Foto nga VCG
Kapërcimi i ndarjes globale digjitale, duke siguruar lidhjen në rrjet të miliarda njerëzve në mbarë botën, kërkon më shumë përpjekje të bashkërenduara globale. Në hapjen zyrtare të edicionit të 8-të të Konferencës Botërore të Zhvillimit të Telekomunikacionit (WTDC), që nisi punimet në fillim të kësaj jave në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Zhao Houlin, tha se është bërë shumë përparim global me pothuajse pesë miliardë njerëz që janë online sot. Megjithatë, sipas tij, një e treta e njerëzimit është ende jashtë linje, që përbën afro tre miliardë njerëz, kryesisht në vendet në zhvillim dhe në zonat e varfra rurale.
“Ne kemi detyrimin sot të drejtojmë zhvillimin e teknologjive të reja të përqendruara në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) të Kombeve të Bashkuara", - tha ai.
Zhao i bëri jehonë thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për lidhje universale me shërbime të përballueshme deri në vitin 2030, duke shtuar se Konferenca Botërore e Zhvillimit të Telekomunikacionit është e përkushtuar të heqë të gjitha barrierat e mbetura.
Duke folur në këtë aktivitet, presidenti i Ruandës, Paul Kagame, tha se në Ruanda dhe në të gjithë botën, pandemia e Covid 19 ka përshpejtuar përshtatjen e teknologjive digjitale, por sfidat mbeten ende.
"Qasja në internet me shpejtësi të lartë nuk ka vazhduar me ritmin e shpejtë të transformimit digjital dhe digjitalizimit të ekonomisë në përgjithësi. Nëse këto pabarazi lihen të pakontrolluara, zhvillimi do të përshpejtohet gjithnjë e më shumë në disa pjesë të botës, ndërsa gjetkë do të ngadalësohet”, - tha Kagame.
"Një e treta e botës mbetet jashtë linje dhe shumica janë gra në vendet në zhvillim. Përgjegjësia për të formuar të ardhmen e ekonomisë digjitale dhe për të siguruar që askush të mos mbetet prapa, qëndron te të gjithë ne, duke punuar së bashku",- tha ai.
Sipas presidentit të Ruandës, ekziston nevoja për t'u dhënë përparësi partneriteteve publik-privat, për të zgjeruar aksesin digjital të përballueshëm dhe për t'i pajisur qytetarët e cenueshëm me aftësitë e shkrim-leximit digjital.
"Përfshirja digjitale do të jetë themeli i bashkëpunimit global dhe një mjet për të fuqizuar njerëzit për të përmirësuar jetën e tyre. Kjo është arsyeja pse një qasje më e përqendruar te njerëzit duhet të jetë në qendër të punës sonë",- tha Doreen Bogdan-Martin, drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Telekomunikacionit të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.
Duke iu drejtuar konferencës në një mesazh televiziv, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se potenciali i teknologjive digjitale për të na ndihmuar të fitojmë terrenin e humbur në përpjekjet për të arritur 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara është i jashtëzakonshëm. Por edhe sfidat janë po ashtu të jashtëzakonshme.
“Detyra jonë është të hartohet një plan i ri veprimi, për të sjellë afro tre miliardë njerëz të palidhur në komunitetin tonë digjital global”, - tha ai.
Konferenca Botërore e Zhvillimit të Telekomunikacionit, duke qenë e para e këtij lloji në kontinentin afrikan, mblodhi më shumë se 1000 njerëz për të diskutuar mënyra të reja për të zhvilluar qasje inovative, modele të reja bashkëpunuese për lidhjen digjitale për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Ngjarja globale e teknologjisë, që mbahet nga data 6 deri më 16 qershor, përpiqet të hartojë një udhërrëfyes të ri të guximshëm për shfrytëzimin e teknologjive digjitale për të nxitur zhvillimin socio-ekonomik dhe për të rienergjizuar progresin drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të vendosura nga OKB-ja për vitin 2030.
Nën kujdesin e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit - agjencia e specializuar e Kombeve të Bashkuara për teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, Konferenca Botërore e Zhvillimit të Telekomunikacionit mbledh së bashku anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë krerët e shteteve, ministra qeverish, delegacione kombëtare nga 153 vende, liderë të shquar nga sektori digjital, përfaqësues të organeve rajonale, duke përfshirë Bashkimin Afrikan dhe Bashkimin Evropian, si dhe zyrtarë të lartë nga organet joqeveritare.