Dy vjet më parë, Xiao Xue (pseudonim) injektoi acid hialuronik në ballë, pasi dëgjoi se mund të nxiste rigjenerimin e kolagjenit dhe të siguronte një pamje rinore. Por pas injektimit, ajo humbi përgjithmonë shikimin në syrin e saj të majtë.

Foto:Chinadaily

Foto:Chinadaily

Xiao, e cila ka lindur në vitet 1990 dhe nuk pranoi të përdorte emrin e saj të vërtetë, e ndau përvojën me Televizionin Qendror të Kinës.

Ajo tha se injeksioni kushtoi 6,000 juanë (942 dollarë) dhe iu administrua në një hotel nga pronarja e një dyqani rrobash.

"Shitësja më tha se ishte e zonja në administrimin e injeksionit. Por kimikati, që duhej të ishte injektuar në lëkurë, në fakt u injektua në një enë gjaku, duke shkaktuar një bllokim në arterien time qendrore",- tha ajo. "Shpëtova nga vdekja pasi u shtrova në spital, por jam e verbër në syrin e majtë. Tani ndiej se do të ishte më mirë të vdisja sesa të jetoja kështu",

Historia e saj ishte një nga disa dështimet e trajtimit kozmetik të shfaqura në një program të transmetuar më 15 mars, Ditën Botërore të të Drejtave të Konsumatorit. Programi kishte për qëllim t'u kujtonte njerëzve që të ishin vigjilentë përballë pretendimeve për kompetencë mjekësore dhe të përmirësonte ndërgjegjësimin për mbrojtjen e të drejtave legjitime.

Në program thuhej se disa klinika që ofrojnë shërbime bukurie dhe trajnime - duke përfshirë disa në Hefei, kryeqendra e provincës Anhui dhe Zhengzhou, kryeqendra e provincës Henan kishin ngarkuar tarifa për trajnime të rreme të trajtimit kozmetik.

Një ditë pas programit, agjencitë qeveritare në Hefei, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë publike, inspektuan disa klinika, duke konfiskuar pajisjet kirurgjikale dhe produktet kozmetike.

Qin Pengbo, një ndihmës gjyqtar në Gjykatën Popullore të Qarkut Haidian të Pekinit, tha se klinikat e palicencuara janë shpesh objekt i ankesave të konsumatorëve, por kontrolli efektiv pengohet nga mbikëqyrja e dobët dhe fitimet e mëdha të industrisë.

Të dhënat në faqen e internetit të Shoqatës së Konsumatorëve të Kinës tregojnë se numri i ankesave që përfshinin shërbimet e mjekësisë estetike u rrit nga 483 në 2015-n në 7,233 në 2020-n. Kjo shkaktoi një rritje të numrit të mosmarrëveshjeve në lidhje me trajtimet e bukurisë, të përqendruara kryesisht në praktikat e paligjshme dhe mungesën e kualifikimet, - tha Qin.

Ai u bëri thirrje njerëzve që të kontrollojnë me kujdes nëse klinikat kanë licencë biznesi dhe nëse punonjësit janë të kualifikuar për të kryer operacione.

"Është urgjente dhe thelbësore që qeveria të specifikojë se çfarë përbën kozmetologjinë mjekësore (përdorimi i procedurave joinvazive, në vend të operacionit), sepse kjo do të lejonte që mbikëqyrja të ishte më e shënjestruar dhe të funksiononte në mënyrë më efektive",- tha ai.

Klasifikimi i paqartë

Për të ilustruar pikëpamjen e tij, Qin tregoi historinë e një rasti.

Në nëntor 2020, një grua me mbiemrin Xu paditi një sallon bukurie në një gjykatë në provincën Jilin. Xu tha se trajtimi kozmetik i syve që kishte bërë në sallon i kishte fryrë fytyrën dhe ajo kërkoi rimbursimin e tarifës prej 69,000 juanësh.

