Puna në Liban ka paraqitur disa sfida për 36-vjeçarin kinez Guo Jia, i cili ka punuar në kryeqytetin, Bejrut, për dy vitet e fundit si kryeinxhinier, duke mbikëqyrur ndërtimin e Konservatorit të Lartë Kombëtar të Muzikës, të financuar nga Kina.
Punëtorë kinezë në kantierin e Konservatorit të Lartë Kombëtar të Muzikës,Bejrut(Foto:Xinhua)
Shpenzimet e jetesës së punëtorëve kinezë janë rritur si rezultat i krizës ekonomike të Libanit dhe inflacionit në rritje, po ashtu edhe kostoja e projektit. Për shkak të pandemisë së vazhdueshme Covid-19, është bërë më i vështirë dërgimi i furnizimeve kineze në orar dhe transportimi i punëtorëve kinezë në Bejrut.
Guo dhe ekipi i tij kanë treguar këmbëngulje të jashtëzakonshme përballë pengesave të papritura. Kur partnerët e tyre libanezë të goditur nga kriza nuk ishin në gjendje të siguronin energji dhe ujë, siç parashtrohet në një marrëveshje ndërtimi, Guo dhe ekipi i tij blenë gjeneratorë dhe rezervuarë uji dhe shtuan më shumë turne për punëtorët kinezë, për të siguruar që projekti të përfundonte në kohë.
Konservatori, i pozicionuar në qytetin Dbayeh, afër Bejrutit, është një projekt në kuadër të Nismës “Një brez, një rrugë”, e cila u propozua nga Kina në vitin 2013 dhe synon të ndërtojë rrjete tregtare dhe infrastrukturore që lidhin Azinë me Evropën, Afrikën dhe më gjerë. Ndërtimi i projektit filloi në dhjetor 2020 dhe do të duhen tre vjet për ta përfunduar.
“Duke qenë i vetmi projekt i madh i infrastrukturës në ndërtim në Liban i financuar nga Kina, konservatori do të bëhet projekti dritare i Kinës. Ne duhet të bëjmë ç'është e mundur për të përmbushur pritshmëritë e të dy vendeve”, -tha Guo.
Punëtorë kinezë në kantierin e Konservatorit të Lartë Kombëtar të Muzikës,Bejrut(Foto:Xinhua)
Përpara Ditës Ndërkombëtare të Punës, shumë kinezë si Guo kanë qëndruar në vendet e tyre të punës jashtë shtetit në Lindjen e Mesme, për shkak të ndjenjës së detyrës dhe përkushtimit, duke ndihmuar qeveritë lokale në ndërtimin e infrastrukturës, duke përdorur dizajne, teknologji dhe standarde kineze.
Punëtorët kinezë në degën izraelite të “Power Construction Corporation of China” (PCCC), e cila po ndërton linjën e gjelbër të hekurudhës së lehtë të Tel Avivit, zgjodhën të punonin më shumë orë ose anuluan planet për t'u kthyer në Kinë, megjithëse kishin të drejtën e pushimin me rastin e festës së 1 Majit.
“Kompania ka një plan të ngjeshur për të përfunduar projektin 39 km, i cili përfshin dhe një urë 700 metra të gjatë dhe 13 metra të gjerë mbi lumin Yarkon, si dhe një stacion që përfshin rreth 2400 metra katrorë, përpara afatit të tij në vitin 2024”, -bëri të ditur Li Feng, menaxher projekti i degës izraelite të korporatës kineze PCCC.
Sipas Li, punëtorët kinezë duhet të mbajnë standarde të larta të cilësisë dhe efikasitetit, të importojnë pajisje kineze që nuk janë përdorur kurrë më parë në Izrael dhe të ndërmarrin hapa për të reduktuar ndikimin mjedisor të projekteve, gjë që e ka bërë punën e ndërtimit më sfiduese.
Punëtorë kinezë në kantierin e Konservatorit të Lartë Kombëtar të Muzikës,Bejrut(Foto:Xinhua)
Duke ditur rëndësinë e projektit, i cili pritet të transportojë rreth 77 milionë pasagjerë çdo vit pasi të përfundojë, Li është i vendosur ta përfundojë atë në kohën e duhur dhe në mënyrën më efikase. “Nëse e përfundojmë projektin në kohë dhe me efikasitet, jo vetëm që do të tregojmë përkushtimin tonë ndaj kontraktorit izraelit, por gjithashtu do të rrisim besimin e izraelitëve në teknologjinë dhe pajisjet kineze”, -tha ai.
“Si një anëtar i konstruktorëve kinezë, është një nder të shoh se si projektet dhe aftësitë kineze u sjellin dobi njerëzve në vende të tjera”, -tha Mi Jingchao, projektues i projektit kinez në degën izraelite të korporatës kineze PCCC, i cili, përmes punës së tij të palodhur, dëshiron të promovojë një imazh pozitiv të të rinjve kinezë të lindur pas viteve '90.
“Jam i përgatitur të përballem me vështirësitë, të sfidoj veten në projekte jashtë shtetit dhe shpresoj të shkëmbej ekspertizën inxhinierike kineze me ndërtuesit e huaj”, -tha ai.
Ndërsa projekti i Tel Aviv përparon, drejtori ekzekutiv Chen Yong, i cili kaloi 12 vjet në Afrikë përpara se t'i bashkohej zyrës izraelite të PCCC, tha se në ekipin e tij është rrënjohur një ndjenjë krenarie, duke parë që puna e tyre e palodhur jep rezultate.
“Kur të plakem, do t'u them fëmijëve dhe nipërve të mi se kur ishim të rinj, ndërtuam shumë projekte si në Afrikë dhe në Izrael. Jam i sigurt që do të kem shumë histori për të ndarë me ta”, -deklaroi Chen Yong.