Esmeralda Elmazi.
Esmeralda Elmazi ka lindur në qytetin e Patosit dhe është zhvendosur në Torino të Italisë në vitin 2004 për të kryer studimet universitare në Juridik, duke i përfunduar me nota maksimale. Më vonë ajo u formua profesionalisht në studion ligjore të avokatit Roberto Gavazzi dhe e ushtron profesionin e avokatit që nga viti 2013. Në Itali ajo merret kryesisht me të drejtën civile dhe në veçanti trajton përgjegjësitë e ndryshme profesionale (si për shembull mjekët, arkitektët, inxhinierët), aksidentet rrugore, të drejtën e punës, të drejtën e emigrimit dhe mbrojtjen e palës civile dhe përgjegjësit civil në proçesin penal. Esmeralda gjithashtu është ndër themeluesit e Shoqatës së Avokatëve Shqiptarë në Itali ku në janar të vitit 2019, në Firence krijuan këtë shoqatë. Në një intervistë për CMG ajo tregon për rrugëtimin e saj profesional si dhe integrimin në shtetin fqinj.
Esmeralda Elmazi ne zyren e saj
CMG: Përshëndetje Esmerald dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Esmeralda Elmazi: Faleminderit shumë për mundësinë që më dhe, sepse është një rast për të evidentuar edhe qytetarët shqiptarë jashtë shtetit, arritjet apo edhe raportet me vendin e origjinës.
CMG: Kur keni shkuar në Itali dhe në cilin qytet jetoni atje?
Esmeralda Elmazi: Unë jam transferuar në Itali në muajin gusht të vitit 2004, kur duhet të nisja studimet për në universitet, kam shkuar në Torino ku dhe jetoj aktualisht. Torino është qyteti i parë dhe është i vetmi me thënë të drejtën dhe nuk do ta ndërroja për askënd tjetër sepse është një qytet që më ka dhënë shumë dhe ka qenë një mundësi për mua që të studioja. Torino ka kontribuar shumë në formimin tim si karakter, por edhe profesionalisht për më tepër.
CMG: Çfarë ju ka pëlqyer më shumë nga Torino që nuk e ndërroni me asnjë qytet tjetër?
Esmeralda Elmazi: Në të vërtetë nuk është se ka qenë zgjedhje në fillim, sepse babai im kishte ardhur këtu pak kohë para meje për punë dhe ishte qëllimi i babait që gjithë familja të transferohej këtu. Kjo ishte një alternativë për mua, duke qenë se kisha mbaruar gjimnazin në Shqipëri. Alternativa ishte që unë të vazhdoja studimet në Shqipëri, por do të thonte që do ngelesha jashtë familjes, ose do të transferohesha këtu pak para pjesës tjetër të familjes. Kjo për mua ishte një zgjedhje me fat sepse Torino më ka pëlqyer dhe vazhdon të më pëlqejë si qytet.
Esmerald Elmazi
CMG: Pse zgjodhët të studionit në degën e drejtësisë në Itali?
Esmeralda Elmazi: Me thënë të drejtën idenë për të studiuar drejtësi e kam pasur gjithmonë që e vogël, ndaj edhe kur erdhi momenti për të zgjedhur universitetin, mbaj mend kur isha akoma në Shqipëri që askush nuk pyeste se për çfarë dege do studioja. Të gjithë e dinin që unë doja drejtësinë sepse e kam pasur pasion që e vogël. Ndoshta jam rritur me një frymë dhe edukatë të tillë që më pëlqen të ndihmoj të tjerët, të respektoj ligjin, pra të paktën të jap kontributin tim sado i vogël të jetë ndonjëherë, por përpiqem ta jap për një shoqëri më të mirë.
CMG: Tashmë ju jeni avokate e njohur në shtetin fqinj. Prej sa vitesh e ushtroni këtë profesion në Itali?
Esmeralda Elmazi: Unë kam nisur praktikën në vitin 2010. Pas praktikës kam bërë provimin e shtetit që ka zgjatur një vit sepse ishte i ndarë në tre prova me shkrim, në qershor të vitit 2013 kanë dalë rezultatet, dhe në bazë të germës që ishte zgjedhur nisën provimet me gojë dhe mua më ka qëlluar në tetor të 2013 provimi me gojë. Në nëntor të vitit 2013 jam regjistruar në dhomën e avokatisë si avokate.
CMG: Keni krijuar dhe Shoqatën e Avokatëve Shqiptarë në Itali. Si lindi ideja e kësaj shoqate?
Esmeralda Elmazi: Shoqata e Avokatëve është krijuar bashkë me shumë kolegë të tjerë. Aktualisht presidenti i shoqatës është kolegu dhe miku im Ariol Kondi, dhe ka nisur në një bashkëpunim informal midis meje dhe avokatëve të tjerë nga një grup në Facebook. Shoqata është krijuar para disa vitesh ku në këtë grup ne bashkëpunonim me njëri- tjetrin, dhe na lindi nevoja që të krijonim diçka pak më të institucionalizuar, ndaj hodhëm idetë tona ku bëmë dhe një takim paraprak në Rimini, para disa vitesh.
