Foto nga VCG
Zhou Xue, një punonjëse në fabrikën e prodhimit të smartfonëve “Foxconn”, në Chengdu, në provincën kineze Sichuan, nuk e mendonte se një ditë ajo të ndihmonte në zhvillimin e një aplikacioni celular.
E lindur në vitet 2000, Zhou iu bashkua fabrikës si teknike në vitin 2021 dhe një nga detyrat e saj ishte të ndryshonte dhe regjistronte mjetet e përdorura në linja të ndryshme montimi, një detyrë monotone e prirë ndaj gabimeve.
“Mjete të tilla si thika dhe bulona përdoren shumë në fabrikë dhe ato duhet të zëvendësohen shpesh. Duhet kohë dhe përpjekje për të regjistruar manualisht se sa prej tyre janë ndryshuar”, -tha Zhou.
Pas pjesëmarrjes në kurse trajnimi për programime, ajo zhvilloi një aplikacion, punë në grup, që monitoron dhe regjistron pajisjet dhe përdorimin e makinerive në kohë reale, duke kursyer kështu shumë fuqi punëtore. Aplikacioni jo vetëm që e ndihmoi Zhou-n të rriste efikasitetin e punës, por gjithashtu i mundësoi asaj që të transferohej në departamentin e inxhinierisë së internetit për automatizimin.
Zhou është pjesë e një numri në rritje të punëtorëve të linjës së parë të prodhimit në Kinë që kanë përfituar nga nisma për përmirësimin e një kategorie punonjësish të “Apple Inc”, e krijuar për të fuqizuar aftësitë e punonjësve në zinxhirët e furnizimit, duke u dhënë më shumë mundësi për të mësuar. “Foxconn” prodhon telefona inteligjentë për “Apple”.
Isabel Ge Mahe, zv.presidente dhe drejtoreshë menaxhuese e “Apple Greater China”, tha se “Apple” është shumë e kënaqur të asistojë, të marrë pjesë dhe të promovojë kalimin e Kinës drejt prodhimit të nivelit të lartë.
Sipas saj, ndërsa industria prodhuese e Kinës bëhet gjithnjë e më inteligjente dhe nivelet e arsimimit të punonjësve vazhdojnë të përmirësohen, “Apple” u ofron punonjësve të fabrikave më shumë trajnime për automatizimin dhe teknikat e avancuara të prodhimit, si programimi dhe robotika.
Ge Mahe bëri të ditur se kompania ka krijuar një qendër trajnimi për shkencën e robotikës në Chengdu, me plane për të shtuar më shumë pika trajnimi në vitet e ardhshme. “Talenti është burimi i zhvillimit. Kurset e trajnimit të “Apple” janë në përputhje me nevojat e industrisë prodhuese të Kinës dhe qëllimi është të ketë fuqi të aftë punëtore që kërkohet nga prodhimi i avancuar”, -theksoi ajo.
“Apple” bëri të ditur se ofron gjithashtu mbështetje të vazhdueshme për sektorin e furnizimit dhe shkollat profesionale në Kinë, duke përfshirë kurse të integruara studim-punë si dhe kurse për aftësitë e jetës, të cilat mund t'i ndihmojnë të rinjtë të shndërrohen nga studentë në punonjës të prodhimit të avancuar dhe gjithashtu të kontribuojnë në zhvillimin e industrisë së prodhimit të Kinës.
Zhang Long, menaxher i përgjithshëm i qendrës kërkimore të prodhimit inteligjent në Qendrën Kineze për Zhvillimin e Industrisë së Informacionit, një institut me bazë në Pekin, tha se Kina i kushton më shumë rëndësi orientimit në fusha industriale me vlerë të shtuar të lartë, gjë që shtron kërkesa më të larta për talente në prodhimtari.
Në mars, “Apple” lançoi një fond prej 50 milionë dollarësh për Zhvillimin e Punonjësve të Furnizimit për të zgjeruar aksesin në mundësitë e të mësuarit dhe zhvillimin e aftësive, për të fuqizuar fuqinë punëtorë në zinxhirët e furnizimit.
Prej vitit 2008, “Apple” ofron kurse me prani fizike dhe “online”, për formimin, zhvillimin e kompetencave dhe marrjen e njohurive të duhura, duke krijuar mundësi për njerëzit në zinxhirët e furnizimit të fitojnë aftësi të reja teknike dhe drejtuese. Përmes fondit prej 50 milionë dollarësh, “Apple” synon të zgjerojë ndjeshëm fushën e këtyre ofertave, duke shtuar burime të reja arsimore për njerëzit në zinxhirët e saj të furnizimit, për të zhvilluar aftësitë e nevojshme për punët e sotme dhe të nesërme.
Kompania njoftoi se nismat e reja të të mësuarit do t'i bëjnë trajnimet dhe kurset të disponueshme për punonjësit e sektorit të furnizimit në mbarë botën, duke nisur fillimisht për individët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë, Indi dhe Vietnam.
Deri në vitin 2023, “Apple” pret që më shumë se 100.000 punonjës të zinxhirit të furnizimit t’i përkrahin mundësitë e reja të të mësuarit, me trajnime të lidershipit dhe certifikime teknike mbi kodimin, robotikën dhe bazat e prodhimit të avancuar, duke përfshirë prodhimin e gjelbër.
Për të fuqizuar më mirë talentet në Kinë, “Apple” ka lançuar evente si “Today at Apple”, duke përfshirë një iniciativë me temë Ditën e Tokës. Në këtë kuadër, “Apple” bashkëpunon me Fondacionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Sipërmarrësve të Pekinit për të ftuar fotografë dhe dizajnerë nga komuniteti mjedisor, për të ofruar perspektiva mbi tema mjedisore si biodiversiteti dhe ndryshimet klimaterike.