Moderatorja Keisi Shtëpani ka provuar me shumë sukses baletin dhe sportin, ndërsa tashmë çdo ditë është pjesë e ekranit të News 24. Vite më parë në balet, ndonëse shumë e vogël në moshë, ajo përdorte me shumë mjeshtëri gjuhën e trupit në spektakle televizive. Ndërsa televizioni u bë pjesë e pandarë për të, po ashtu dhe salla e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. E kështu kalonin ditët dhe muajt me stërvitje intensive, përpjekjet finalizoheshin me shfaqje, ku duartrokitjet e spektatorëve e bënin më optimiste për të vazhduar përpara. Në një intervistë për CMG Keisi tregon për arritjet e saj të deritanishme si dhe planet për të ardhmen.
CMG: Na flisni pak për veten tuaj. Kush është Keisi?
Keisi Shtëpani: Mua tashmë vitet e fundit më njohin si vajza e motit, por ndërkohë unë jam Keisi dhe ajo se çfarë mund të them për veten time është që kam punuar shumë, ndonëse po bëj një gjë të vogël si fillim, ndër vite kam investuar tek vetja si në shkollim ashtu dhe në aktivitete. Unë gati 7 vite jam marrë me balet, ku kam qenë dhe prima balerina e grupit. Mund të them që kam qenë e suksesshme në atë fushë, por duhej ose të merrja një drejtim në balet, ose do të vazhdoja shkollimin për atë që unë kisha investuar shumë.
Gjithashtu jam marrë me volejboll për rreth 3-4 vite dhe më pas u gjenda në televizion, ku tashmë kam tre vite dhe besoj se me sukses deri tani.
CMG: Nuk aktivizoheni më me baletin dhe volejbollin?
Keisi Shtëpani: Mund të them që jeta ime ka qenë si një trampolinë, ku jam zhvendosur në fusha të ndryshme, e kam provuar veten dhe gjithë kohës jam në kërkim të vetvetes. Për aq kohë sa i kam bërë baletin dhe vojebollin kam marrë më të mirën prej tyre dhe tani po përpiqem që ta gjej këtë të mirë në televizion.
CMG: Ka qenë televizioni një pasion i juaji i hershëm?
Keisi Shtëpani: Dashuria ime për ekranin ka qenë që e vogël, sepse duke u marrë me balet je dhe e lidhur me televizionin. Duke qenë se isha pjesë e një grupi të njohur “Spektër” i Llaqi dhe Albi Nakos, gjithë kohës isha në televizione. Jam rritur në TV Klan, jam rritur në Teatrin e Operas dhe Baletit, kështu që kamerat kanë qenë një pjesë e imja, por sfida ime më e madhe ka qenë të flisja para kamerave. Unë isha mësuar të kërceja, të flisja me gjuhën e trupit, por të flisja ishte një sfidë tjetër, por me kalimin e kohës dhe me praktika të shumta, duke qëndruar me orë të tëra në radio jam përpjekur ta arrij me sukses.
CMG: Mund të themi se ju tashmë jeni një showgirl sepse keni prekur disa fusha të artit?
Keisi Shtëpani: Mendoj që kjo është një meritë e prindërve të mi, të cilët janë përpjekur gjatë gjithë kohës të më vendosin në sfida të ndryshme. Gjithashtu ka qenë dhe deshira ime dhe kam qenë ajo që i kam thënë prindërve se duhet të futem në këtë kurs, pavarësisht se janë të shtrenjta dhe në periudhën kur isha unë e vogël kushtonin, por ata ma kanë plotësuar mua gjithmonë dëshirën. Baleti ka ardhur në moshë të vogël, duke qenë me shoqet thoja se dua të futem në balet dhe e gjeta veten shumë mirë, por siç thashë jeta të jep sfida, duhet të ndryshosh dhe të njohësh veten dhe kjo ka qenë pjesa më e mirë e fëmijërisë time. Gjithmonë kam qenë në dorë të lire dhe familja ime më ka parë që ja kam dalë me sukses dhe kjo ka qenë arsyeja që më kanë lënë ta vazhdoj.
CMG: Keisi ju vini nga një familje intelektualësh. Babai juaj është gazetar i njohur prej vitesh. Sa ju ka mbështetur ai në fushën e televizionit?
Keisi Shtëpani: Historia ime në fillesat me televizionin është pak interesante sepse duke patur një shembull gjithë kohës në shtëpi, që shkruan, flet për lajmin, e do lajmin dhe ekranin, është ndikuar dhe tek unë që ta dua gjithashtu. Kërkesa ime për babin ka qenë që dua të futem në televizion, duke i kërkuar që të më gjejë një derë të vogël që unë të futem. Babi sigurisht me kontaktet që kishte, televizioni më i afërt me shtëpinë time ishte News 24 dhe trokitëm aty. Pastaj nga dera e tutje mund ta quaj që është meritë e imja, por sigurisht babai ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në fillimin e karrierës time në televizion.
CMG: Pse zgjodhët të jeni moderatore e motit dhe jo e ndonjë programi tjetër në televizion?