Në fund të janarit të vitit 2019 jemi mbledhur në Firence dhe kemi krijuar zyrtarisht Shoqatën e Avokatëve Shqiptarë në Itali dhe është një realitet për të cilin jam krenare. Kam punuar dhe do vazhdoj akoma të punoj për rritjen e saj si shoqatë sepse besoj vërtetë për dobishmërinë e shoqatës, jo vetëm ndihmën e figurës sonë si avokat, por ndihmën që mund t’u japim qytetarëve tanë. Unë e kam parë në shumë raste që një shqiptar jashtë shtetit e ka shumë të vështirë të mbrojë të drejtat e veta, ndaj një ndihmë në këtë pikë është shumë e rëndësishme.
Esmerald Elmazi gjate diplomimit
CMG: Cili është qëllimi i kësaj shoqate?
Esmeralda Elmazi: Qëllimi i shoqatës është vlerësimi i figurës së avokatit si pikë kyçe për garantimin e të drejtave të njeriut, si figurë e ndërmjetme midis ligjit dhe qytetarit, urë lidhëse për të garantuar të gjitha ato të drejta që ligji i njeh qytetarit dhe veçanërisht shqiptarëve.
CMG: A jeni e kënaqur ju dhe kolegët tuaj me këtë projekt dhe çfarë do të thotë për ju hapja e kësaj shoqate?
Esmeralda Elmazi: Ne jemi shumë të kënaqur për këtë projket dhe jemi shumë krenarë sepse kjo është një ndihmë për njëri -tjetrin, pra është një vend ku ne mund të konsultohemi për çështje të ndryshme. Kjo bën të mundur një specializim të mëtejshëm dhe një pasqyrim të kompetencave të gjithësecilit që pastaj i vendos në dispozicion të klientelës tonë. Normal jemi akoma një shoqatë relativisht e re, kemi akoma një rrugëtim për të bërë, por projektet që kemi bërë deri tani janë mëse të rëndësishëm dhe jemi të kënaqur për rrugën në të cilën po ecim.
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen?
Esmeralda Elmazi: Deri tani kam pasur mundësi ta vizitoj Shqipërinë një ose dy herë në vit. Jam përpjekur të vij shpesh, por me thënë të drejtën është pak e vështirë ndonjëherë duke mbledhur të gjitha impenjimet, dhe duke konsideruar dhe faktin që personalisht familja ime është në Itali, ndaj dhe fakti që të kesh një familje në Shqipëri është një shtytje më tej për të vizitur vendin. Gjithësesi unë aty kam akoma familjarë të tjerë, ndaj lidhja me Shqipërinë është gjithmonë.
Ajo që më merr malli më shumë është ushqimi sepse është i ndryshëm nga ushqimi këtu në Itali. Megjithëse kuzhina italiane është shumë e njohur, por janë disa pjata tona të veçanta, sidomos kur shkoj andej nga gjyshërit që mi bëjnë disa gjëra në saç dhe ka tjetër shije me thënë të drejtën. Diçka tjetër që më mungon nga Shqipëria është mënyra e jetesës shumë e ngadaltë, që duket sikur nuk ka asnjë lloj shqetësimi apo problemi, të paktën duke e parë nga jashtë. Jeta këtu në Itali është shumë e shpejtë dhe ndryshe nga ajo e Shqipërisë.
CMG: Cilat kanë qenë momentet më të vështira gjatë karrierës suaj?
Esmeralda Elmazi: Ka momente të vështira përveç vështirësive të të përditshmes, të punës, raportet e të gjitha, por momenti pakëz më i vështirë për mua ka qenë ai i provimit të shtetit, jo për vështirësinë e provimit por më tepër mbi legjendat që qarkullojnë për provimin, pra është shumë i vështirë, nuk mund ta kalojë një i huaj etj. Shumë elementë të atij provimi ishin shumë pak të qarta, dhe në seksionin tim jemi futur në provim gati 1500 veta për të bërë provimin me shkrim, dhe ata që kanë kaluar fazën e parë kanë qenë më pak se 400 persona. Pra ishte pak ankthi se si do shkonte, por kisha dhe shumë pak kohë për të studiuar lëndët dhe ky ka qenë momenti im pak më i vështirë.
Esmerald Elmazi bashke me koleget ne studion ligjore ne Itali
CMG: Jeni e kënaqur me arritjet tuaja profesionale deri tani?
Esmeralda Elmazi: Deri tani mund të them që jam mjaft e kënaqur. Gjithësesi ka akoma elementë për të cilët mund të punoj dhe të ndihmoj, por të paktën në realitetin tim të përditshëm, atë çka mund të bëj përpiqem ta bëj. Pastaj jo gjithmonë varet nga mua dhe kjo është e vërtetë sepse në punën time janë shumë faktorë që nuk varen nga avokati, por të paktën mund të them që jap 100 për qind të mundësive të mia. Kam bërë këtë profesion sepse më pëlqen dhe vazhdon akoma të më pëlqeje.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.
Esmeralda Elmazi: Unë i përshëndes të gjithë dhe ju them që mos të ndalojnë asnjëherë së ëndërruari dhe së përpjekuri për të realizuar dëshirat dhe ëndrrat e tyre sepse duhet vullnet dhe punë, gatishmëri për të përballuar edhe të përditshmen. Vështirësitë janë gjithmonë, por nuk duhet të dorëzohen.
Intervistoi: Gazmend Agaj