Shpesh faktorët e jashtëm e komplikojnë procesin e vendimmarrjes dhe të drejtojnë drejt vendimeve të ndryshme. Një vendim i rëndësishëm është nëse fëmija juaj është gati për të pasur një telefon.
Foto:VCG
Mosha mund të jetë një faktor që kontribuon për të marrë këtë vendim. Ekspertët e Qendrës së Kërkimeve “Pew” besojnë se janë disa komponentë të tjerë që duhen konsideruar më parë, duke përfshirë lehtësinë e komunikimit midis prindërve dhe fëmijëve, nivelin e maturimit të fëmijës dhe protokollimi i duhur për përdorimin e celularit. Mënyra sesi përdorim celularin dhe vendosja e kufizimeve në përdorimin e tij është e rëndësishme. Mund të përdoren guida dhe mund të shkarkohen dhe lojëra apo aplikacione të ndryshme që mund të mbajë fëmijët nën kontroll.
Statistika
Sipas studimeve, një në katër fëmijë nën moshën 6 vjeç ka një “smartphone”. Përkundër prindërve që këmbëngulin se mosha 11-vjeçare është ideale për fëmijët që të kenë një telefon, një sondazh zbuloi se 25% e fëmijëve të moshës 6 vjeç dhe nën 6 vjeç, tashmë kanë celularin e tyre dhe gati gjysma e tyre shpenzojnë deri në 21 orë në javë në këto pajisje. Më shumë se 3/4 e prindërve kanë paguar deri në 500 euro për telefonin e parë të fëmijës së tyre, ndonëse 2/3 e tyre pranojnë se nuk kapin shpenzimet mujore.
Studiuesit gjithashtu gjetën se 8 në 10 prindër nuk e kufizojnë sasinë e kohës që fëmijët shpenzojnë në telefonat e tyre. Përveç marrjes së thirrjeve dhe dërgimit të mesazheve, doli gjithashtu në këtë studim se 38% e fëmijëve përdorën telefonin e tyre celular për të luajtur lojëra. Ata gjithashtu përdorin smartphone-ët e tyre për të dëgjuar muzikë, shohin videot dhe përdorin më së shumti “Snapchat” nga rrjetet sociale.
Msc. Daniela Qato -Psikologe
Msc. Daniela Qato- Psikologe Organizacionale/Shkollore flet për Radio Ejani (CMG)
CMG: Kur është mosha ideale që një fëmijë të pajiset me celular?
Msc. Daniela Qato- Psikologe: Kjo është pyetja më e shpeshtë se kur duhet të pajiset fëmija me telefon celular. Bazuar në studime të shumta, por dhe në procesin tim personal, di që mosha mesatare sipas studimeve amerikane, që një fëmijë duhet të marrë një telefon është mosha 12 vjeçare, por ky nuk është një rregull fiks sepse kjo varet nga prindi dhe fëmija, si dhe zhvillimi i fëmijës. Sa i maturuar është fëmija juaj për të pasur një telefon, sa i përgjegjshëm është ai socialisht për ti përballuar edhe situata stresuese. Fëmija në moshën 12 vjeçare është në një moshë delikate, është faza kur kalon nga fëmijëria në adoleshencë dhe pajisja me telefon mund ta sjellë përballë shumë risqeve, por gjithashtu nuk mund ta ndalojmë sepse jetojmë në një botë të teknologjisë tashmë ku shpesh edhe mësimet i bëjmë online. Pra i duhet dhënë telefoni me limite dhe në formë të moderuar.
CMG: Cilat janë arsyet që “smartphone” mund ta dëmtojë fëmijën?
Foto:VCG
Msc. Daniela Qato- Psikologe: Së pari “smartphone” do dëmtojë fëmijën në performancën e tij në shkollë. Aksesi për kohë të gjatë në telefon e bën që fëmija të mos përqendrohet në mësime, mos të lexojë sa duhet gjërat që nuk janë online, dhe sipas studimeve, qëndrimi i tepërt në telefon ndikon dhe në memorien e fëmijës, duke qenë se truri është ende në zhvillim.
CMG: Përse fëmija nuk duhet të ketë një akses të tepruar në telefon?
Msc. Daniela Qato- Psikologe: Fëmija nuk duhet të ketë akses të tepruar në telefon sepse ndikon në zhvillimin e tij social, emocional dhe konjitiv. Kur themi ndikon në zhvillimin e tij emocional, kjo ka të bëjë me shumë çrregullime psikiatrike dhe emocionale të cilat janë të lidhura me përdorimin e telefonit. Ndër to, ankthi, anoreksia apo bulimia që janë çrregullime të cilat lidhen drejtëpërdrejtë me një fëmijë apo adoleshent. Kur fëmija sheh “online” dhe krahason veten me të tjerët , me trupin e dikujt që nuk është real “online” dhe në këtë mënyrë ndikon në vetëvlerësimin e tij, duke dëmtuar vlerësimin për veten, perceptimin që ka për veten dhe në këtë mënyrë fëmija fillon të shfaqë probleme emocionale, apo probleme më të thella akoma siç mund të jetë ankthi, bulimia nervore apo anoreksia me probleme të të ushqyerit.
Në median online ka akses të shkruajë kushdo dhe sa të sigurtë jemi ne, që gjithë ky presion social, gjithë ky bullizëm i ushtruar “online” nuk do ndikojë në problemet emocionale të fëmijës, nuk do ndikojë tek personaliteti i tij? Prandaj fëmija nuk duhet të ketë akses në rrjetet sociale, në mënyrë që ta mbroni nga ky presion social, nga ky ofendim masim që bëhet në faqet “online” nëpërmjet komenteve të ndryshme, etj. Në rrjetet e pasigurta fëmija mund të bjerë pre e shumë pedofilëve, shumë personave me çrregullime seksuale apo psikiatrike të cilët mund të bien në kontakt me fëmijën tuaj, i cili duke qenë një individ i pamaturuar, fëmija mund të ketë besim dhe të fillojë të komunikojë me ta, duke ekspozuar veten ndaj një risku shumë të madh.
Foto:VCG
CMG: Çfarë duhet të kenë parasysh prindërit për fëmijët e tyre?
Msc. Daniela Qato- Psikologe: Duke marrë parasysh gjithë këto faktorë edhe pse jetojmë në shekullin e teknologjisë, ajo që duhet të bëjnë prindërit kur i japin një telefon fëmijës së tyre është monitorimi. Duhen vendosur limite në përdorim, duke bllokuar aplikacione apo rrjetet sociale që atij nuk i duhen. Duke monitoruar kohën që ai kalon në telefon, gjithashtu duke e pasur edhe paswordin e tij. Duhet bërë patjetër një marrëveshje me fëmijën, nëse ai bën diçka të gabuar, duke vendosur rregulla. Fëmija nuk duhet të mbajë telefonin gjatë kohës së studimit, gjatë kohës së gjumit dhe gjatë kohës së vakteve që kalojnë në familje.
Përpara të gjithave: mos harroni se edhe Steve Jobs, shpikësi i madh i “Iphone” dhe “Ipad” nuk i lejonte fëmijët e tij që të bëheshin "addicted" (të varur) pas teknologjisë.
Këshilla për fëmijën tuaj është: Mos harroni të konsultoheni me një “IT”, i cili bllokon në sistem çdo kërkim me fjalët dhunë, horror, sex, luftë, vdekje , vrasje ,krim etj.
Sava Lena