Pas një hetimi dhe gjyqi, gjykata vendosi në favor të Xu dhe urdhëroi sallonin t'i kthente paratë e saj sepse nuk ishte i licencuar për të kryer procedura të tilla, tha Qin.

"Salloni ishte i licencuar vetëm për të prerë flokët dhe për të shitur kozmetikë. Nuk ishte i licencuar për të përdorur barna, kirurgji, pajisje mjekësore dhe teknika të tjera mjekësore traumatike ose të pakthyeshme për të riparuar ose riformuar pamjen ose trupin e njerëzve",- shtoi ai.

Sipas një rregulloreje të vitit 2002, individëve dhe organizatave që nuk kanë marrë një licencë nga autoritetet shëndetësore për të ushtruar aktivitet u ndalohet të ofrojnë ose të kryejnë operacione kozmetike, tha ai.

"Fokusi i shumë klientëve është gjithmonë se si të bëhen më të bukur, jo në rishikimin e kualifikimeve të sallonit. Kjo sepse ata mendojnë se trajtimet e tyre - të tilla si heqja e yndyrës ose qeskat rreth syve, trajtimi i dyfishtë i qepallave ose heqja e njollave me laser - përbëjnë kozmetologji mjekësore dhe jo kirurgji”, - tha ai.

Ai shtoi se disa trajtime të reja bukurie, duke përfshirë transplantin e flokëve dhe injeksionet e acidit hialuronik për të mbushur lëkurën, të cilat janë të njohura në mesin e brezit të ri, klasifikohen si kozmetologji mjekësore.

“Por këto trajtime kanë nevojë për shiringa dhe materiale, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve apo edhe sigurinë personale, ndaj duhet të kontrollohen para përdorimit”,- tha ai.

Reklamim i rremë

Të dhënat e siguruara nga Gjykata Popullore e Qarkut Chaoyang në Pekin zbuluan se 20 për qind e të gjitha rasteve mjekësore që ka dëgjuar në pesë vitet e fundit përfshinin kirurgji estetike dhe numri është ende në rritje.

Nga mosmarrëveshjet e përfunduara, 186 paditës ishin gra dhe nëntë ishin burra, tha Guo Lirong, nënkryetar i gjykatës, duke shtuar se më shumë se 76 për qind e klientëve ishin të moshës 18 deri në 40 vjeç dhe mbi 50 për qind e padive kishin të bënin me kirurgjinë e fytyrës.

Sipas Guo, shumica e të pandehurve ishin klinika private ose sallone bukurie që ishin paditur për reklama të rreme dhe praktika të paligjshme.

Në një rast në vitin 2020, një grua me mbiemrin Lu, nga provinca Hubei, pagoi rreth 130,000 juanë për një operacion të qepallave në një sallon bukurie në Pekin.

Një reklamë që ajo lexoi në llogarinë “WeChat” të sallonit thoshte se ishte pjesë e një zinxhiri ndërkombëtar që ofronte kirurgji dhe riparime plastike okulare, me më shumë se 20 vjet përvojë dhe mbi 10,000 raste të suksesshme.

Hetimi i gjykatës tregoi se klinika ishte gjobitur disa herë nga rregullatori i tregut të qytetit për postimin e reklamave të rreme për trajtime estetike, duke përdorur foto të para dhe pas operacioneve.

Duke qenë se salloni mashtronte konsumatorët, gjykata e rriti kompensimin në përputhje me ligjin e reklamave, duke e urdhëruar atë që ta paguante paditësen 390,000 juanë, trefishi i kostos së trajtimit të saj.

Gjithashtu, gjykata urdhëroi sallonin ta paguante 50,000 juanë shtesë për ankthin, sepse syri i djathtë i Lu ishte vazhdimisht i fryrë dhe i skuqur dhe shikimi i saj ishte i dëmtuar.

Në pesë vitet e fundit, konsumatorët në 78 mosmarrëveshje kërkuan kompensim për reklamat e rreme pas dështimit të operacioneve kozmetike, tha Guo.