Keisi Shtëpani: Moti ishte një gjë që më është dhënë si dera ime e parë, një trampolinë për t’u futur në televizion dhe ishte një çështje fati. Situata ishte e tillë sepse ndodhi që një vajzë që prezantonte motin para meje u largua në periudhën që unë sapo isha futur në News 24. Unë në televizion kam hyrë me audicion, ku kanë qenë 20 vajza dhe sigurisht e kam marrë me meritën time. Kështu që kam punuar dhe ja kam arritur. Sigurisht pres më shumë nga vetja, por si fillim jam në hapat e mia të para.
CMG: Tashmë ju keni krijuar një profil tuajin si moderatore e motit dhe njërëzit besoj ju thërrasin si vajza e motit.
Keisi Shtëpani: Ndryshe unë njihem si vajza e motit dhe ndoshta nuk më thërrasin në emër. Në rrugë njerëzit që më njohin më dallojnë që jam vajza që jap motin dhe pyetja e parë që më bëjnë është sesi është moti sot dhe si do të jetë javën tjetër.
CMG: Cilat janë synimet tuaja në botën e televizionit?
Keisi Shtëpani: Siç e tregova pak a shumë fëmijërinë time, gjithë jeta ime ka qenë një trampolinë duke ndryshuar fusha dhe njohur vetveten dhe mendoj që deri tani kam parë një aftësi që mund ta zhvilloj në pjesën e televizionit. Mendoj se ndonjëherë është çështje fati apo iniciative, them që mund të bëj një projekt shumë të mirë, por mbetet për ta parë në vijim. Ndoshta mund ta shikoj veten dhe në pjesën e biznesit, ndoshta nuk jam në ekran por dhe mund të jem, kështu që mbetet për t’u parë në vazhdim. Unë jam në fillimet e mia dhe e ndjej veten me fat që më është dhënë si mundësi sepse unë jam 22 vjeç dhe mendoj se e kam jetën përpara për të bërë shumë dhe për ta provuar veten, por mendoj se mund të bëj gjëra të mira.
CMG: E shikoni veten si konkurente me të tjera vajza të bukura të televizionit?
Keisi Shtëpani: Unë në fakt çdo person, duke futur dhe veten time e shikoj shumë të zëvendësuseshëm. Pra çdokush mund të zëvendësoshet, ka vajza më të mira dhe më të bukura, por unë gjithmonë përpiqem t’i them njerëzve që nuk jam vajzë e bukur por jam vajzë e zgjuar ose e lexuar, dhe nëse njerëzit duan që të më duan është për pjesën se çfarë unë transmetoj dhe jo çfarë unë dukem.
CMG: Keni të tjera pasione në jetë përveç atyre që përmendët më lart?
Keisi Shtëpani: Unë jam një person i sportit dhe artit, kohën time të lirë e kaloj në palestër që të kujdësem për veten sesa të pi një kafe. Kështu që sporti gjithmonë do jetë një pjesë e imja. Gjithashtu më pëlqen të lexoj, më pëlqen të dal në piknik, pra jam një njeri i artit, me pëlqen e bukura dhe të sfidoj veten.
CMG: Sa e lidhur jeni me familjen?
Keisi Shtëpani: Unë jam shumë e lidhur me familjen. Fatmirësisht i kam dhe jam shumë e plotësuar, dhe së fundi jam bërë me mbesë dhe dashuria më e madhe është për atë tani. Familja është gjëja më e rëndësishme e imja, kështu që absolutisht kohën më të mirë e kaloj me ato.
CMG: Keisi, shumë të rinj e shikojnë si perspektivë për t’u larguar jashtë vendit për një jetë më të mirë. Keni ndonjë synim për t’u larguar ndonjë ditë nga Shqipëria, apo do investoni këtu?
Keisi Shtëpani: Unë kam qenë gjithmonë ajo vajza që në moshë të vogël thoja se kur të bëhem adoleshente do iki direkt të studioj jashtë vendit, por fati më ka lënë në Shqipëri dhe po investohem tek vendi im. Unë jam drejt përfundimit të masterit, dhe them se mund t’i jap këtij vendi. Nëse do kem ndonjë mundësi më të mirë për punësim jashtë vendit, pse jo, nuk e shikoj si një gjë negative, por si një gjë shumë të mire.
CMG: Në cilën degë po i kryeni sudimet tuaja ?
Keisi Shtëpani: Unë në fakt studimet e mia i kam përfunduar për një fushë tjetër, kam mbaruar bachelor për administrim dhe politika sociale dhe masteri është administrimi i shërbimeve sociale, është e gjitha në kontekstin e shërbimeve sociale. Kjo është një gjë që mua më pëlqen, por akoma nuk e kam praktikuar për shkak se kam qenë e fokusuar te televizoni dhe ma ka marrë pak vëmendjen, por në të ardhme do ta praktikoj sepse është diçka që unë kam investuar dhe studiuar dhe duhet që ta vendos në përdorim.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Keisi Shtëpani: I përshëndes të gjithë dhe faleminderit që më përkrahin. Uroj që të vazhdojnë të më ndjekin sepse mendoj që do ju jap gjithmonë e më shumë gjëra të mira.
Intervistoi: Gamzmend Agaj