Gjithnjë e më shumë kinezë po e shikojnë monedhën digjitale juan me një qëndrim më dashamirës. Krahas nxitjes së institucioneve bankare, kompanive të internetit dhe terminaleve të shitjes me pakicë, monedha digjitale tashmë mund të përdoret më gjerësisht.
Në Kullën Kanton të distriktit Haizhu të metropolit Guangzhou të Kinës Jugore, Zhang Ling bleu një suvenier. Ndryshe nga eksperiencat e mëparshme, ajo këtë herë e pagoi me monedhën digjitale juan, ose e-CNY.
Sipas saj, përdorimi i monedhës dixhitale është shumë i kollajshëm, sepse iu desh më pak se një minutë për shkarkimin dhe regjistrimin e llogarisë me celularin e saj, pa përmendur faktin se me këtë mënyrë të re pagese përfitohet edhe skonto.
Foto: Një blerëse po paguan me monedhën digjitale në një dyqan, Guangzhou, provincë Guangdong (Xinhua)
Pagesa më e lehtë
Vitet e fundit, përmes disa programeve pilote, Kina ka ndërmarrë një sërë masash për të nxitur përhapjen e përdorimit të monedhës digjitale. Që nga viti 2017 vendi ka nisur testimet në mbi 10 qytete e krahina, si Shenzhen, Shangai dhe Zonën e Re, Xiong’an.
Përdorimi i monedhës digjitale i ngjan mënyrës së pagesës së lëvizshme aktuale të aplikacioneve si WeChat Pay dhe Alipay. Me skanimin e kodit të QR (reagim i shpejtë ) ose teknikat NFC (komunikim në distancë të afërt), pagesa kryhet lehtësisht mes terminalit të blerësit dhe atij të shitësit. Ndryshimi më i dukshëm midis monedhës digjitale me dy metodat e tjera të sipërpërmendura, është se pagesa mund të bëhet pa pasur nevojën e rrjetit të internetit.
Në rrjetin e tramvajit në distriktin Haizhu të qytetit Guangzhou ka nisur të pranohet edhe pagesa me juan-in digjital.
Që nga 15 prilli në Kullën Kanton, turistët mund të blejnë bileta, bëjnë pazar dhe paguajnë në restorante me monedhën digjitale. Prej atëherë qindra pagesa të tilla po kryhen çdo ditë në këtë pikë të njohur turistike të qytetit Guangzhou. Personeli menaxhues i Kullës është i kënaqur me këtë risi, pasi paratë mund të transferohen menjëherë në llogarinë e kompanisë.
Foto: Vizitorët duke kaluar para një simboli të monedhës digjitale në Panairin Ndërkombëtar të Tregtisë së Shërbimeve të Kinës 2021, Pekin, 5 shtator, 2021 (Xinhua)
Më shumë institucione pjesëmarrëse
Versioni pilot i aplikacionit të monedhës digjitale ka nisur të shkarkohet në dyqanet përkatëse të Android-it dhe Apple-s nga 4 janari i këtij viti. Tashmë institucionet bankare që lejohen të ofrojnë këtë shërbim përfshijnë bankat kryesore të Kinës, si ICBC, CCB etj. Bankat ofrojnë shërbime falas ndaj shitësve dhe skonto për konsumatorët që bëjnë pazar në disa prej qendrave më të frekuentuara tregtare.
Ndërkohë mjaft prej platformave më të përhapura elektronike kineze, si JD.COM, Tencent, Meituan dhe Bilibili, pranojnë edhe përdorimin e monedhës digjitale.
Të dhënat statistikore tregojnë se deri në fund të vitit 2021, monedhat digjitale mund të përdoren në më shumë se 8 milionë pika pagesash përmes Wechat-it, një ndër kanalet më të fuqishme të pagesave të lëvizshme. Kompania që zotëron aplikacionin Tencent ka qenë bashkëautore në dizenjimin, studimin, zhvillimin dhe operimin e sistemit të monedhës digjitale që nga viti 2018.