Qin, nga gjykata Haidian, konfirmoi shpeshtësinë e mosmarrëveshjeve në lidhje me bukurinë që rezultojnë nga reklamat e rreme, por ai shprehu më shumë shqetësim për përhapjen e kozmetologjisë mjekësore "DIY", e cila është bërë e njohur në mesin e të rinjve vitet e fundit.

"Ne kemi gjetur individë dhe institute që shesin acid hialuronik ose kimikate të tjera të lëngshme, si dhe pajisje mjekësore, dhe u thonë konsumatorëve që t’i injektojnë vetë materialet",- tha ai. "Produkte të tilla paraqesin një rrezik më të madh për shëndetin, sepse blerësit do ta kenë të vështirë të marrin trajtim nëse gjërat shkojnë keq".

Sugjerime për të ardhmen

Gjyqtarët nga gjykatat në Chaoyang dhe Haidian thanë se mbikëqyrja e rreptë është thelbësore për t'u marrë me klinikat që nuk kanë licenca biznesi, por ata theksuan se qeveria duhet urgjentisht të bëjë një dallim shumë më të qartë midis kozmetologjisë mjekësore dhe shërbimeve të rregullta të bukurisë, si p.sh. kremra për kujdesin e lëkurës.

Sipas mendimit të tyre, lista e shërbimeve të klasifikuara si kozmetologji mjekësore duhet të përditësohet sa më shpejt që të jetë e mundur, duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të industrisë. "Rregullat specifike dhe përkufizimet më të qarta do ta bëjnë mbikëqyrjen e tregut më të synuar dhe më efektiv",- tha Qin.

Ai sugjeroi gjithashtu që agjencitë qeveritare, si Administrata Shtetërore për Rregullimin e Tregut dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, të kryejnë inspektime të rregullta të spitaleve, salloneve të bukurisë dhe klinikave që lejohen të ofrojnë kirurgji estetike, me kontrolle më të rrepta shëndetësore dhe sigurie të pajisjeve të tyre.

“Dënimet për institutet problematike duhet të forcohen, sepse gjoba aktuale nuk është një kërcënim i madh, krahasuar me fitimet e mëdha të industrisë”, - tha ai.

“Për më tepër, për të përmirësuar standardet profesionale, nevojiten rregullore për të qartësuar llojin e trajnimit që marrin personat e punësuar në sektorin e kozmetologjisë mjekësore dhe mënyrën e trajnimit të tyre”.

Vitin e kaluar, një raport mbi zhvillimin e industrisë së kirurgjisë plastike, i lëshuar nga “Soyoung”, një platformë estetike mjekësore në Pekin, tregoi se rreth 100,000 mjekë përmbushën standardet e industrisë në vitin 2020, por më pak se 40,000 prej tyre punonin në këtë sektor. Për më tepër, nuk kishte mjaft institute profesionale apo cilësore.

Chen Yang, zëvendëskryegjyqtarja e Divizionit Civil Nr. 1 në Gjykatën Chaoyang, u kujtoi njerëzve që t'i kushtojnë vëmendje kualifikimeve të ofruesve të shërbimeve të bukurisë. Ajo bëri thirrje gjithashtu për vetërregullim më të fortë të sektorit dhe përmirësim të cilësisë së shërbimit.

Ajo dhe kolegët e saj sugjeruan që Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë duhet të rishikojë rregulloret përkatëse - jo vetëm duke rritur kufirin e sipërm të gjobave, por edhe duke vendosur ndalime të përjetshme për klinikat dhe sallonet që shkelin rregullat.

Gjykata tha se është thelbësore që komisioni të krijojë një mekanizëm afatgjatë pune për të forcuar mbikëqyrjen e industrisë, me menaxhim më të ashpër të teknologjive të reja të përdorura në kirurgjinë kozmetike.

Për më tepër, një sistem trajtimi mjekësor me emër të vërtetë dhe një platformë për trajtimin e ankesave ose ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve në industri janë gjithashtu të nevojshme dhe duhet të krijohen sa më shpejt që të jetë e mundur.