Tan Xiangying, 70 vjeçe, shumë vite më parë u ka mësuar shumë gjëra nipërve, ndërsa tani janë ata që po i kujtojnë mësimet e saj.
Falë një modeli arsimor unik që po fillon të përhapet në zonat rurale të komunës Chongqing të Kinës jugperëndimore, fëmijët po shijojnë një mjedis të shëndetshëm familjar.
Tan filloi të frekuentonte një sallon leximi, në shkollën fillore lokale me nipërit e saj në vitin 2019. Organizuar nga shkolla fillore në qytetin Xituo, në rajonin autonom Shizhu Tujia, klasa javore fokusohet në edukimin familjar, duke theksuar rolin e rëndësishëm të prindërve në rritjen e fëmijëve.
Djali i Tanit dhe nusja e tij punojnë larg shtëpisë. Për të mësuar se si ta kalonte sa më mirë kohën me dy fëmijët e tyre, Tan iu bashkua kësaj nisme, me sugjerimin e nuses së djalit të saj.
Salloni i leximit fokusohet në tema specifike për kujdestarët, si për shembull si të menaxhojnë emocionet e tyre dhe si të shkojnë mirë me fëmijët. Të rriturit lexojnë së bashku dhe shkëmbejnë mendimet e tyre, ndërsa mësuesit mbajnë leksionet.
Fillimisht, shumë pjesëmarrës, përfshirë Tanin, ishin të shqetësuar për një koncept të tillë. "Nëse ata duan që ne t'u mësojmë fëmijëve apo nipërve tanë, çfarë do të bëjnë mësuesit?", -kishin menduar me vete. Sipas kujdestarëve, detyra e një mësuesi është të japë mësim, ndërsa kujdestarët janë të detyruar të sigurojnë plotësimin e nevojave themelore të fëmijëve.
Megjithatë, pas seancës së parë në sallon, Tan u trondit kur kuptoi se sa gabim kishte menduar gjatë gjithë kohës. "Nuk e kisha idenë se çdo lëvizje e imja mund të kishte ndikim të madh te fëmijët. Më parë i qortoja shpesh. Megjithatë, tani jam përpjekur të miqësohem me ta", -tha Tan. Liu Jinxin, mbesa e Tanit, tha se ajo ka vënë re ndryshime të rëndësishme te gjyshja e saj. “Ajo është më e butë tani dhe shpesh na lavdëron”, -tha Liu.
Të menduarit e Tanit ka pësuar ndryshime të dukshme dhe tani ajo është tepër e fokusuar te procesi i të mësuarit. Ajo e la shkollën fillore në moshë të re dhe që atëherë, pjesa më e madhe e jetës së saj kaloi duke punuar në fermë dhe duke u kujdesur për bagëtinë. Falë këtij salloni leximi, Tan ka rizbuluar gëzimin e të mësuarit.
Nga një person që mezi shkruante më parë, ajo tashmë ka mbushur gjashtë fletore për të dokumentuar atë çka mëson në klasë. "Jam shumë e lumtur tani. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që mund të kisha një jetë kaq të mrekullueshme shkollore", -tha Tan. Ajo ftoi gjithashtu mbi 10 të moshuar të tjerë që t'i bashkohen kësaj nisme.
Salloni i leximit u mbrojt nga ligji i ri për promovimin e edukimit familjar të Kinës, i cili ka hyrë në fuqi nga fillimi i këtij viti.
Ligji i ri thekson se prindërit ose kujdestarët duhet të promovojnë rritjen gjithëpërfshirëse dhe të shëndetshme të të miturve në cilësinë morale, arritjet kulturore, zakonet e sjelljes dhe aspekte të tjera.
Si mësuesja e parë në shkollë që u dha mësim kujdestarëve të fëmijëve, Cui Xiaolan tha se ajo dhe kolegët e saj ishin të lumtur me hyrjen në fuqi të këtij ligji, i cili dëshmon se gjërat që ata kanë bërë për shtatë vjet kishin marrë drejtimin e duhur. Në vitin 2015, Cui zbuloi se shumë fëmijë në shkollë kishin shfaqur mangësi, pasi prindërit e tyre e siguronin jetesën larg shtëpisë. Duke ditur rëndësinë e edukimit familjar, ajo nisi organizimin e salloneve të leximit për kujdestarët. Përveç të moshuarve si Tan, mes të pranishmëve janë edhe nëna të reja me kohë të plotë në përkujdesje.
Ndërsa Peng Dongqing, 33 vjeç, nuk ia doli dot në kolegj, e bija duhej të mbante barrën e ankthit të saj. Peng ishte tepër e shqetësuar për notat e vajzës dhe e kishte shtyrë vazhdimisht të shkonte përtej kufijve të saj. Peng kuptoi se askush nuk ishte perfekt, përfshirë edhe fëmijën e saj. “Më duhet të kujdesem më shumë për lumturinë e vajzës sime dhe të fokusohem në gjetjen e talenteve të saj në fusha të tjera, në vend që të kujdesem vetëm nëse ajo shkëlqen në provime”, -tha Peng.
Cui deklaroi se në shtatë vjet, numri i pjesëmarrësve në sallonin e leximit është rritur nga 10 në mbi 500 dhe janë realizuar me sukses 158 seanca mësimore. Ky model i edukimit të kujdestarit është realizuar tashmë në 89 shkolla publike në rajonin autonom të Shizhu Tujia. "Qoftë në teori apo në praktikë, një edukim i mirë kërkon përpjekje si nga shkolla ashtu edhe nga familja. Shpresojmë që çdo fëmijë të rritet në një mjedis të shëndetshëm të mbushur me dashuri", -tha Tan Lamei, zëvendësdrejtor i departamentit arsimor të qarkut. (Foto nga VCG)