Të rinjtë e talentuar në Shqipëri gjithnjë e më shumë po gjejnë rrugën e duhur për të dalë në jetë. Klesiana Omeri, e lindur në qytetin e Librazhdit ka përfunduar studimet për gazetari në vitin 2018. Në po të njëjtin vit nisi punën e saj të parë në median online dhe sot mbulon temat politike pranë televizionit kombëtar Klan.
Pas një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit emri i saj lakohet pozitivisht në fushën e medias.
CMG : A besoni se ne jemi historia e emrit që mbajmë?
Klesiana Omeri: Po besoj që po dhe unë kam qenë gjithnjë kurioze për kuptimin e emrit tim. Në aq sa nëna ime më rrëfen, emri im është frymëzuar në çast sapo ajo e ka dëgjuar në një emision televiziv. Me tregon që i ka pëlqyer forma se si tingëllonte dhe që në atë çast patjetër që krijoi bindjen se ky do të ishte edhe emri im.
Vite më pas jam futur për të parë edhe kuptimin e fjalës Klesiana që në gjuhën greke tingëllon diçka që ka lidhje me zhurmën, por nuk jam tepër e sigurt për këtë.
Ajo që dua të them është se më pëlqen tepër kjo zgjedhje që ka bërë nëna ime.
CMG : Mendoni se jeni rritur një fëmije i lumtur?
Klesiana Omeri :Fëmijërinë time do ta quaja dinamike sepse prej sjelljes sime ashtu ishte. Kam qenë një fëmije i lëvizur, që jetoja çdo moment, por duke u rritur e pjekur kjo gjë ndryshoi. Kam kujtime shumë të bukura nga ajo etapë e jetës sime.
CMG : A je projeksion i ëndrrave të tua?
Klesiana Omeri : Po jam dhe këtë e them me bindje. Unë gjithmonë kam ëndërruar dhe nuk i kam lënë ëndrrat të shuhen, për çdo sfidë që mund të kem hasur apo problem. Ëndrrat e bëjnë njeriun të suksesshëm. Ato janë gjysma e punës.
CMG : Cilat momente kanë qenë të tilla sa mund të kesh thënë "Nuk ja dal dot"?
Klesiana Omeri: Në fakt unë kam zgjedhur që të jem e sinqertë me veten dhe e kam pranuar që në disa momente kam kaluar sfida, të cilat për momentin mund të më jenë dukur shumë të vështira. Ndërsa sot kur kthej kokën pas arrij të kuptoj që ato sfida mua më kanë rritur.
CMGi: Si e sheh veten me sytë e të tjerëve?
Klesiana Omeri: Mendoj që jam një puzzle emocional. Kam anët e mia më të mira, që jam tepër sociale dhe e dashur dhe këtë ma vendosin shpesh në dukje, por edhe impulsive në disa raste. Impulsivitet reflektohet më pas në sjellje të tjera, por e them shpesh që jemi njerëz dhe kemi emocione e këto janë shumë normale.
CMG: Çfarë i thua më tepër vetes?
Klesiana Omeri: Nuk jam shumë e sigurtë se nga më buron gjithë kjo siguri, por vetes i them shpesh që do t'ia dalësh pavarësisht çdo gjëje, në fund do t'ia dalësh.
Shpesh edhe e pyes veten kur kam krizat ekzistencialiste.
CMG:Çfarë të shqetëson në përditshmëri?
Klesiana Omeri: Mua në fakt motorin e mendimeve ma lëviz e ardhmja.
Filloj dashur pa dashur të mendoj a do jem ajo që dua dhe a do të kem shanse për t’i arritur gjërat. Kjo më bën të mendoj shumë. Nuk shqetësohem, por mendoj më tepër.
CMG: Profesionit i keni dhënë apo ju ka dhënë më tepër?
Klesiana Omeri : Çdo gjë është më faza. Ka pasur faza të cilat unë i kam dhënë shumë këtij profesioni, pra gazetarisë, por në këtë fazë po më jep ai mua.
Ky është lloji i profesionit që nëse nuk jep nuk merr.
CMG: Si ka lindur rrugëtimi juaj? E ke ditur se çfarë do të bëhesh?
Klesiana Omeri : Unë e kam synuar këtë që jam dhe kam kaluar momente shumë të vështira. Nga shkolla në profesion me ideale të larta ka qenë pak e vështirë.
CMG: Cili raportim ka qenë sipas teje më i vështiri?
Klesiana Omeri : Tërmeti! Absolutisht jam ndier keq që raportoja aq shumë jetë të humbura. Një ngjarje që e tronditi qenien time.
CMG: Kush ju ka mbeshtur në gjithë rrugën tuaj?
Klesiana Omeri : Familja patjetër, por edhe njeriu që kam në krah. Ai ka qenë një komunikues i mirë me mua dhe ka bërë që unë të gjej një krah të ngrohtë sa herë kam pasur nevojë.
CMG: Jeta për ty fat apo punë?
Klesiana Omeri : Shume shumë punë! Në këtë jetë asgjë nuk vjen rastësisht.
CMG: Kujt ja dedikoni arritjet tuaja?
Klesiana Omeri: Vetes!
Intervistoi:Megi Latifi