Kompanitë kryesore të telekomunikacionit të Kinës janë zotuar t'ia bëjnë jetën më të lehtë numrit në rritje të qytetarëve të moshuar mes rritjes së përdorimit të shërbimeve digjitale, në kuadër të Ditës Botërore të Telekomunikacionit dhe të Shoqërisë së Informacionit, që kremtohet më 17 maj.
Slogani i këtij viti ishte “Teknologjitë digjitale për personat në moshë dhe plakja e shëndetshme”. Tre operatorë të telekomunikacionit kanë nxjerrë pajisje dhe shërbime që synojnë popullsinë në plakje, për të mbushur hendekun midis të moshuarve dhe teknologjive 5G që po zhvillohen me shpejtësi.
“Ka dy kategori të teknologjisë digjitale për të moshuarit. Njëra ka lidhje me pajisjet harduer si telefonat celularë; tjetra janë softuerët si shërbimet e aplikacioneve”, -deklaroi Zeng Jianqiu, profesor i Universitetit të Pekinit për Postën dhe Telekomunikacionin, gjatë një interviste për “Radion Kombëtare të Kinës”.
Ofruesi më i madh i telekomunikacionit në Kinë, “China Mobile”, ka nxjerrë celularë të personalizuar 5G, aplikacione dhe shërbime dhe ka zhvilluar seminare me prani fizike dhe “online”, posaçërisht për të moshuarit, për t'i inkurajuar ata të mësojnë dhe të përfitojnë nga komoditeti i sjellë nga teknologjitë e reja. “Ne synojmë të ofrojmë një sërë aplikacionesh inteligjente për popullsinë e moshuar, që lidhen me kontrollin inteligjent të zërit, transmetimin e drejtpërdrejtë, të mësuarit dhe shëndetin, për t'i shërbyer sa më mirë nevojave të tyre”, -tha Yang Jie, Drejtor i “China Mobile”.
Operatori i dytë më i madh celular në vend, “China Telecom”, ka ofruar pajisje inteligjente të përshtatura për të moshuarit që të kenë akses në shërbime përmes procedurave të thjeshtuara. Ndërkohë, “China Unicom” ka vënë në dispozicion një sërë masash lehtësuese që kanë lidhje me përmbajtjen në internet dhe shërbimet digjitale për të ndihmuar të moshuarit të përshtaten me botën “wireless”.
“Duhet ta thjeshtojmë funksionimin dhe ta dizajnojmë produktin në një mënyrë që të moshuarit mund ta kuptojnë dhe ta ndjekin. Ne mund të përfitojmë nga teknologjia ndihmëse për ta bërë më të lehtë për të moshuarit përdorimin e produkteve digjitale”, -tha Xing Guangxin, inxhinier në Institutin e Standardizimit të Elektronikës në Kinë.
Të moshuarit kanë nevojë për ndihmë për t'u përshtatur me pajisjet digjitale
Popullata e moshuar përballet me sfida në këtë drejtim, si mungesa e njohurive dhe udhëzimeve, si dhe ngadalësia në përthithjen e njohurive, gjë që i ka bërë ata të hezitojnë të përdorin shërbimet digjitale. Hulumtimet e publikuara në vitin 2021 nga Instituti Nandu Big Data dhe tre organizata të tjera zbuluan disa fakte se si të moshuarit përshtaten me teknologjitë e reja. Hulumtimi zbuloi se më pak se 20 për qind e të moshuarve që morën pjesë në studim e konsiderojnë veten të aftë në përdorimin e celularit dhe rreth 80 për qind e tyre kaluan deri në tre orë duke u marrë me aplikacionet në celular. Megjithatë, u deshën 4-10 herë për t'i mësuar të moshuarit të përdorin një pajisje elektronike midis 80 për qind të pjesëmarrësve në hulumtim. Sipas studimit, të moshuarit kishin nevojë për trajnime personale, jo për libër instruktues, për të mësuar truket në telefon.
Zyra Kombëtare e Statistikave, përmes të dhënave të publikuara në vitin 2021, bëri të ditur se në Kinë rezultojnë të jenë rreth 264 milionë njerëz mbi 60 vjeç, që përbën 18.7 për qind të popullsisë totale të plakur. Vlerësohet se shifra pritet t’i kalojë 300 milionë deri në vitin 2025.
Kina ka përgatitur një sërë planesh dhe udhëzimesh për të inkurajuar të moshuarit që të përshtaten me botën digjitale në vitet e fundit.
Më 2020-n, në Kinë u publikua nëj plan për të inkurajuar të gjitha palët që të përfshihen në një fushatë për të lehtësuar jetën për popullatën e moshuar. Plani theksoi në mënyrë specifike optimizimin e procedurave të kontrollit shëndetësor që kërkojnë skanimin e kodeve QR me telefona përpara se të hyjnë në vende publike, gjë që është bërë një praktikë e zakonshme, dhe bërjen e tyre pjesë të masave parandaluese të Covid-19.
Gjithashtu, janë përmirësuar lloje të ndryshme shërbimesh dhe skenarësh që përdoren më shpesh nga të moshuarit dhe lehtësuar pengesat që hasen zakonisht, si kërkimi i trajtimit mjekësor, dorëzimi i dokumenteve, aplikimi për certifikata, ndjekja e aktiviteteve rekreative, udhëtimet, blerjet, etj.
“Aktualisht, disa produkte teknologjike janë të përshtatshme për të moshuarit në përgjithësi. Por ne duhet të punojmë më shumë për të krijuar produktet e duhura, bazuar në zakonet e përdoruesve dhe nevojat reale të tyre”, -tha Xing.