Të dhënat nga platforma e shitjes online Meituan tregojnë se mbi katër milionë përdorues kanë përdorur monedhën digjitale vetëm në tetë muajt e kaluar.
Siç mësohet, disa banka në metropolin Shenzhen të Kinës Jugore, po bashkëpunojnë me Meituan-in për të shpërndarë 30 milionë juanë (4.42 milionë dollarë amerikanë) paketa me skonto të juan-it digjital.
Foto: Një pasagjer duke përdorur monedhën digjitale për të blerë një biletë autobusi në qytetin Chongqing të Kinës Jugperëndimore, 29 prill, 2022 (Foto: Xinhua)
Më shumë qytete pjesëmarrëse
Banka Qendrore e Kinës (Banka e Popullit e Kinës) deklaroi në prill se programi pilot do të zgjerohej në më shumë qytete, si Tianjin, Chongqing, Guangzhou, Fuzhou, Xiamen si dhe gjashtë qytete të tjera në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Në këtë program pa dyshim janë përfshirë edhe Pekini dhe Zhangjiakou, dy qytete organizatore të Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2022.
Në qytetet pilote një numër metodash aplikimi online dhe në terren janë krijuar në sferat e shitjes me pakicë, me shumicë, turizëm dhe pagesat e tarifave administrative, të cilat mund të promovohen dhe përhapen edhe në krahina të tjera. Janë shtuar gjithashtu në mënyrë të qëndrueshme edhe përmasat e përdoruesve, shitësve dhe transaksioneve.
Krahas nxitjes së studimeve dhe përdorimit pilot të drejtuar nga Banka Qendrore e Kinës, vlera e transaksioneve me monedhën digjitale, shënoi gati 87.57 miliardë juanë deri në fund të vitit të kaluar. Ndërkohë janë hapur 261 milionë kuleta digjitale private në gjithë vendin.
Përveç kryerjes së pagesave të konsumit që lehtësojnë jetën e përditshme të banorëve, monedha digjitale mund të luajë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e fondeve qeveritare.
Siç mësohet, kuletat elektronike për juan-in digjital ndahen në “të forta” dhe “të buta”. “Kuletat e buta” nuk kanë ndonjë dallim të dukshëm me pagesat aktuale të lëvizshme që përdoren gjerësisht për konsum nga banorët. Privacia e përdoruesve do të mbrohet rreptësisht sipas ligjit sikurse në rastet e pagesave përmes bankave.
Ndërsa “kuletat e forta” ofrojnë shërbimet e kontrollit financiar të fondeve administrative. Për shembull, qeveria ndan çdo vit një buxhet të madh për subvencionet bujqësore. Këto fonde do të përdoren për shumë projekte në fusha si ndërtimi rrugor, mbrojtja e tokës së punueshme, pajisje të tjera infrastrukturore bujqësore, subvencione për mbjelljen e drithërave, blerje të materialeve të prodhimeve bujqësore etj.
Gjatë shfrytëzimit të investimeve qeveritare, edhe pse ka një sistem që ndjek çdo procedurë nga shpërndarja, vlerësimi deri në auditim, ende është e vështirë të realizohet kthimi i gjithë fondit të abuzuar për rastet kur verifikohet shpërdorim. Prandaj kontrolli i këtyre fondeve kaq të mëdha është mjaft i rëndësishëm dhe përbën një detyrë shumë të vështirë për punonjësit përkatës. Kështu që tani, pasi lidhet marrëveshja midis sektorëve administrativë të kontrollit dhe bankave transfertuese, të gjitha fondet do të përdoren nëpërmjet “kuletave të forta” institucionale. Sa herë që do të ketë probleme, sektorët administrativë mund të grumbullojnë fondet e mbetura dhe gjejnë gjurmimet e fondeve të përdorura, gjë që do të garantonte sigurinë dhe efektivitetin e investimeve qeveritare. Një program i tillë pilot po zbatohet në provincën Jiangsu dhe pritet të përhapet më gjerësisht në krahina të tjera të vendit pasi të grumbullohen përvoja të mjaftueshme.