Pasi mbaroi mëngjesin në mensën e fabrikës së këpucëve “Junhua” në Xishui të provincës Guizhou në Kinën jugperëndimore, Feng Zhilin, 39 vjeç, mbërriti në punëtori për të filluar ditën e tij.
Kur ishte ende fëmijë, ai u diagnostikua me një deformim në shtyllën kurrizore, që i shkaktoi kërrusje. Më përpara, ai e siguronte jetesën me rritjen e dhenve dhe bujqësinë në vendlindjen e tij, duke siguruar të ardhura të pakta.
"Unë merresha ne rritjen e deleve në atë kohë. Por nëse më largoheshin bagëtitë, nuk i arrija dot”, - tha ai për “Xinhua”.
Gjërat morën një kthesë për mirë në vitin 2017, kur Feng ndoqi trajnimin e punësimit për personat me aftësi të kufizuara, të organizuar nga federata lokale e personave me aftësi të kufizuara. Në vitin 2018 u vu në funksion fabrika e këpucëve dhe Feng u rekomandua për punë atje nga pushteti vendor.
Me të ardhura mujore prej rreth 3,000 juanë (rreth 440 dollarë amerikanë), Feng jo vetëm që përmirësoi kushtet e jetesës së familjes së tij, por gjithashtu ishte në gjendje të paguante tarifat e shkollimit të kolegjit të vëllait të tij më të vogël dhe kostot e jetesës.
Fabrika ka 123 punonjës me aftësi të kufizuara. Për t'ua bërë jetën dhe punën më të lehtë, në të gjithë fabrikën janë instaluar objekte të aksesueshme.
Në Kinë ka 85 milionë persona me aftësi të kufizuara. Falë përpjekjeve të bashkërenduara nga departamente të ndryshme, mundësitë e tyre të punësimit janë shtuar shumë.
Sipas një plani trevjeçar të nxjerrë nga qeveria qendrore, midis viteve 2022 dhe 2024 do të krijohen 1 milion vende të reja pune për personat me aftësi të kufizuara në zonat urbane dhe rurale.
Në vitin 2021, Guizhou, që ka nxjerrë nga varfëria numrin më të madh të njerëzve në Kinë, krijoi 34 baza të rijetëzimit rural në nivel provincial për personat me aftësi të kufizuara, duke krijuar më shumë se 12,000 vende pune për këtë kategori.
Në një fermë blegtorale në qarkun Shiqian të Guizhou, Huang Guangquan ishte i zënë duke përzier foragjere për bagëtinë.
Huang vuan nga dëmtimi i shikimit. Në vitin 2015, ai mori pjesë në një seancë trajnimi lokal dhe u interesua për rritjen e bagëtive. Ai dhe gruaja e tij filluan biznesin me 130,000 juanë, duke marrë hua nga të afërmit dhe miqtë dhe duke aplikuar për kredi të mbështetura nga qeveria.
Në vitin 2016, Huang fitoi 50,000 juanë. Në vitin 2017, ai investoi më shumë se 300,000 juanë për të zgjeruar biznesin, duke ngritur kasolle të standardizuara të bagëtive dhe duke blerë pajisje për përpunimin e foragjereve.
Këtë vit, ferma e Huang ka shitur 60 gjedhë, me një vlerë prej më shumë se 1 milion juanë. Ai tha se rreth 100 kokë bagëti do të shiten gjatë gjithë vitit, me një vlerë prodhimi prej më shumë se 1.8 milionë juanë.
Për të rritur të ardhurat e invalidëve në fshat, ai punësoi gjashtë persona me aftësi të kufizuara për të punuar në fermë, me një pagë mesatare mujore prej 2100 juanë për person.
"Unë kam detyrimin dhe përgjegjësinë për të ndihmuar më shumë njerëz me aftësi të kufizuara që të kenë kushte më të mira jetese",- tha Huang.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2016 deri në vitin 2020, 7.1 milionë persona me aftësi të kufizuara në zonat rurale në Kinë janë nxjerrë nga varfëria dhe më shumë se 1.8 milionë persona me aftësi të kufizuara janë punësuar rishtazi në zonat urbane dhe rurale.
Çdo vit, mesatarisht 400,000 persona me aftësi të kufizuara marrin pjesë në programet e trajnimit profesional të subvencionuara nga qeveria.