljes që mbrojnë tregun unik të BE-së nga rreziqet që shkelja e Protokollit krijon për bizneset e BE-së dhe për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të BE-së.