UNICEF që prej 1950, punon në 190 vende të botës me familjet, bashkësitë dhe qeveritë për të garantuar të drejtat e fëmijëve. Që prej vitit 1989, shumë qeveri kanë adoptuar Konventën e OKB mbi të drejtat e fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe respektimin e të drejtave të barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e potencialit të tyre. Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk ju garantohet shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë.
1 Qershori dita nderkombetare e fëmijëve (Foto nga google)
Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 Qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqënies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë përkoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebronin festën e “Varkës së Dragoit”. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Disa vende e festojnë Ditën Botërore të Fëmijëve më datën 20 nëntor, në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor të vitit 1959, por edhe shumë ditë të tjera janë kremtuar nga OJF të ndryshme, të cilat marrin në mbrojtje fëmijët.
Në Shqipëri kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me organizime dhe aktivitete të larmishme, por edhe shumë vende të botës realizojnë festime, të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqënies së tyre. Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktivitete të shumta u kushtohen vetëm atyre.
Aktivitete kulturore te qendres Pentagram (Foto nga facebook)
Në mbarë vendin nëpër çerdhe, kopshte, shkolla apo dhe qëndra kulturore zhvillohen aktivitete artistike me rastin e festës së fëmijëve, 1 Qershorit. Në qëndrën kulturore për fëmijë, “Pentagram” koodinatori i saj, Denis Taraj njëkohësisht këngëtar dhe vocal coach na tregoi për aktivitet e larmishme, që do organizohen përgjatë gjithë muajit qershor.
CMG: Cili është programi që keni zgjedhur për të interpretuar fëmijët për festën e tyre, 1 Qershorin?
Denis Taraj: Programi është zgjedhur me qëllimin që festa e fëmijëve të përjetohet sa më bukur nga vetë fëmijët, që janë artistët dhe të kemi një atmosferë pozitive të prindërve dhe publikut që i dëgjon. Qëndra e Kurseve të Muzikës “Pentagram” në kuadër të ditës ndërkombëtare të fëmijëve, gjithë muajin qershor ja ka dedikuar fëmijëve. Ky muaj është i mbushur me aktivitete muzikore duke filluar nga data 1 qershor, me koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës për fëmijët, i cili zhvillohet tek Pedonalia në kryeqytet. Në vijim, më 9 Qershor do të zhvillohet aktiviteti për pianistët e vegjël, i cili do ndërthuret dhe me tingujt që do na sjellë klasa e violinës. Më 13 Qershor do zhvillohet nje aktivitet për violinistët e vegjël, të cilët do të kenë skenën të gjithën për vete dhe për të gjitha bashkëpunimet e fëmijëve që kanë krijuar pranë qendrës së muzikës “Pentagram”.
Denis Taraj -Këngëtar- vocal coach (Foto personale)
Aktivitetet vazhdojnë më 16 qershor, kur do të zhvillohet ekspozita e pikturës. Piktorët e vegjël do paraqesin punimet e tyre plot me ngjyra dhe fantazi. Ky aktivitet do shoqërohet edhe nga muzikantët qëndrës kulturore, të cilët do e bëjnë edhe më të bukur këtë ditë, nën tingujt e instrumentave. Më 21 qershor skena do jetë për këngëtarët, të cilët do këndojnë duke krijuar një atmosferë magjie. Në skenë nuk do të mungojnë as balerinët, të cilët do shoqërojnë këngëtarët në performancat e tyre dhe do e ndezin skenën me ritmin e muzikës.
Aktivitetet e qershorit do të mbyllen me aktivitetin e klasës së kitarës. Ky aktivitet do zhvillohet në 26 qershor dhe kitaristët tanë do performojnë pjesët e tyre solo, por nuk do mungojnë dhe bashkëpunime me pianistë dhe kitaristë.
CMG: A angazhohen të gjithë fëmijët e kurseve të muzikës, në këto aktivitete kulturore ?
Denis Taraj: Qendra e kurseve Pentagram është një zinxhir artistik ku secila hallkë vihet në funksion të çdo shfaqjeje që qendra jonë aktivizon, prandaj muajin qershor ja kemi dedikuar fëmijëve, ku secili të ketë hapësirën e tij.
CMG: A zhvilloni aktivitete artistike edhe gjatë vitit, apo vetëm në muajin qershor?
Denis Taraj: Po, aktivitetet artistike janë në kalendarin e gjithë sezonit, duke përfshirë festat dhe rastet e veçanta.
Emili Dervishi (Foto personale)
CMG: A shihni ju tek këta fëmijë artistët e së ardhmes?
Denis Taraj: Po patjetër, janë breza shumë të talentuar dhe me intuitë. Jam i sigurtë që disa prej tyre me pak fat dhe me investimin e duhur, mund të bëhen personazhe të skenave ndërkombëtare.
Pranë qëndrës Pentagram takuam edhe një këngëtare që po përgatitej për koncertin. Ajo quhet Emili Dervishi, 9 vjeç dhe na tregoi për Radio Ejani rreth veprimtarisë
CMG: Sa kohë përgatitje të duhet për t’u prezantuar në një koncert?
Emili Dervishi: Për në koncert më duhen disa muaj përgatitje, rreth 3 -4 muaj afërsisht. Kjo varet dhe nga materialet që jam duke punuar, pasi disa këngë duan më shumë kohë.
CMG: Muzikën e sheh si një pasion të momentit, apo mund të jetë edhe një profesion në të ardhmen?
Emili Dervishi: Unë kam tre vite që studioj për kanto dhe muzika është ëndrra ime. Mendoj dhe e shoh gjithmonë si profesion në të ardhmen.
CMG: Çfarë do i thoje të gjithë fëmijëve që po të ndjekin në këto momente?
Emili Dervishi: Fëmijët dua t’i uroj gëzuar festën e 1 Qershorit dhe dua t’u them që të ndjekin ëndrrat dhe dëshirat e tyre gjithmonë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me fëmijët në kopshtin zoologjik (Foto nga google)
Më 1 Qershor Parku Zoologjik hap dyert për të gjithë vizitorët. Një grup fëmijësh dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan së bashku ambientet disa ditë përpara hapjes. Kopshti Zoologjik është rikonceptuar tërësisht, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve. Veliaj u shpreh për mediat, duke nënvizuar se mjediset e reja do të shërbejnë edhe për orët e mësimit në natyrë.
Është dita kur vetë fëmijët shprehen lirshëm për të drejtat e tyre, pra të gjithë fëmijët kanë të drejta të barabarta.
Kjo ditë i lumturon fëmijët dhe prindërit e tyre kur shohin buzëqeshjen e tyre të ëmbël. Muaji qershor është menduar i gjithi për fëmijët, pasi përkon jo vetëm me festën e tyre më 1 Qershor, por dhe me finalizimin e një viti shkollor. Gëzuar fëmijë festën tuaj 1 Qershorin dhe qofshi përherë të lumtur!
Sava Lena